Kriza e strehimit, 10 kryebashkiakë europiane letër Ursula von der Leyen: – Po gërryhet themeli social i projektit europian
20 Dhjetor 2024
Në të gjithë bllokun 27 anëtarësh, çmimet e banesave u rritën me 47% midis 2010 dhe 2022, sipas të dhënave të Eurostat, me qiratë që u rritën me 18% gjatë së njëjtës periudhë.
Kryetarët e 10 qyteteve të mëdha evropiane – që përfaqësojnë më shumë se 13 milionë njerëz – i kanë shkruar Ursula von der Leyen duke i bërë thirrje BE-së që “të ngrihet në këmbë” për të trajtuar një nga “sfidat më të ngutshme” me të cilat përballet blloku: kriza e strehimit.
“Koha është thelbësore: qytetarët kanë nevojë për zgjidhje dhe ata kanë nevojë për to tani”, thuhet ndër të tjera në letrën e nënshkruar nga kryebashkiakët e Barcelonës, Romës, Amsterdamit dhe Parisit.
Ata vënë në dukje se një numër në rritje i grupeve sociale, nga të rinjtë tek familjet me një prind, po luftojnë për pasur strehim adekuat në të gjithë Evropën, ndërsa numri i të pastrehëve është në shifra rekord.
Sipas Kryebashkiakëve, kjo situatë rrezikon të gërryejë themelin social të projektit evropian.
Në të gjithë bllokun 27 anëtarësh, çmimet e banesave u rritën me 47% midis 2010 dhe 2022, sipas të dhënave të Eurostat, me qiratë që u rritën me 18% gjatë së njëjtës periudhë. Në disa vende, më shumë se 1/5 e familjeve shpenzojnë 40% ose më shumë të të ardhurave të tyre neto për strehim.
Qytetet kanë qenë në vijën e parë të kësaj krize, me protesta për strehimin që shpërthyen nga Madridi në Milano.
Kryetarët e bashkive thanë se ishin përpjekur të bënin aq sa mundeshin brenda kufijve të burimeve të tyre. “Sidoqoftë, shumë qytete ende përballen me vendime të vështira, si për shembull nëse duhet të kenë prioritet investimin në ndërtimin e banesave të reja, luftën kundër të pastrehëve apo përmirësimin e efikasitetit energjetik të stokut ekzistues të banesave”, thuhet në letrën, e cila është nënshkruar edhe nga kryetarët e bashkive të Milanos, Lisbonës, Lajpcigut, Lionit, Bolonjës dhe Budapestit.
Letra vjen pas vendimit të von der Leyen, si presidente e Komisionit Evropian, për të emëruar komisionerin e parë të BE-së për strehimin.
Në letrën e tyre, kryetarët e bashkive përshëndetën emërimin e fundit të Dan Jørgensen dhe i kërkuan atij t’u lejonte atyre një vend në tryezën e vendimmarrjes si dhe të krijonte një rrugë të shpejtë që do t’u mundësonte qyteteve të aksesojnë drejtpërdrejt fondet e BE-së për strehim social dhe të përballueshëm.