Kriza politike, delegacion i PE zbarkon të mërkurën në Tiranë

22 shkurt 2019

Të mërkurën në Tiranë do të mbërrijë një delegacion i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Një tur në Tiranë dhe më tej në Shkup, në një axhendë të paracaktuar prej muajit nëntor. Por ky delegacion tashmë e gjen Tiranën zyrtare në një situatë të trazuar politike, ku diskutimet nuk do të përjashtojnë krizën politike dhe ndikimin në procesin integrues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Delegacioni përbëhet nga deputetë të grupimeve të ndryshme politike të Parlamentit Europian, të cilit do të takojnë kryeministrin Edi Rama, ministrin e Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, si dhe liderët e opozitës, kryedemokratin Lulzim Basha, dhe kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi.

Gjithashtu, delegacioni do të takohet me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, si dhe dy përfaqësues të shoqërisë civile.

Opozita shqiptare ka shkuar drejt vendimit për djegien e mandateve, ndërsa nga ndërkombëtarët janë bërë thirrje të shumta dhe të ashpra për tërheqje, si vendim ekstrem që cënon jo vetëm demokracinë e vendit por mbi të gjitha procesin e integrimit evropian.

o.j/dita