Nga Elmas Bogdani

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është një lojtare e dorës së parë në politikën e lartë shqiptare. Ajo ka qenë pjesëmarrëse aktive ose, më së paku, e pranishme kur Edi Rama dhe qeveria e tij hartuan aferat që po shpërthejnë një nga një nga SPAK, që nga koncesionet në shëndetësi dhe deri te inceneratorët. Pasi SPAK e akuzoi pak ditë më parë për korrupsion, fshehje pasurie e pastrim parash dhe i futi në burg ish-bashkëshortin, Kryemadhi ka dhënë disa mesazhe të koduara për kryeministrin Edi Rama.

Dje deputetja ka paralajmëruar se do të zbulojë të gjitha aferat që ka dijeni. Teksa u paraqit në orën 12:00 në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje”, Kryemadhi nënkuptoi gjatë komunikimit me gazetarët se ajo është fija që fundos Edi Ramën. “Do të njiheni me të vërtetat e Monika këmbësores dhe satelitëve të Shqipërisë. Po patjetër që ka vlerë çdo gjë. Fija që e zbres me këmbë në tokë jam unë, Monika Kryemadhi. Me Metën nuk kam mundur që të komunikoj”, tha deputetja.

Akuzat në distancë me Ramën

Kryemadhi deklaroi pak ditë më parë se ka shumë komunikime me kryeministrin Edi Rama dhe ministra të PS-së, që sipas saj, SPAK i ka hequr në dosjen kundër saj.

“Jam shumë kurioze dhe ta dijë a do t’i nxjerrin ato mesazhe që kam unë me Endri Fugën, me Edi Ramën, me Saimir Tahirin, me Taulant Ballën, me Mimi Kodhelin, me Milena Hariton. Megjithëse unë atë kohë, me thënë të drejtën, dashuri me ministrat e PS-së kam pasur, se me ministrat e LSI-së kam qenë në konflikt të hapur”, deklaroi Kryemadhi në një konferencë për mediat.

Madje ajo tha se “peshku i madh” në telefonin e saj është Edi Rama. I pyetur në emisionin “Opinion” se çfarë ka biseduar me ish-kryetaren e LSI-së, Rama u shpreh se nuk debaton me njerëz që janë në hall. Rama tha se nuk ka probleme të kësaj natyre pasi nuk është vetë në hall nga këto mesazhe. Ai u shpreh se nuk ka asnjë njeri që mund të dalë dhe të thotë se e ka vjedhur. Prandaj këtë histori e konsideron si një histori “lehaqensh”. I menjëhershëm ishte reagimi i Monika Kryemadhit pas qëndrimit të Ramës. “Pa merak o satelit pa bisht se ne këmbësorët ta kemi fijen për të të sjellë me këmbë në ‘tokë’”, u shpreh Kryemadhi në rrjetet sociale.

“Pa merak o satelit pa bisht se ne këmbësorët ta kemi fijen për të të sjellë me këmbë në “tokë””. E pikërisht këtë reagim, Blendi Fevziu ia lexoi kreut të qeverisë live në studio. Por fjalët e Kryemadhit, për Edi Ramën nuk tregojnë asgjë tjetër veçse degradim të bisedës dhe gjuha e saj tregon se ajo është në hall sipas tij. “Ça është kjo tani. Pse na e degradon këtë bisedë se të vjen një letër nga. E dëgjon tani çfarë gjuhe, ata janë njerëz në hall”, u shpreh Rama.

Por ç’ka telefoni i Monika Kryemadhit?

Nga bisedat që kanë mundur të marrin nga ky aparat celular, SPAK ka ngritur një dosje të tërë për çiftin Meta-Kryemadhi, duke ngritur 3 akuza penale për të dy; korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Teksa shkonte në SPAK, Kryemadhi është shprehur se në telefoni i saj nuk ka pasur asgjë tjetër veç “dashuriçkave dhe thashethemeve” që ka bërë me vetë kryeministrin Edi Rama dhe ministrat socialistë. Kryemadhi këto ditë ka implikuar drejtpërdrejt Edi Ramën në dosjen e SPAK, ku përmendi edhe shefen e kabinetet të zotit Rama, Vali Bizhga në ligjin për minierat që favorizoi oligarkun Samir Manen.

Aferat e përmendura në dosjen e SPAK për Metën e Kryemadhin, që përfshin miliona euro dhe favore të dyshimta oligarkun Samir Mane dhe për biznesmenin Ardian Shatku, ka nxjerrë në pah mënyrën sesi institucionet janë përdorur për përfitime të paligjshme. Si Meta, ashtu edhe Rama kanë qenë bashkë në qeveri kur këto pazare e afera kanë ndodhur apo kanë mbetur në tentativë, që do të thotë se përveç ish-presidentit dhe zonjës Kryemadhi, edhe kryeministri Rama duhet të japë llogari para drejtësisë. Vetë zonja Kryemadhi ka konfirmuar ato që thotë SPAK, ndërsa implikon në afera e pazare edhe zotin Rama, pasi ky i fundit ka qenë në dijeni të favorizimeve që po i bëheshin biznesmenëve Shatku dhe Mane.

Gazeta Sot