21 Nentor 2024

Në një kohë kur Presidenti i Republikës ka nisur konsultimet me partitë politike për përcaktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, drejtuesi Politik i Partisë së Lirisë në Qarkun e Beratit, Lefter Maliqi, në studion e lajmeve në “Ora News” renditi arsyet se pse ka ardhur momenti që opozita të votëbesohet.

“Populli duhet të votojë opozitën për shkak se u bënë 12 vjet qëndrimi në pushtet përmes pazareve të pista të kësaj mazhorance me krimin.

Sepse kemi krerët e opozitës të arrestuar, ku gjej rastin të përshëndes Presidentin e PL-së, Ilir Meta i cili gjendet në burg pa prova dhe fakte dhe që u arrestua në një mënyrë anti-ligjore.

Edi Rama erdhi në pushtet përmes një marrëveshjeje të nënshkruar me LSI-në në atë kohë, por si i pabesë që është ai goditi opozitën pas shpine.

Dhe po ashtu u bë edhe ndaj liderit të opozitës, z. Sali Berisha për të cilin ditën e nesërme do të ketë një vendim për lirimin e tij nga izolimi po ashtu i padrejtë dhe anti-ligjor”, u shpreh ndër të tjera ish-deputeti Lefter Maliqi.

Në cilësinë e edhe të ekspertit të Sigurisë dhe Rendit publik, Maliqi gjatë intervistës së tij ngriti shqetësimin e kriminalizimit të shoqërisë që vjen si pasojë e kriminalizimit të shtetit.

“Ka disa vite që kur i pyet fëmijët se çfarë do të bëhesh kur të rritesh, të thotë se do bëhem bandit, narko-trafikant, sepse këta janë me vila, me resorte, ndërsa inxhinierët, doktorët, gazetarët me zor kalojnë muajin me pagat që marrin.

Arsimi pothuajse ka dështuar, drejtësia ka dështuar, shëndetësia ka dështuar me kohë. Policia po ashtu, ka dalë jashtë misionit të saj, sepse emërimet i bëjnë bandat.

E patë atë ngjarjen makabre në Shkodër me bandat, sepse kam qenë me detyrë në Shkodër në vitin 1999 dhe nuk ishte kjo situatë, ku armët ishin sheshit dhe nuk ishte ky kriminalitet që është sot. Dhe kujtojnë këta se po tallen dhe gënjejnë se po bëjnë konkurse fallco.

Ndryshimet e fundit kanë të bëjnë me zgjedhjet, ashtu siç është edhe bonusi i qeverisë.

Kur ka pasur vullnet politik bandat janë goditur kudo që kanë qenë. Sot krimi jo vetëm bën emërime në polici, por madje bën edhe deputetë, siç pamë atë Çyrbjen në Durrës.

Atë patë ju, sepse aplikacioni “Sky” ka akoma më shumë që nuk kanë dalë ende në publik. Aty ka deputetë, gjyqtarë, prokurorë, ministra e deri tek kryeministri që kanë dalë të gjithë në përgjimet tek aplikacioni “Sky””, u shpreh ndër të tjera, Lefter Maliqi.