Kriza politike/ Takimi me Metën, kryedemokrati Basha mbërrin në Presidencë. –

27 qershor 2019

Kreu i PD-se, Lulzim Basha ka mberritur ne Presidence.

Ne pergjigje te fteses se nje dite me pare te nisur nga Presidenti Meta, per takim ne zyren e tij, Basha eshte pergjigjur pozitivisht dhe ka mberritur ne zyren e kreut te shtetit ne oren 09:00. 

Meta bëri dje tentativën e fundit për t’i ulur kryetarët e dy partive më të mëdha në vend për të gjetur një zgjidhje për krizën politike.

Nëpërmjet një letre dërguar Kryeministrit Rama, Meta e ftoi atë për një takim në Presidencë. Të njëjtën gjë ai bëri edhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

LETRAT

Në letrën dërguar Kryeministrit Rama, Presidenti thekson se e pret atë në takim ditën e sotme deri në orën 13:00. Letra është dërguar nga shefi i kabinetit të Presidencës, Arben Cici, në drejtim të shefes së kabinetit të Kryeministrisë, Vali Bizhga, ku i theksonte se: “Dëshiroj t’ju bëj me dije se Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mirëpret nesër (sot), datë 27 qershor 2017, në një takim Kryeministrin Edi Rama për të biseduar për situatën politike në vend, në çdo dorë që ai mundet, duke filluar nga mëngjesi herët ora 05:00 deri në orën 13:00, në zyrën e tij në Presidencë. Ju lutem, bëjeni me dije Kryeministrin për sa më sipër. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, mbetem në pritje të përgjigjes suaj”.

Të njëjtën letër Meta i ka dërguar edhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ku takimi me shefin e opozitës ka nisur pikerisht sot në orën 09:00.

REPLIKAT

Pavarësisht ftesës së bërë nga ana e Presidencës për të diskutuar për situatën politike në vend, Kryeministri Rama iu përgjigj Metës nëpërmjet rrjetit social “Twitter”. Ai theksoi se nuk do të shkojë në takim te Meta, për shkak se është në fushatë zgjedhore.

“Për shkak të fushatës elektorale që po zhvillohet sipas dekretit presidencial, ku 30 qershori është përcaktuar datë zgjedhjesh, kabineti im ka komunikuar telefonikisht pamundësinë për këtë takim. Po meqë Ilir Meta vazhdon të luajë letrash, ja dhe me shkrim: Kemi zgjedhje, jam i zënë. E meqë ra llafi te loja e letrave të Ilir Metës, ju kam thënë pas antidekretit se pas asaj çmendurie pres edhe një tjetër. Seç kam një ndjesi që do ta bëjë, po për këtë do flasim nga e hëna e më tej se tani kemi vetëm një punë: Zgjedhjet në 30 qershor”, theksoi kreu i qeverisë në reagimin e tij.

Pavarësisht kësaj, institucioni i Presidencës nëpërmjet zëdhënësit Tedi Blushi rikonfirmoi qëndrimin e Presidentit për ta pritur Kryeministrin Rama në takim deri në orën 13:00.

“Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka ftuar zyrtarisht në takim kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e Partisë Demokratike për të biseduar për situatën politike në vend. Takimi me z.Basha është fiksuar të zhvillohet nesër në orën 09:00. Duke qenë në dijeni që z.Rama është i zënë me takime, Presidenti do të jetë nesër në zyrë nga ora 05:00 deri në orën 13:00, duke pritur sërish që Kryeministri të gjejë kohë”, thuhet në reagimin e Presidencës. Por ky qëndrim i Presidentit për ta pritur kreun e qeverisë deri në orën 13:00 besohet se bëhet për shkak se Meta është duke menduar caktimin e një date të re zgjedhjesh, që për maxhorancën është e papranueshme.

Kujtojmë që Presidenti Meta më parë zhvilloi disa takime konsultative me disa parti politike, opozitare dhe ato në koalicion, si dhe Partinë Socialiste, për të caktuar një datë të re zgjedhjesh pas anulimit të 30 qershorit me dekret. Por PS-ja ka theksuar se dekreti për anulimin e 30 qershorit është i pavlefshëm dhe për këtë ka vijuar fushatën elektorale.

Gazeta Panorama