Kryemadhi: – LSI aspiron për të qenë forcë e pare.

  • Fushata jonë ka filluar që me djegien e mandateve.

28/03/2021

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një intervistë për ABC News ka folur për fushatën elektorale dhe objektivin e opozitës në këto zgjedhje. Kryemadhi u shpreh se fushata e opozitës ka nisur që pas djegies së mandateve dhe për shkak të pandemisë, takimet nuk janë masive, por zhvillohen në çdo shtëpi.

Pjesë nga intervista e kryemadhit për ABC News

Gazetari: Janë gazetarët të cilët po ndjekin politikanët të cilët ndryshe nga herët e tjera në takimet klasikë po zhvillojnë takime më të vogla. Si është kjo fushatë për ju?

Kryemadhi: Për LSI ka qenë më e lodhshme për kandidatët sepse janë të detyruar që t’i bëjnë takimet të grupuara dhe të vogla. Për shkak sepse gjobiten vetëm kandidatët e LSI, vetëm ambientet që ia lënë në dispozicion LSI por kjo nuk e ka ndaluar, vetëm ka shtuar ritmin e kandidatit, për të hyrë në shtëpi, për t’u takuar me njerëz në mënyra më individuale ndryshe nga mitingjet e mëdha që në shumicën e rasteve kanë qenë konsumim energjish, njerëzish dhe po të njëjtët njerëz që janë votues të tutë, ti i konsumon dhe i nxjerr në një takim të madh dhe harxhon energji dhe kohë. Faktikisht pandemia ia ka krijuar mundësinë LSI sepse LSI punon shtëpi më shtëpi. Është një strukturë që është në mikro. Ne e lidhim dhe e identifikojmë problematikat që kanë qytetarët, problematikat që kanë njerëzit. Me problematikat që kanë të rinjtë dhe të rejat. Ne sot jemi këtu në Gramsh dhe një nga problematikat më të mëdha që ka qyteti i Gramshit është jo vetëm shpopullimi, jo vetëm papunësia por dhe grabitje e pronës. Ju besoj e dëgjuat dhe më përpara thoshte edhe pse më është premtuar gjatë gjithë kohës edhe pse i kam dokumentet edhe pse i kam vendimet e gjyqit, asnjëherë nuk zbatohen. Rama ka menduar që duke bërë këtë gjë do ta dëmtonte LSI ose opozitën por në fakt ka bërë që jo vetëm LSI por dhe çdo njeri tjetër që do të punojë për njerëzit të shkojë dhe të punojë shtëpi më shtëpi me qytetarët dhe me votuesit.

Gazetari: Mungesa juaj apo e funksionarëve të lartë të LSI në mitingun e PD. Ju jeni me lista të ndara por jeni një koalicion. Përse ky vendim?

Kryemadhi: Dua të theksoj që mitingu sepse e pata dhe një debat me disa gazetarë të tjerë ai ishte mitingu i prezantimit të kandidatëve të PD dhe të aleancës së tyre ndërkohë që ka akoma dhe 29 ditë që na ndajnë, do të vazhdojmë akoma secili në axhendat tona politike individuale por ndërkohë që njerëzit në terren qoftë të LSI, PD apo AN janë në kontakt me njëri tjetrin. Unë mendoj që ajo ishte një aktivitet simbolik i PD sepse gjëja kryesore që është sot është që fushata e opozitës ka nisur që në momentin që ne kemi djegur mandatet. Nuk ka nisur në kohën që ne mund të jemi në aspektin po ta quajmë zyrtar siç ka qenë më para. Djegia e mandatave të LSI dhe gjithë opozitës ka qenë sipari i hapjes së fushatës elektorale të cilat kanë një datë tashmë, kanë 25 prillin që nuk është shumë larg, është 29 ditë.

Gazetari: Ka një synim LSI në këto zgjedhje? Është prioritet marrja e sa më shumë mandatave apo të jetë forcë qeverisëse?

Kryemadhi: Synimi i LSI është të mbajë fjalën në angazhimet e veta në 5 prioritetet kryesore të cilat janë të premtuara nga LSI për tu realizuar në 5 muajt e parë të qeverisjes. Nuk është çështje mandatesh apo pushteti. Prioriteti i LSI është kthimi i të rinjve dhe të rejave në Shqipëri, krijimi i vendeve të reja të punës. Krijimi i vendeve të punës me pagë të mirëpaguar dhe rikthimi i normalitetit dhe rikthimi i klimës së biznesit për zhvillimin e ekonomisë dhe aq më shumë procesi i hapjes së negociatave sepse mendojmë që integrimi evropian për Shqipërinë është shumë i rëndësishëm.
Duke pasur parasysh që 99% e shqiptarëve duan të jenë anëtarë të Bashkimit Europian. Se sa është objektivi i LSI-së, të jeni të bindur dhe normal që LSI aspiron për të qenë forcë e parë. Del në luftë dhe në garë qër të qenë forcë e parë, por janë qytetarët ata që do ta vendosin me votën e tyre. Di të them që në të gjitha takimet që ne bëjmë, në të gjitha bisedat që kemi me qytetarët, shikojmë një inat mund të themi, një urrejtje, gjë që më vjen shumë keq për Rilindjen sepse nuk i ka mbajtur premtimet.
Unë isha në Belsh dhe kur pashë kryetarin e Shoqatës së Duhanit, kishte një fletëpalosje të 2013, ku Rilindja angazhohej jo vetëm për krijimin e 150 mijë vendeve të reja të punës në fshat, por kishte edhe për dhënien e tapisë 4 vjeçarin e parë, gjë që as njëra as tjetra nuk u bë, as në 4 vjeçarin e parë e as në të dytin. Në 4 vjeçarin e parë kemi parasysh që ne për ato angazhime që ne morëm përsipër i qëndruam. Po marrim rastin e Gramshit, ju e patë vetë kur erdhët këtu, ajo rrugë është bërë nga LSI. Edhe në debatin që ka pasur në Parlament, edhe në debatin që është diskutuar në komisione, rruga Cërrik-Gramsh është bërë me iniciativën e LSI-së, deputetin e zonës në atë kohë zotin Edmond Haxhinasto, së bashku me Dashamir Xhikën, që ka qenë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të rrugëve, të cilët bënë rrugën për të ardhur në Gramsh.
Çfarë ndodh? Rilindja mund të thotë kemi bërë këtë e këtë, por faktikisht po të shikosh diskutimet që janë bërë në Parlament, do të shikosh që deputetët e Rilindjes, atë po diskutonim edhe me grupin e mediave për të nxjerrë arkivat sesi deputetët e Rilindjes votonin kundër. Edhe deputetët e zonës, edhe të Gramshit e të Cërrikut, votonin kundër ndërtimit të rrugës Cërrik-Gramsh. Ndërkohë që ne si LSI qëndruam fort dhe e realizuam. Për të mos vazhduar pastaj për angazhimet e njerëzve, që e tha edhe profesor Ladi, edhe pse në fakt nuk do të më takonte mua ta thoja këtu, që qyteti i Gramshit sot ka 24 orë ujë për shkak të fjalës së dhënë dhe që e mbajti Ilir Meta në atë kohë kur ishte kryeministër i Shqipërisë dhe sot Gramshi është me ujë.
Për të folur pastaj për pallatin që u dogj në Gramsh, që nuk u mor përsipër jo vetëm për t’i ndihmuar, por as dokumentat, as lejen e ndërtimit nuk ua jepnin për të bërë pa këto pagesat, këto tarifat e tmerrshme që ka vënë Edi Rama për të ndërtuar një çati, për të ndërtuar një dritare, për të rregulluar një fasadë, duhet të paguash paratë e dynjasë. As atë nuk ua jepnin qytetarëve të Gramshit që iu dogj pallati dhe LSI në shenjë solidariteti në bashkëpunim me të gjithë biznesmenët e Gramshit, me njerëz dashamirës, e ndërtuan dhe e bënë këtë gjë.
Pra janë disa gjëra, kur sot qytetarët vendosen përballë dy alternativave. Një alternativë e asaj që ka premtuar dhe jo vetëm që nuk ka realizuar asgjë, por u ka grabitur edhe ëndrrat e tyre. Dhe një alternativë tjetër që fjalën që e jep, e mban deri në fund dhe e realizon atë. Pra sot ata që nuk mbajnë premtimet t’i ndëshkojnë me votë dhe ata që mbajnë premtimet t’i vlerësojnë me votë. Dhe unë e ndjej këtë, pavarësisht se këtu presioni është i jashtëzakonshëm nëpërmjet ndihmës ekonomike, ku familje të tëra janë me ndihmë ekonomike dhe i kërcënojnë, apo familje mjaft të varfra që nuk i japim kempin, apo duke i kërcënuar me problematika të tjera.
Ka probleme pafund, por 25 prilli do t’i japë fund këtij lloj presioni, sepse vërtetë në pamje të jashtme, ditën për diell, kur shikojnë që kanë policinë rreth e qark, spiunët, e të tjerë e të tjerë, janë nën presion. Pandemia na e ka krijuar këtë mundësi, reagimi i tyre është i jashtëzakonshëm dhe në fakt një nga detyrat tona si LSI është që ne duhet të ulim gjuhën e urrejtjes kur flasim me njerëzit, sepse njerëzit kanë një urrejtje jashtëzakonisht të madhe edhe për pushtetin vendor, edhe për atë qendror, sepse jo vetëm i kanë gënjyer, por edhe i kanë shfrytëzuar dhe i kanë denigruar, më pas edhe i kanë flakur në rrugë njerëzit.

Gazeta Koha e Jone