rama-vucic

Kritere të pashkruara. – A është kusht që presidenti i ri të mbështesë iniciativën “Open Balkan” dhe të ‘bekojë’ dyshen Rama-Vuçiç?

– 22.04.22

“Këtë nismë e kam parë me dyshime që në vitin 2019. Ajo s’mund të ketë sukses vetëm me 3 shtete”. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski më 15 prill 2021 shprehu rezerva të mëdha ndaj iniciativës “Open Balkan”.

Por, në mënyrë të papritur, ai ndryshoi qëndrim të nesërmen. Pa kaluar 24 orë nga ky qëndrim publik dhe pas kritikave të mëdha, kryesisht nga ish-kryeministri Zoran Zaev, presidenti Pendarovski bëri një piruetë 180 gradë.

Ai shkruajti në rrjetet sociale: Ballkani i Hapur është nismë plotësuese me nismat e tjera rajonale dhe nëse qëndron kështu do të vazhdojë të ketë mbështetjen time.

Çfarë e bëri presidentin e Maqedonisë së Veriut të kapërdinte skepticizmin ndaj Ballkanit të Hapur? A ishte vetëm presioni i Zaevit apo luajtën rol edhe “forca madhore”?

Me gjasë, e vërteta nuk do të mësohet kurrë.

Gjatë viteve të fundit, një situatë të ngjashme si ajo në Shkupin zyrtar ka përjetuar edhe Shqipëria. Kryeministri Edi Rama është jo vetëm një arkitekt i paepur i “Open Balkan” po ai stigmatizon herë pas here liderët e Kosovës dhe Malit të Zi, të cilët nuk i bashkohen triumviratit Shqipëri-Serbi-Maqedoni e Veriut.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur rezerva ndaj nismës Rama-Vuçiç, gjë që e ka bërë diplomacinë shqiptare të ketë dy koka që shohin në drejtime të ndryshme. Pak a shumë si kokat e shqiponjës në flamurin kuqezi.

Kjo situatë mund të ndryshojë pas 24 korrikut, ditë kur pritet të betohet presidenti i ri i Republikës.

“Sot Shqipëria është faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon dhe për këtë arsye presidenti i ri duhet t’i përqaset këtij pozicioni dhe këtij momenti historik që ka Shqipëria sot”, deklaroi dje kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Që Shqipëria është faktor stabiliteti kjo përsëritet vit pas viti, që prej instalimit të pluralizmit në vend.

Ahere, pse lind nevoja për porosinë që “presidenti duhet t’i përqaset këtij pozicioni”?

Cili kandidat do të ishte “destabilizues” për rajonin?

Sipas të gjitha gjasave, Taulant Balla përdori një eufemizëm. Ai nuk mund të thotë që presidenti i ri duhet me patjetër të mbështesë Ballkanin e Hapur. Fundja, presidenti i Republikës vepron dhe operon mbi Kushtetutën dhe ligjet dhe jo mbi nismat qeveritare.Në mënyrë të kamufluar, kreu i grupit të PS i dha mesazhin të gjithë kandidatëve të mundshëm se në politikën rajonale, duhet “t’i përqasen këtij pozicioni”.

Se cili është ky pozicion, nuk është sekret.

I nisur në fillim si “mallo-Shengen” apo “mini-Shengen”

dhe i transformuar më pas në “Open Balkan”, dyshja Rama-Vuçiç kanë ndërmarrë një nismë që në Kosovë shihet si tradhti, në BE me dyshim dhe në SHBA me përkrahje joentuziaste. A kanë të drejtë këta të dy, apo gjithë të tjerët? Këtë do ta tregojë koha.

Ajo që duket e sigurt është se Edi Rama dhe PS po kërkojnë një president që të jetë e kundërta e Ilir Metës. Edhe në qëndrimin ndaj “hapjes ballkanike”.

Gazeta Shqiptare