Kryeministri ka vetëm një rrugëzgjidhje; t’i kërkojë falje publike Presidentit për sulmet e padrejta dhe të lirojë për momentin zv/ministrin e brendshëm. –

Rama pranon fajin: Kushtetutën e shkela!

Kryeministri ka vetëm një rrugëzgjidhje; t’i kërkojë falje publike Presidentit për sulmet e padrejta dhe të lirojë për momentin zv/ministrin e brendshëm, sepse është në shkelje të ligjit e Kushtetutës dhe pasi Presidenti ta ç’dekretojë si ushtarak aktiv, të dërgojë përsëri kërkesën për ministër Sandër Lleshin.

Historia e dekretit të Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm, nga një akuzë për kreun e shtetit, është kthyer në një skandal për vetë mazhorancën. Dokumentet e shkëmbyera mes Presidencës, Kryeministrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes faktojnë se nuk është Presidenti ai që ka shkelur Kushtetutën, por kryeministri Edi Rama.

Konkretisht, Presidenti i Republikës, Ilir Meta në letrën që i dërgonte dje Ministrisë së Mbrojtjes i kërkonte informacion nëse Sandër Lleshi, i propozuar për ministër nga Edi Rama, vijon të ketë ende statusin e ushtarakut aktiv. Sipas Kushtetutës një ushtarak aktiv nuk mund të jetë ministër dhe as deputet. Neni 69 dhe 103 i ligjit themeltar të shtetit nuk lënë vend për asnjë lloj keqinterpretimi lidhur me detyrat që mund të mbajnë ushtarakët. Sandër Lleshi, emri i zgjedhur nga Rama për në ministrinë e Brendshme, pasi ka fituar gjyqet me Ministrinë e Mbrojtjes ligjërisht quhet ushtarak aktiv dhe duhej të kthehej në detyrë. Ministria e Mbrojtjes dhe  Kryeministri që ka juridiksion në Forcat e Armatosura nuk i kanë dhënë përgjigje pyetjes se përse gjenerali nuk është kthyer në detyrën që kishte para shkarkimit, sipas vendimit të gjykatës dhe siç ka bërë padinë vetë Sandër Lleshi. Por edhe në rastet kur një ushtarak nuk kthehet në detyrë, pasi ka fituar gjyqin, që ai të marrë funksione të tjera shtetërore duhet të ketë një lirim formal zyrtar nga funksionet që me gjykatë i ka fituar. Në rastin e Sandër Lleshit nuk ka kërkesë për heqjen e detyrave ushtarake dhe as praktikë të ministrisë së Mbrojtjes ku t’i kërkohej që të kthehej në detyrën e mëparshme. Formalisht ministria nuk e ka kthyer në detyrë, apo nuk i ka kërkuar që të largohet nga shërbimi ushtarak, pra kjo nuk do të thotë që ai ligjërisht nuk është pjesë aktive e ushtrisë. Për pasojë edhe mos firmosja e dekretit për emërimin e ministrit nga Presidenti Meta, në rastin aktual ka qenë zbatimi më korrekt i Kushtetutës që ndalon ushtarakët aktiv të jenë edhe drejtues të lartë të administratës shtetërore dhe politike.

Këtë shkelje ligjore, dje e pranoi edhe Edi Rama në letrën që i dërgonte Presidentit të Republikës. Madje pasi konfirmon se e ka shkelur kushtetutën, për shkak se juristët e tij e kanë interpretuar ndryshe, Rama i kërkon presidentit që ta zgjidhin me marrëveshje këtë problem kushtetues. “Ekspertët tanë mbrojnë bindjen se edhe nëse gjeneral Sandër Lleshaj do të ishte ushtarak në detyrë, çdekretimi i tij si i tillë nga Presidenti i Republikës, do të duhej bërë pas miratimit nga Kuvendi të dekretit Tuaj për të si ministër. Por siç na mëson eksperienca jonë, e Juaja dhe e imja, ka gjithnjë juristë me opinione të ndryshme. Kështu që, është e tëra Juaja zgjedhja e opinionit tonë të shprehur në përgjigjen e ministres apo e një opinioni të ndryshëm nga i yni dhe, në rast se ky i fundit do të jetë rasti, ju mund ta çdekretoni Sandër Lleshajn si gjeneral aktiv (bazuar në kërkesën e tij drejtuar Jush) e pastaj ta dekretoni atë ministër të Brendshëm (bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë)”,- shkruan Kryeministri Edi Rama.

Veç kryeministrit, edhe vet Sandër Lleshi e pranon, në një letër dërguar Presidentit, (vetëm dje e firmosur) se fillimisht duhet të ketë një dekret nga Presidenti për statusin e tij si ushtarak. Pra kryeministri që deri dje këmbëngulte se kreu i shtetit ishte duke bërë një shkelje të rëndë dhe të dënueshme duke i refuzuar emrin e një ministri, pranon se ai ka shkelur ligjin duke i propozuar për ministër një ushtarak aktiv. Por për këtë çështje nuk kemi vetëm një shkelje nga ana e kryeministrit. Gjatë ditëve që akuzonte Presidentin se po shkelte “pa dashje” Kushtetutën, vet kreu i qeverisë e shkeli me dashje atë me të dy këmbët. Emërimi i Sandër Lleshit si zëvendës ministër është gjithashtu shkelje e Kushtetutës, pasi statusi i ushtarakut aktiv i ndalon atij detyrat shtetërore. Kreu i shtetit ka ende kohë për të vendosur se çfarë do të bëjë me dekretin për ministrin e ri të Brendshëm. Por ky debat që nisi si një sulm ndaj kreut të shtetit duke i kërkuar me arrogancë që vetëm të firmos ato që do kreu i qeverisë, i tregoi opinionit se ata që bërtasin më shumë në emër të Kushtetutës, në fakt janë shkelësit e parë të saj, duke nisur nga kryeministri Edi Rama.

Kryeministri ka një rrugëzgjidhje; t’i kërkojë falje publike Presidentit për sulmet e padrejta dhe të lirojë për momentin zv/ministrin e brendshëm, sepse është në shkelje të ligjit e Kushtetutës dhe pasi Presidenti ta ç’dekretojë si ushtarak aktiv, të dërgojë kërkesën për ministër Sandër Lleshin

S.P.