Kroacia lobim në SHBA: Jo ndryshim kufijsh. Ish-zyrtari i OKB: Projekti Thaçi-Vuçiç, ide mesjetare . –
Kroacia lobim në SHBA: Jo ndryshim kufijsh. Ish-zyrtari i OKB: Projekti Thaçi-Vuçiç, ide mesjetare . –
Teza e ndarjes së territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, mbi të cilën po negociojnë Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, ka vënë në alarm vendet e rajonit, por jo vetëm. Kroacia, vend anëtar i Bashkimit Europian dhe një nga shtetet që ka probleme serioze me Serbinë ka nisur një fushatë lobimi kundër projektit të rishikimit të kufijve.
Ministrja e Jashtme e Kroacisë, Marija Pejcinovic Buric, ka zhvilluar këto ditë një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ka takuar drejtuesit kryesorë të diplomacisë amerikane. Buric është takuar me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Në njoftimin për media të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se veç çështjeve bilaterale SHBA-Kroaci, temë e takimit ka qenë dhe situata në rajon dhe roli i Kroacisë në Ballkan.
DASH nuk jep detaje konkrete për diskutimet në rajon, por Ministria e Jashtme e Kroacisë, në njoftimin publik thekson se “temë e bisedës kanë qenë edhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Kryediplomatja kroate, sipas njoftimit, ka theksuar rëndësinë e arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme që nuk do ta cenojë stabilitetin e rajonit dhe që do të marrë parasysh dhe implikimet tjera të sigurisë jashtë kufijve të rajonit.
Kroacia është ndër vendet që ka kundërshtuar idenë e ndarjes duke e parë këtë proces si nisjen e një situatë që do të prodhojë destabilitet në rajon. Projekti i rishikimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, për diplomacinë kroate shihet si sinjali se Beogradi do të kryejnë të njëjtin proces edhe në Bosnje. Por në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk ka vetëm serbë, por edhe kroatë, gjë që do të komplikonte gjithë zhvillimet në rajon lidhur me pozicionin e palëve.
Ndaj dhe tema e korrigjimit të kufijve ka ndryshuar gjithë prioritetet e diplomacisë aktuale të vendeve të rajonit. Për këtë temë, ministrja kroate ka diskutuar edhe më Mira Ricardel zëvendëse e John Bolton, Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit Trump. Kujtojmë që Bolton është i vetmi zyrtar amerikanë që nuk ka refuzuar idenë e shkëmbimit të territoreve. Kroacia është ndër vendet e para në rajon që ka dalë qëndrim kundër ndryshimit të kufijve. Kjo është bërë e ditur javë më parë gjatë takimit të Kryeministrit të Kroacisë me Kancelaren e Gjermanisë
Ideja e propozuar nga presidenti serb dhe ai i Kosovës është kundërshtuar me fortë nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë që në këto 20 vite kanë qenë të përfshirë në procesin e pavarësisë së Kosovës. Albert Rohan, i dërguari i OKB-së në vitin 2007, që bashkë me Marti Ahtisaarin hartuan statusin të Kosovës që solli pavarësinë e saj, ka kundërshtuar gjithë idetë e fundit që vijnë nga Beogradi dhe nga një pjesë e vogël e politikës në Prishtinë.
Në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, Rohan shprehet se idetë e ndarjes së Kosovës janë mesjetare dhe fisnore. Ai ka thënë se kjo zgjidhje që mund t’i konvenojë Rusisë, por jo BE dhe vendeve të tjera. Rohan ka kërkuar që shtetet e tjera duhet të jenë të qarta si Gjermania e cila është kundër ndryshimit të kufijve. Në gazetën austriake Rohan thotë se ideja e presidentit Thaçi është në kundërshtim me planin e Ahtisarit dhe gjithashtu edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kundër kësaj ideje të dyshes Thaçi-Vuçiç janë kryeministri i Kosovës, Haradinaj e krejt opozita kosovare, është kundër Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama. Sikurse edhe ish-kryeministri Berisha, që deklarohet kategorikisht kundër projektit për rishikim të kufijve.