Kriza e biznesit të vogël, një në katër të vetëpunësuar falimentoi. –

l 8 prill 2019

Nga: Gjergj Erebara / BIRN

Numri i shqiptarëve të vetëpunësuar me sigurime shoqërore ra në mënyrë dramatike gjatë vitit 2018, duke reflektuar një krizë të gjerë mes biznesit të vogël, bëhet e ditur nga të dhënat statistikore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore të publikuara së fundmi. Sipas ISSH, numri mesatar i kontribuuesve në skemë nga kategoria “të vetëpunësuar” dhe që nënkupton qytetarë me një biznes të vogël, ra në afro 86,800 persona gjatë vitit 2018, nga 110,500 persona në vitin 2017.

Në vitin 2016, të vetëpunësuarit ishin 120 mijë vetë, shifër që duhet se reflekton edhe formalizimin që ndodhi gjatë fushatës së dhunshme të qeverisë për vjeljen e taksave në muajt e fundit të vitit 2015. Të dhënat e ISSH tregojnë se numri i të vetëpunësuarve në skemë u rrit nga 105 mijë në 120 mijë, por mjaftuan vetëm dy vjet që të vetëpunësuarit të binin në nivelin e periudhës para fushatës antiinformalitet.

Përkundër rënies së numrit të të vetëpunësuarve, numri total i kontribuuesve në skemë u rrit në 721 mijë vetë, ose 27 mijë më shumë se sa në vitin 2017.

Përveç rënies së të vetëpunësuarve në sektorin urban, numri mesatar i të vetëpunësuarve në bujqësi ishte 59 mijë vetë gjatë vitit të kaluar, pothuajse i pandryshuar në krahasim me vitin 2017. Numri i të vetëpunësuarve në bujqësi ka rënë në mënyrë dramatike që nga viti 2013, kur kontribuuesit ishin 205 mijë, por kjo rënie duket se reflekton fushatat e faljeve të kontributeve në zonat rurale nga qeveria e mëparshme PD-LSI si dhe nga qeveria PS-LSI. Gjatë atyre viteve, qeveritë i mundësuan popullsisë rurale të paguante me ulje deri në 80% kontribute për vite të mëparshme. Duke qenë se ISSH mat numrin mesatar të kontribuuesve si një pjesëtim i thjeshtë i numrit vjetor të pagesave me numrin e muajve, statistika  nuk pasqyron “njerëz” kontribues por “muaj” të kontribuuar.

Rënia e numrit të të vetëpunësuarve në Shqipëri duket se reflekton rënien më të gjerë të shitjeve të biznesit të vogël gjatë vitit 2017. Instituti i Statistikave raportoi nëntorin e kaluar se xhiroja e ndërmarrjeve të vogla me deri 4 punëtorë ra me 15% gjatë vitit të kaluar ndërsa ajo e ndërmarrjeve me 5-9 punëtorë ra me rreth 10%.

Ndërmarrjet e vogla të karakterit individual, të cilat në statistika raportohen si ndërmarrje me 1 deri në 4 punonjës janë përgjegjëse për një të tretën e të gjithë të punësuarve të cilët jetojnë me vetëm 12% të shitjeve. Gjatë vitit të kaluar në Shqipëri kishte afro 95 mijë ndërmarrje të tilla. Ndonëse për llogari statistikore këto ndërmarrje klasifikohen në grupimin 1 deri në 4 punonjës, në fakt, shifrat e Instat sugjerojnë se shumica e tyre ka vetëm një të vetëpunësuar. Më konkretisht, të 95 mijë ndërmarrjet e vogla kanë bashkërisht 150 mijë të punësuar me një mesatare prej 1.5 të punësuarish për ndërmarrje.

Në prill të vitit të kaluar, kundër këshillave më të mira të ekspertëve vendës dhe të huaj, qeveria shqiptare vendosi uljen e pragut të tatimit mbi vlerën e shtuar nga 5 milionë në 2 milionë lekë, gjë që detyroi mijëra mikrobiznese të hyjnë në një regjim relativisht të komplikuar tatimor.

Gazeta Dita.