Krishtlindjet në ikonografi dhe arsyet se përse 25 dhjetori është festa e lindjes së Jezus Krishtit

Nga Valeria Dedaj
25 Dhjetor 2020

Studiuesi i artit Konstantinos Giakoumis rrëfen Krishtlindjet në ikonografi dhe dy arsyet, se përse festohet data 25 dhjetor, si lindja e Jezus Krishtit.

 “Studimi i ikonografisë na tregon mënyrat se si festa është transformuar gjatë viteve, duke përfshirë pjesët e traditës. Për shembull, në tekstet biblike dimë se Krishtlindjet nuk kanë ndodhur në dhjetor, ndërsa barinjtë ishin duke kullotur bagëtinë”.

Por, studiuesi na tregon se festa u vendos në këtë datë për dy arsye.

“Së pari, për festën e Perëndisë së Diellit, si një përpjekje për të zbuar idhujdashësit. Edhe së dyti, sepse në datë 26 festohej Dita e profetit David. Një festë e madhe për hebrenjtë”.

Për rrjedhojë, vijon Konstantinos Giakoumi,  ajo që më herët ishte një festë e përbashkët midis Theofanisë që festohet në datë 6 dhe Shën Davidit, profetit të Davidit i krishtlindjeve. Prandaj gjatë shek.IV u vlerësua që midis festës së madhe pagane dhe midis festës së madhe çifute të tregohej ardhja e Jezu Krishtit, si bashkues i botës. Kjo pasqyrohet në ikonografi”, shpjegon studiuesi i artit Konstantinos Giakoumis.

Ikona që studiuesi ka zgjedhur për të treguar për publikun është “Biri i Onufrit”, e cila simbolizon Lindjen e Krishtit e që gjendet në Muzeun e Onufrit në Berat

 “Ikona që kam përzgjedhur është “Nikolla, biri i Onufrit” në kalanë e Beratit, që sot është Muzeu Ikonografik “Onufri”. Në qendër të tablosë shikojmë një vend kodrinor që i ngjason dhe vendit të Betlehemit, atje ka disa shpella. Pasi është krijuar tradita që Krishti u lind në një shpellë, por realisht ka lind në një stallë. Krishti paraqitet në qendër një grazhd, që i ngjason sarkofagut”,  thotë Konstantinos Giakoumis.

Në pikturën bizantine përdoren këto antiteza, vijon studiuesi, duke shpjeguar të tjerë simbole të realizuara në ikonë.

“Janë dy kafshë në stallë. Kau simbolizonte pastërtinë, si kafshë e sakrificës. Ndërsa, gomari si kafshë jo e pastër. Në këtë mënyrë simbolizonin hebrenjtë si popull i zgjedhur, por dhe popujt e tjerë idhujdashës që u bashkuan me ardhjen e Krishtit. Këtë e vrojtojnë edhe disa grupe të tjera, njerëz të urtë që pasqyrohen në mosha të ndryshme, për të treguar vazhdimësinë e jetës. E kaluara, e tashmja dhe ardhmja”.

Por, ka dhe episode të tjera, si Shën Maria, shpella apo edhe bariu.

“Shën Maria paraqitet në shtrat me këmbë të kryqëzuara që parasheh kryqëzimin e Krishtit. Shpella shfaqet dhe në ikonat post, mbi të cilën u kryqëzua Krishti. Ndërsa, poshtë kemi dy evenimente të tjera. Një është Jozefi në mëdyshje, i cili është duke fol me një bari. Bariu sipas ungjijve mund të jetë djalli që e ngacmon atë, duke i thënë: ‘Nëse ky shkop i vdekur mbi të cilin unë mbështetem, mbjell, nxjerr gjethe, atëherë dhe kjo që ka lindur është e virgjër’. Kemi dhe evenimentin e larjes. Një nga këto dihet, nga ungjijtë mistikë, ku një grua e moshuar e cila pasi kishte dyshuar për lindjen e Krishtit iu tha dora pasi e preku. Kemi pusin, që sipas traditës u përdor për lindjen e Krishtit. Në këtë ikonë  shikojmë botën frymore dhe shtazore, që marrin pjesë në këtë eveniment”, përfundon studiuesi.  

Gjatë periudhave të ndryshme ikonografët kanë zhvilluar këndvështrime të ndryshme në ikona, duke demonstruar zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit që kanë jetuar.

Gazeta Shqiptarja.com