Kryeministri dhe akti i paprecedentë i fshirjes së një VKM-je! –
Kryeministri dhe akti i paprecedentë i fshirjes së një VKM-je! –
Nga Bedri Islami.
Dita boton disa detaje se si Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, më 27 shkurt të këtij viti vendosi pezullimin e procesit të dhënies së titujve të tokave bujqësore të cilësuara si AMTP në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë, të cilat njihen si zona që kanë përparësi turizmin.
VKM-ja me numër 172 është miratuar. Fillimisht është mbajtur e fshehtë nga ana e qeverisë dhe nuk është publikuar në faqen zyrtare kryeministria.al. ku, si rregull dhe ligjërisht e sanksionuar, duhet të ishte bërë i njohur për të gjithë, në kohën e duhur. Vendimi, më pas, për një kohë të shkurtër është publikuar online në Fletoren Zyrtare, nga ku pas një kërcënimi të shefit të qeverisë greke është fshirë (!).
Në këtë shënim nuk po merremi me mbrojtjen apo hedhjen poshtë si të drejtë apo të padrejtë të asaj VKM-je, por me mënyrën skandaloze se si zyrtarët e lartë të qeverisë, mes tyre shefi i saj, përdorin detyrën dhe shtetin.
Nga njëra anë e bëjnë të plotfuqishëm dhe mbivendosës, ndërsa nga ana tjetër, e denigrojnë fuqinë e tij duke iu nënshtruar një presioni fqinjësh, të cilët, edhe kur vendimet e shtetit shqiptar kanë qenë plotësisht në të drejtën e tyre, kanë protestuar e gërthitur, janë çjerrë, kanë vënë kushte, kanë penguar, janë sterritur e kanë synuar të përfitojnë deri në çastin e fundit. Dhe ia kanë arritur.
T‘i marrim me radhë:
Pse qeveria tentoi ta fshihte fillimisht nga publiku VKM-në për bregdetin? A kanë bazë zërat se kjo VKM ka të bëjë me favorizime të reja për një kastë oligarkësh, klientë të rregullt tashmë të zyrës së Ramës e që kanë shtrirë duart edhe në bregdet, duke përfituar nga mbivendosje e vendime korruptive gjykatash? Nëse jo, e nëse ishte një vendim në favor të publikut, pse ngurroi qeveria ta bëjë publik? Pse e la në errësirë përmbajtjen e këtij vendimi shteti?
Së dyti, vendimi publikohet më pas në Fletoren Zyrtare duke u bërë kështu fakt i kryer. Por, ai nuk gjendet aty. Mungon. Pa asnjë vendim shfuqizues në mes! Asgjë! Thjesht fshihet një VKM nga Fletorja Zyrtare siç mund të hiqet një lajm që Ramës nuk i pëlqen nga portalet mediale të “kazanit”!
Dhe kjo ndodh pas reagimit të shefit të qeverisë greke, toneve kërcënuese të tij. Primari grek thotë se është i interesuar për pronat e minoritarëve, të cilët, në jo pak raste, kanë grabitur pronat e përbashkëta apo pronat e shqiptarëve. Kjo është tjetër histori.
Pavarësisht nëse vendimi është i drejtë apo jo, shteti shqiptar, institucionet e tij, kanë detyrën që ta mbrojnë atë që kanë bërë, ose ta shfuqizojnë sipas ligjeve.
Të dëshmojnë se në ndërmarrjen e tyre nuk janë nisur nga premisa etnike apo në dëm të minoritetit; në fund të fundit ato po trajtohen si të gjithë banorët e bregdetit shqiptar, që nga zonat turistike të Shkodrës dhe deri tek plazhet e Konispolit.
Por jo. As njëra, as tjetra. Presioni grek detyron shtetin shqiptar të bëjë veprimin e dytë të gabuar, të jashtëligjshëm, antikushtetues: fshirjen e paprecedentë të një VKM-je nga Fletorja Zyrtare!
Minoritarët në jug, si shtetas shqiptarë apo jo, nuk kanë më shumë të drejta se sa banorët autotoktonë shqiptarë, megjithëse zona ku protestohet më tepër, Himara është po ashtu autotoktone.
Duke qenë të njëjtë në të drejta, detyra e detyrime, ata edhe duhen trajtuar njëlloj.
Tërheqja e shtetit shqiptar nga një kërcënim është lojë me dinjitetin e institucioneve shqiptare dhe dashje pa dashje, të lë shijen e keqe të një nënlojë në të gjithë këtë vendim.
Por shteti nuk është lojë dhe vendimet e tij nuk mund të afishohen apo të fshihen sipas një dëshire kryeministrore. Aq më pak, ata nuk mund të devijohen dhe të mënjanohen nga presioni i një shefi të shteteve fqinj, kushdo qoftë ai.
Të lejosh thyerjen dhe braktisjen e këtyre rregullave themeltare do të thotë të nëpërkëmbësh shtetin dhe që, gjatë qeverisjes së gjatë, të kesh mësuar fare pak, ose aspak, se ligjet dhe vendimet nuk janë tekë e një njeriu të vetëm, sado i votuar të jetë ai.
Gazeta Dita, 3 prill 2019.