Kryebashkiakut i Shkodrës urdheron te shkrihen: – Drejtoria e Shërbimeve Bujqësore dhe Pyjore, Teatri “Migjeni”, Drejtoria Ekonomike e Arsimit, Drejtoria e Çerdheve dhe Kopshteve dhe Dega Ekonomike e Kulturës,
26 Janar 2024
Urdhëri i kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për shkrirjen e 4 institucioneve në varësi të bashkisë Shkodër, si Drejtoria e Shërbimeve Bujqësore dhe Pyjore, Teatri “Migjeni”, Drejtoria Ekonomike e Arsimit, Drejtoria e Çerdheve dhe Kopshteve dhe Dega Ekonomike e Kulturës, ka sjellë reagimin e opozitës, ku Eliona Kodra Shkreli, anëtare e Këshillit Bashkiak Shkodër, me anë të një reagimi në rrjetet sociale e quan urdhërin e Becit si një veprim për të pasur nën kontroll gjithçka, sipas saj duke centralizuar pranë stafit të tij vendimet për Shkodrën.
Ajo thotë mëtej se sot Shkodra ka rënë në duart e një të ardhuri i cili po zbaton me përpikmëri udhëzimet e partisë, që shfaq çdo ditë fasada e propagandë në rrjetet sociale.
Reagimi i plotë:
“Me një të rënë të lapsit, firmos e vulos shkrirjen e disa drejtorive të rëndësishme që kanë funksionuar deri tani në institucionin e Bashkisë Shkodër. E gjitha bëhet për të pasur kontroll absolut mbi gjithçka dhe duke centralizuar pranë stafit të Tij të ngushtë vendimet për Shkodrën.
‘Buxheti I Turpit’ që u miratua vetëm me votat e mazhorancës më 29 dhjetor, sjell pasojat e shkarkimeve nga detyra dhe largimeve nga puna të demokratëve shkodranë për t’i zëvendësuar me militantë, patronazhistë, servilë dhe aktivistë të partisë.
Pa asnjë dhembje për varfërinë që karakterizon banorët e kësaj bashkie dhe pa iu dridhur dora e djathtë, Benet Beci, firmos me vetëdijen e plotë, largime nga puna dhe heqjen e rrogave për disa familje të Shkodrës (numri I të cilave do shihet në vijim të ditëve). Imagjinoni që mes të shkarkuarve mund të jenë kryefamiljarë që mbajnë familjen vetëm me ato rroga qyqmane, që s’dalin as për pagesat e faturave të dritave e të ujit, e që prej kësaj dite do mbeten edhe pa këto të ardhura duke vështirësuar mbijetesën e tyre.
‘Urrejtja’ politike është aq e pashpirt sa nuk pyet as për varfërinë e as për të ardhmen e banorëve, të cilët rilindasit I shohin si numra të djathtë e jo si individë apo banorë me kontribut në këtë qytet.
Shkodra sot ka rënë në duart e një të ardhuri I cili po zbaton me përpikmëri udhëzimet e partisë, që shfaq çdo ditë fasada e propagandë në rrjetet sociale së bashku me rrethin e tij të servilëve, që zgjerohet përditë e më shumë. Një I ardhur që nuk e njeh Shkodrën, që s’njeh zakonet e as traditat, që s’njeh rrugët e rrugicat, që s’njeh njerëzit dhe dialektin, normalisht që do sillet në këtë mënyrë, sepse (siç po e tregon çdo ditë me veprimet e Tij) ka ardhur për të shkatërruar atë që është ndërtuar në gjithë këto vite.
Nuk çuditem me stafin e tij nga Tirana, por çuditem shumë me socialistët shkodranë, me kolegët e mi në këshill të cilët pa iu dridhur dora ngritën kartonin jeshil të miratimit duke ligjëruar papunësinë e shkodranëve të tjerë, bashkëbanues të të njëjtit qytet.
Çuditem me qytetarët shkodranë, për indiferentizmin që tregojnë, për mosreagimin ndaj padrejtësive dhe mungesës absolute të transparencës së Bashkisë Benetiane.
Heshtja është pranim në vetvete të përdhosjes dhe shtypjes.
Sot u vulos shkrirja e tempullit të kulturës, “Nderit të Kombit”, teatrit “Migjeni”. I gjithë ai show me konkurse transparente, të shitura në mediat e kryebashkiakut si një vizion ndryshe i emërimit me meritokraci të drejtuesve, u ‘shëmb’ nga urdhri I sotëm që shkrin mitin e transparencës.
Prej sot, gjithçka do kontrollohet nga sunduesi dhe ushtarët e Tij besnikë, do largohen nga puna demokratë dhe ata që s’bëjnë pjesë në oborrin Rilindas…por sigurisht ka kohë për pendesë…Dyert do mbeten të hapura për ata që do I binden urdhrave të partisë dhe që do I bashkohen idealeve rilindase, siç ka ndodhur në këto 8 muaj të qeverisjes Beci.
Respekt për qëndrestarët, ndërsa të ‘penduarit’ do marrin atë që kanë korrur në një kohë të shkurtër sepse epoka Benetiane nuk është e pafundme, do përfundojë shpejt dhe nëse vazhdon kështu, fundi do jetë me faqe të zezë.”, shkruan këshilltarja e PD në Bashkinë Shkodër.
Gazeta Sot