Kriza politike në Shqipëri, ambasadori bullgar:  Megjithatë unë mendoj që nevojitet një dialog që të gjendet një zgjidhje më e mirë që të respektohet vota dhe dëshira e çdo shtetasi shqiptar.

24/04/2019.

Ambasadori i Bullgarisë në vendin tonë Momchil Stoyanov Raytchevski ka folur për krizën politike, duke thënë se ajo përbën një shqetësim për të gjitha vendet anëtare të BE-së.

“Vendimet për në BE merren nga të gjitha vendet anëtare. Situata në vendin tuaj është e trazuar dhe ne po e ndjekim situatën me kujdes. Edhe koleget e mi europianë japin mendimet e tyre . Përsa i përket negociatave drejt BE- së mendoj se akoma keni kohë.

Duhet të shohim raportin e Komisionit Europian. Çdo gjë është në dorën e qeverisë shqiptare dhe shtetit shqiptar. Unë jam optimist. Institucionet shqiptare duhet të bëjnë përpjekje që të plotësojnë kriteret. Duhet të përparojnë më shumë që të ketë rezultat. Sipas meje po ecin në drejtimin e duhur”, është shprehur Raytchevski.

I pyetur për PD e cila nuk do të hyjë në zgjedhje ambasadori përgjigjet: Këto janë çështje të brendshme. Nuk duhet të harrojmë që në shoqërinë demokratike parimi kryesor është dialogu. Vendimi nëse do të marrë pjesë në zgjedhje një parti apo jo është vendim i tyre . Megjithatë unë mendoj që nevojitet një dialog që të gjendet një zgjidhje më e mirë që të respektohet vota dhe dëshira e çdo shtetasi shqiptar.

/Sipas: Agjensia e Lajmeve Sot News/