26 Mars 2025

Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja, ka akuzuar SPAK-un se nuk po vepron ndaj dosjeve të krimit elektoral. Gjatë një interviste në një emision televiziv, ajo tha se opozita ka dorëzuar dosje të shumta, por nuk ka asnjë rezultat konkret.

Sipas saj, zyrtarë të lartë të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve nuk janë hetuar dhe vazhdojnë aktivitetin e tyre. Kalaja theksoi se krimi elektoral është baza e të gjitha krimeve të tjera, pasi përmes tij merret pushteti. Ajo akuzoi gjithashtu prokurorinë për mungesë serioziteti dhe veprime selektive në hetime. “SPAK nuk e ka fare të rëndësishme se çfarë do të ndodhë më 11 maj,” përfundoi ajo.
Kalaja:

Çfarë ka ndodhur me dosjet e rënda të krimit elektoral? Tregon se ato nuk e kanë seriozisht. Çfarë bëri Dumani? Ai tha: “Ne po ngremë një task forcë,” ka caktuar disa prokurorë në 12 qarqe dhe thotë që nëpërmjet këtyre prokurorëve dhe nëpërmjet denoncimeve tuaja… Ndërkohë që dosjet e PD dhe opozitës janë kapicë, duke filluar që nga 2021, dhe nuk ka asnjë rezultat konkret.

Tani, e parandalon ligji krimin zgjedhor apo task forca?

Tani, meqenëse ato ligjin e kanë, strukturat i kanë, kemi dhe një drejtues të SPAK që na është dekoruar për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ne i themi: “Hajde lufto krimin elektoral,” dhe i çuam këtë dosje.
Dhe i themi: “A është hetuar dosja, apo janë amnistuar të gjithë zyrtarët e lartë, të cilët janë po të njëjtët që do të dalin nesër në terren?” Ata madje kanë filluar duke blerë, duke shantazhuar, duke kërkuar emra të familjarëve – deri në diasporë ka shkuar shantazhimi. Përndryshe, familjari jot në Tiranë do shkarkohet nga puna.

Dhe bëjmë një pyetje të thjeshtë, duke filluar nga Ulsi Manja, Damian Gjiknuri, Artan Gaxhe, që po hetohet gjoja edhe për një dosje tjetër – janë të gjithë të lidhur me krimin zgjedhor.

Tek krimi zgjedhor lind çdo krim në një vend të caktuar, sepse nëpërmjet krimit zgjedhor merret pushteti dhe nëpërmjet pushtetit bëhen të gjitha krimet. Pra, ai Artan Gaxhe, nëpërmjet kësaj vote që ka blerë, i mori ato tokat në mënyrë të paligjshme në Himarë.

Ja ku i ke këtu të gjithë zyrtarët e lartë, të cilët nuk janë hetuar.

Mund të them që SPAK nuk e ka fare të rëndësishme se çfarë do të ndodhë më 11 maj. Madje, ata po amnistojnë kriminelët që kanë vjedhur deri më sot.