Krizë çmimesh. – Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit tenderon miliona euro për shërbime të çuditshme!
Rritja e çmimeve ka rritur edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit. Vetëm për katër muaj, në arkën e qeverisë kanë hyrë 284 milionë euro më shumë së sa e njëjta periudhë e një viti më parë, dhe gati 100 milionë euro më shumë se sa plani i buxhetit 2022.
Por, këto para duket se nuk po shkojnë për të mbështetur shtresat e prekura nga rritja e fortë e çmimeve. Agjencitë qeveritare po hapin lumë tenderësh nga më të çuditshmit për shërbime që nuk kanë të bëjnë fare për përballimin e krizës. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj po prokuron gati 18 milionë euro brenda pak muajsh për përmirësime shërbimesh elektronike. Skema e preferuar nga AKSHI është nëpërmjet procedurave teknike, të cilat kuptohen pak ose aspak nga publiku i gjerë.
Më 20 maj, kjo agjenci ka hapur një tender rreth 3 milionë euro për përmirësimin e sistemit të gjobave të Policisë Rrugore, integrimi me radarët e shpejtësisë dhe plotësimi me tableta për Policinë e Shtetit. Se sa e domosdoshme është një ndërhyrje e tillë nuk saktësohet në dokumentet e tenderit, por e sigurt është që aktualisht çdo polic rrugor e mëson në kohë reale sa gjoba ka secila targë pa pasur nevojë për këto përmirësime me vlerë 3 milionë euro.
Ndërkohë, përmes një tenderi të hapur më 17 maj, do të shpenzohen rreth 820 mijë lekë për sistemin e hartës digjitale për hapësirat publike të mbuluara me kamera sigurie në rang vendi. Por nuk mbaron këtu, pasi AKSHI ka menduar të shpenzojë 1,5 milionë euro të tjera, për përmirësimin e regjistrit elektronik të vaksinimit, për Institutin e Shëndetit Publik.
Tenderi është hapur më 16 maj, ndërkohë një sistem i tillë në ISHP është instaluar dhe është aktiv që në vitin 2011. Seria e tenderëve të agjencisë së drejtuar nga Mirlinda Karçanaj, vazhdon me prokurimin prej 960 mijë euro të hapur më 12 maj për përmirësimin e sistemit të regjistrimit të targave të huaja. Në 4 maj, është hapur tenderi prej 1,7 milionë euro për përmirësimin e sistemit të gjendjes civile, ndërsa në 29 prill është hapur tenderi prej 1,4 milionë për sistemin elektronik të menaxhimit të vizitave dhe hyrje-daljeve në burgje.
Prokurimet vijojnë me tenderin e shpallur më 26 prill nga AKSHI me vlerë 1,1 milionë euro për “Përmirësimin e sistemit LIMS”, për Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë. Po më 26 prill, është hapur një tjetër tender i majmë prej 2,2 milionë euro për “Ngritjen e Qendrës së Operimit dhe Monitorimit eGov”. Në 24 mars, AKSHI ka çelur tenderin mbi 1,3 milionë euro për mirëmbajtjen e sistemit Informatikë të Menaxhimit Financiar, ndërsa 16 shkurti ka qenë data e hapjes së tenderit rreth 1,2 milionë euro për “Përmirësimin e Sistemit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore”. Mes këtyre tenderash, ka edhe prokurime të tjera nën 1 milion euro të zhvilluara nga AKSHI, duke e çuar totalin e faturës nga shkurti në maj në gati 18 milionë euro.
KOMPANITË
Në tenderin e mbyllur në mars 2022 do të jepen rreth 800 milionë lekë të tjera për rikontrollin e disa standardeve ndërkombëtare ISO dhe auditimi për konformitet ndaj “eIDAS” për shërbimet e besuara. Fitues është shpallur “FIRST” sh.p.k. Ndërsa në tenderin e mbyllur në fund të prillit do të jepen rreth 600 milionë lekë për “Infosoft Systems” sh.p.k. dhe “I kub INFO” sh.p.k. për mirëmbajtjen e 209 shërbimeve elektronike në portalin “e-Albania”. Po i njëjti bashkim operatorësh ka fituar në mes të marsit të këtij viti edhe tenderin për mirëmbajtjen e sistemit për dokumentet elektronike, duke ofruar gati 820 milionë lekë. Për “rinovimin e mirëmbajtjes së sistemeve të sigurisë të implementuara pranë AKSHI-t” do të shpenzohen afro 1,3 miliardë lekë, apo mbi 1 milion euro.
Tenderi i marsit të këtij është fituar nga “IMPACT” sh.p.k. Por, paratë e taksapaguesve shqiptarë që derdhen lumë nga AKSHI nuk i ka mjaftuar kësaj agjencie qeveritare për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve.
SHËRBIMET
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, shpjegoi pak kohë më parë lehtësitë që sjell kalimi nga sportelet fizikë në ato online për qytetarët. “Të gjitha aplikimet që deri tani nuk dihej fare kur e merrje përgjigjen, do të jenë me nënshkrim elektronik ose vulë elektronike, por dhe do të monitorohen në kohë reale.
Nga eksperienca e deritanishme dhe nga shifrat, ne flasim me shifra, pensionistët e kanë përdorur platformën ‘e-Albania’ shumë mirë. Në pandemi ishin përdoruesit kryesorë dhe rezervonin javët e tyre për dalje. Aplikimet për pensione arritën në 1.6 milionë përdorime të këtyre shërbimeve që bëhen nga moshat e treta, fermerët e moshuar gjithashtu që aplikojnë në ‘e-Albania’”, është shprehur Karçanaj.
Gazeta Shqiptare