Kryemadhi: -Një përgjim skandaloz ndodhet në duart e opozitës, do të jetë shkatërrues për qeverinë, ku rrezikohet jo vetëm politikisht mazhoranca por edhe koka të mëdha. –
Kryemadhi: -Një përgjim skandaloz ndodhet në duart e opozitës, do të jetë shkatërrues për qeverinë, ku rrezikohet jo vetëm politikisht mazhoranca por edhe koka të mëdha. –
Skandalet e fundit që faktojnë përfshirjen e zyrtarëve qeveritarë në vjedhjen e votave dhe bashkëpunimin me bandat e drogës nuk i kanë lënë rrugë tjetër opozitës veçse të thërrasë në protesta qytetarët. Apeli për tubime mbarëpopullore është bërë dje nga kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.
Në një takim të zhvilluar me strukturat e partisë në Qarkun e Durrësit, Kryemadhi deklaroi se rruga dhe mënyra e vetme e reagimit të opozitës tashmë është zhvillimi i protestave mbarëpopullore. Kryemadhi, që drejton dhe partinë e dytë më të rëndësishme në Frontin Opozitar largoi dje çdo diversion lidhur me qëndrimin e partive opozitare. Ajo deklaroi se opozita është e bashkuar përballë një kryeministri arrogant dhe shkelës të ligjit e të lidhur me bandat kriminale. Përgjigja e vetme mbetet thirrja e protestave mbarëpopullore kundër tij, theksoi Kryemadhi.
“Bashkëpunim në të gjitha nivelet me partitë opozitare. Opozita është bashkë kundra këtij kryeministri. Politika e Rilindjes mbolli varfëri dhe krim në vend ndaj dhe rruga e vetme e largimit të Ramës është protestat mbarëpopullore”,-deklaroi Monika Kryemadhi. Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë që në ditët e para të opozitës për një linjë më të ashpër reagimi ndaj qeverisjes së Edi Ramës.
Pas skandaleve të fundit qeveritare duket se dhe partia më e madhe në opozitës po afrohet në linjën e reagimit të ashpër dhe frontal përplasës. Kështu mund të interpretohet edhe deklarata e djeshme e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. I pranishëm në protestën e banorëve që kundërshtojnë projektin e qeverisë për Unazën e Re, Lulzim Basha deklaroi se Partia Demokratike dhe opozita është në krah të çdo proteste të ligjshme. Duke e cilësuar projektin e bashkisë të jashtëligjshëm dhe masën e dëmshpërblimit që ka vendosur qeveria për banesat që do shemben si qesharake, Basha tha se “banorët kanë të drejtë të protestojnë në çdo lloj mënyre”.
Me këtë deklaratë Basha ka legjitimuar dhe protestat me bllokimin e rrugëve dhe djegien e gomave. “Prandaj ashtu si Teatri Kombëtar është vijë e kuqe edhe këtu dy herë vijë e kuqe për Partinë Demokratike dhe për opozitën. Në kushtet e shembjes së shtetit ligjor dhe dhunimit të të drejtave të tyre, këta qytetarë kanë të drejtë të bëjnë gjithçka për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Partinë Demokratike, Lulzim Bashën dhe opozitën do t’i kenë në krah”, – deklaroi kreu i PD-së.
Në protestën e banorëve të “Astirit”, e cila zgjat prej 12 ditësh, të pranishëm kanë qenë deputetët e PD dhe LSI. Mënyra sesi qeveria do të menaxhojë problematikën e banorëve në këtë zonë do të përcaktojë dhe reagimin e opozitës. Por protesta te “Astiri” është vetëm një nga “fitilat” që mund të ndezë shpërthimin e opozitës. Skandalet me dosjet e përgjimit të zyrtarëve të lartë në qeveri si “Tahiri”, “Dako” etj, janë disa çështjet e nxehta tek të cilat opozita është investuar në gjithë muajt e fundit. Ndërkohë që siç premton PD, janë dhe të tjera përgjime dhe skandale që do të dalin në ditët në vijim.
Një përgjim skandaloz që ndodhet nga dje në duart e opozitës do të jetë shkatërrues për qeverinë, ku rrezikohet jo vetëm politikisht mazhoranca, por ka mundësi që të ketë koka të mëdha të cilat do arrestohen, edhe po të dojë prokuroria ti mbrojë, sepse janë me foto, video dhe dosje nga shërbimet partnere.