Kriza globale e orizit
7 Maji 2023
Orizi ushqen më shumë se gjysmën e botës, por gjithashtu nxit diabetin dhe ndryshimet klimatike, shkruan The Economist. Sipas një legjende indoneziane, orizi iu dhurua ishullit Java nga perëndesha Dewi Sri. Asaj i erdhi keq për banorët e vendit që detyroheshin të ushqeheshin me ‘cassava’, kështu që u mësoi atyre si të rrisnin fidanët e orizit në fusha të gjelbëruara. Në Indi, thuhet se perëndesha Annapurna ka luajtur rol të ngjashëm, dhe po ashtu në Japoni.
Në të gjithë Azinë, orizit i është dhënë një histori hyjnore dhe zakonisht femërore. Një mitologji e tillë është e kuptueshme. Për mijëra vjet, farat e bimës Oryza Sativa (shpesh i quajtur oriz aziatik), kanë qenë ushqimi kryesor i kontinentit. Azia prodhon 90% të orizit në botë dhe konsumon pothuajse po aq.
Aziatikët marrin më shumë se një të katërtën e kalorive ditore nga orizi. OKB-ja vlerëson se mesatarisht, një aziatik konsumon rreth 77 kg oriz në vit, më shumë se mesatarja e Afrikës, Europës dhe Amerikës së bashku (shih grafikun).
Me qindra miliona fermerë në Azi varen nga rritja e të korrave dhe shumë prej tyre kanë vetëm pjesë të vogla toke. Megjithatë, sasia e orizit në botë po pakësohet.
Kërkesa globale për oriz (sidomos në Afrikë dhe në Azi), është në rritje. Megjithatë, rendimentet kanë mbetur në vend. Toka, uji dhe puna që nevojitet për prodhimin e orizit, po bëhen gjithnjë e më të pakta.
Ndryshimet klimatike janë një kërcënim edhe më i rëndë. Rritja e temperaturave po than të mbjellat; përmbytjet më të shpeshta po i shkatërrojnë ato. Kultivimi i orizit nuk është thjesht një viktimë e ngrohjes globale, por edhe një shkak kryesor i saj, sepse fushat me oriz emetojnë shumë metan, që është një gaz i fuqishëm serë.
Pra, të korrat që nxitën rritjen e 60% të popullsisë së botës, po bëhen një burim pasigurie dhe kërcënimi.
Rritja e kërkesës e përkeqëson problemin. Deri në vitin 2050, Azia do të ketë 5.3 miliardë njerëz, nga 4.7 miliardë sot, dhe Afrika do të ketë 2.5 miliardë njerëz, nga 1.4 miliardë sot.
Kjo gjë parashikon të nxisë një rritje prej 30% të kërkesës për oriz, sipas një studimi të botuar në revistën Nature Food. Dhe vetëm në vendet më të pasura aziatike, si Japonia dhe Koreja e Jugut, buka dhe makaronat hahen më tepër se sa orizi si ushqim bazë.
Megjithatë, rritja e produktivitetit të orizit në Azi po bie. Rendimentet u rritën me një mesatare vjetore prej vetëm 0.9% gjatë dekadës së kaluar, nga rreth 1.3% në dekadën e mëparshme, sipas të dhënave nga OKB-ja. Rënia ishte më e theksuar në Azinë Juglindore, ku norma e rritjes ra nga 1.4% në 0.4%.
Indonezia dhe Filipinet tashmë importojnë shumë oriz. Nëse rendimentet nuk rriten, këto vende do të varen gjithnjë e më shumë nga të tjerët për të ushqyer 400 milionë banorët e tyre, sipas studimit nga Nature Food.
Për vite me radhë, prodhimi e ka kapur ritmin e rritjes së kërkesës, falë efekteve të qëndrueshme të revolucionit të gjelbër, i cili nisi në vitet 1960. Për të rritur rendimentet e dobëta, shkencëtarët në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimit të Orizit (IRRI), me qendër në Filipine, krijuan një varietet orizi me emrin IR8, që lulëzonte me përdorimin e plehrave kimike dhe sistemeve të vaditjes.
Ai qe një ndihmesë e madhe për Azinë, duke qenë se u paraqit pikërisht në kohën kur Kina sapo kishte kaluar një periudhë urie dhe India ishte në prag të urisë.
Ndërsa varieteti IR8 u përhap në të gjithë Azinë, nga Filipinet në Pakistan, rendimenti i orizit u rrit. Produktiviteti më i madh e bëri orizin një kultivim më tërheqës, kështu që atij iu kushtuan më shumë burime.
Shqetësimet për sigurinë ushqimore u ulën dhe qeveritë aziatike kishin mundësinë të përqendroheshin në industrializimin dhe rritjen ekonomike.
Instituti IRRI ka krijuar varietete të reja orizi që mund të përsërisin një pjesë të këtij suksesi. Ata janë më produktivë dhe të qëndrueshëm ndaj klimës, si dhe kërkojnë më pak ujë. Megjithatë, përmbushja e kërkesës në rritje duket më e vështirë sesa në vitet 1960.
Urbanizimi dhe ndarjet e rrepta të tokave, kanë zvogëluar sipërfaqet tokësore. Midis viteve 1971 dhe 2016, madhësia e një ferme mesatare indiane, u përgjysmua nga 2.3 në 1.1 hektarë.
Kjo e bën më të vështirë rritjen e produktivitetit, veçanërisht kur puna është e pakët. Mbjellja e farave në rreshta të rregullt, rimbjellja e fidanëve dhe vjelja e tyre, është një punë e vështirë që gjithnjë e më shumë punëtorë aziatikë po e shmangin.
Uji, një tjetër kontribut i madh, tani është më i pakët. Në shumë vende, tokat janë varfëruar dhe helmuar nga përdorimi i tepërt i plehrave kimike dhe pesticideve.
Asnjë kultivim nuk është aq i ndjeshëm ndaj ngrohjes globale sa orizi, thonë shkencëtarët në Institutin IRRI. Një studim i vitit 2004, zbuloi se një rritje prej 1°C në temperaturat minimale, çon në një rënie prej 10% të rendimentit.
Rritja e nivelit të detit, një tjetër rezultat i ngrohjes globale, tashmë po shkakton hyrjen e kripës në zonat e ulëta pranë lumit Mekong, duke ulur rendimentet e orizit atje. Përmbytjet masive vitin e kaluar në Pakistan, që është eksportuesi i katërt më i madh në botë i orizit, vlerësohet se kanë shkatërruar 15% të të korrave në vend.
Kontributi i orizit në ngrohjen globale është i nënvlerësuar. Ndërtimi i kanalizimeve për ujitjen e fushave me oriz, ul sasinë e oksigjenit në shtresat e poshtme të tokës. Kjo nxit lulëzimin e baktereve që lëshojnë metan.
Si pasojë, prodhimi i orizit është përgjegjës për 12% të emetimeve totale të metanit dhe 1.5% të emetimeve totale të gazrave serë, të krahasueshme me nivelet e emetuara nga aviacioni. Fushat me oriz në Vietnam prodhojnë më shumë karbon se sa sektori i transportit në vend.
Cilësia ushqyese e orizit është një tjetër shqetësim në rritje. Orizi ka sasi të larta glukoze, e cila kontribuon në diabet dhe obezitet. Orizi gjithashtu ka nivele të ulëta hekuri dhe zinku, dy përbërës ushqimorë të rëndësishëm. Në Azinë Jugore, përhapja e diabetit dhe kequshqyerjes mund të lidhet me varësinë e tepërt nga orizi.
Zgjidhja e kaq shumë problemeve është e ndërlikuar. Jean Balié, drejtori i përgjithshëm i Institucionit IRRI, thotë se nëse revolucioni i parë i gjelbër kishte të bënte me produktivitetin, revolucioni i ardhshëm duhet të përqendrohet në “sistemet në nivelin e fabrikave ose parcelave”.
Kjo kërkon politika më të mira të orizit, si dhe varietete më të mira.
Ndërhyrjet e dobëta ose të vjetruara të qeverisë janë burimi i shumicës së shqetësimeve të produktivitetit dhe mjedisit. Ato shtrembërojnë tregjet dhe zbehin stimujt për ndryshim. Marrim si shembull rastin e zotit Sandeep Singh në Bassi Akbarpur, një fshat i vogël në shtetin verior indian Haryana.
Megjithëse kultivon oriz, ai parapëlqen të hajë roti, një bukë e bërë me grurë, që është një kultivim shumë më i përshtatshëm për klimën e nxehtë dhe të thatë në Haryana. Megjithatë, zoti Singh është shtyrë nga stimujt e qeverisë në një cikël të prodhimit të orizit dhe grurit.
India blen oriz nga fermerët me një çmim të garantuar, shpesh të caktuar mbi normën e tregut. Të korrat më pas u shiten të varfërve me një çmim të subvencionuar, duke nxitur konsumin e orizit. Subvencionohen edhe plehrat kimike, edhe uji. Ndërhyrje të tilla janë të përhapura në të gjithë Azinë.
Shumica u paraqitën në një kohë të pasigurisë ushqimore, kur diabeti dhe kostot mjedisore ishin shumë më pak shqetësuese sesa sot.
Është e vështirë të zgjidhësh nyjet e politikave që janë shtrënguar gjatë dekadave. Fermerët janë votues që qeveritë nuk guxojnë t’i kundërshtojnë. Partia qeverisëse në Indi, Bharatiya Janata, e cila krenohet me zbatimin e masave të ashpra, por të nevojshme, e nxori këtë mësim në vitin 2021, kur u detyrua të tërhiqte reformat në bujqësi, pas protestave të fermerëve.
Megjithëse nuk ka asnjë zgjidhje të vetme për thellimin e krizës së orizit, ka shumë zgjidhje të pjesshme. Në disa pjesë të Azisë ku rendimentet janë të ulëta, si në Mianmar dhe Filipine, është e mundur të rritet produktiviteti, duke përdorur më shumë plehra kimike dhe pesticide, pa shkaktuar dëme mjedisore serioze.
Shkencëtarët në institucionin IRRI dhe grupe të tjera kërkimore kanë krijuar varietete orizi që janë të qëndrueshme ndaj përmbytjeve, thatësirës dhe nxehtësisë.
Ata gjithashtu kanë krijuar varietete më ushqyese. Këto ndryshime, të ndërthurura me risitë në kultivim, si mbjellja e drejtpërdrejtë, një metodë mbjelljeje që kërkon më pak ujë dhe punë fizike, mund të zvogëlojnë dëmtimin mjedisor dhe të rrisin rendimentet.
Eksperimentet në të gjithë Azinë e kanë konfirmuar këtë. Në Bangladesh, fermerët që kultivojnë varietetin SUB1, që është tolerant ndaj përmbytjeve, arritën 6% rendiment më të lartë dhe 55% fitime më të larta, sipas një studimi të botuar në revistën Politika e Ushqimit në vitin 2021.
Një përmbledhje e provave në terren në Global Food Security tregon se varietetet që kanë qëndrueshmëri ndaj thatësirës, gëzojnë avantazh rendimenti prej 0,8-1,2 ton për hektar.
Por shumë fermerë nuk e dinë se ekzistojnë këto fara dhe metoda të përmirësuara. Disa thjesht nuk duan të provojnë diçka të re. Një studim mbarëkombëtar i fermerëve të orizit në Indi në vitet 2017-‘18, zbuloi se vetëm 26% kishin miratuar varietete të reja.
Qeveritë mund të luajnë rol të madh në nxjerrjen në pah të përfitimeve të varieteteve dhe metodave të reja. Vietnami po udhëheq në këtë drejtim. Kohët e fundit, ai njoftoi një plan ambicioz për të kultivuar oriz “me pak karbon” në 1 milion hektarë.
Ai e promovon këtë si një mjet për të kursyer fuqinë punëtore dhe për të përmirësuar efikasitetin. Është thelbësore që të shmanget reklamimi i zbutjes së emetimeve, si një barrë për fermerët, thotë Bjoern Ole Sander, një shkencëtar klimatik në Institutin IRRI.
Një revolucion më i gjelbër
Një qasje nga poshtë-lart është gjithashtu e rëndësishme. Punëtorët e sektorit të bujqësisë mund të luajnë rol të madh në përcjelljen e njohurive, por shpesh ata shpërfillen nga politikëbërësit.
Shumica e shpenzimeve publike bujqësore shkojnë për subvencione dhe vaditje, që janë zakonisht përfitim për fermerët më të pasur me toka më të mëdha.
Qeveritë gjithashtu duhet të bëjnë shumë më tepër për të ulur varësinë e njerëzve nga orizi. Me kërkesë të Indisë, OKB e ka shpallur vitin 2023 si vitin e melit.
India shpreson t’i nxisë fermerët dhe konsumatorët të prodhojnë dhe konsumojnë këtë kulturë të re, e cila është shumë më ushqyese se orizi ose gruri dhe kërkon shumë më pak ujë.
Indonezia gjithashtu po e promovon atë. Sot, vetëm banorët e pasur në Delhi që janë tejet të kujdesshëm për shëndetin, do të zgjidhnin melin në vend të orizit.
Por aty ku udhëheqin elitat, shpesh ndjekin masat. Nëse do të shfaqej një treg i madh, do të joshte disa fermerë që të zgjeronin kultivimet dhe madje edhe kultivuesit e zjarrtë të orizit që të diversifikoheshin.
Revolucioni i parë i gjelbër shmangu një katastrofë aziatike. Situata mund të mos jetë aq e pasigurt sot, por sfida është, në njëfarë mënyre, më e madhe. Vendet duhet të prodhojnë më shumë me më pak burime në dispozicion dhe me kujdes shumë më të madh për mjedisin.
Kjo do të përbënte një “revolucion të vërtetë të gjelbër”, thotë zoti Balié, shefi i institucionit IRRI.
Shpërblimet mund të jenë gjithashtu shumë më të mëdha. Kultivimi më i qëndrueshëm dhe rritja e rendimentit do t’u mundësonte fermerëve të ardhura më të larta dhe më të qëndrueshme. Do t’i ndihmonte ata të përshtateshin me ndryshimet klimatike dhe të kontribuonin më pak në to. Ky sukses, që nuk është aspak i garantuar, do të mundësonte sigurinë ushqimore për aziatikët dhe për gjithë botën./ Monitor.al
Nga Konica.al