“Kryeministri në ikje tha që po ndërhyn Europa”
“Kryeministri në ikje tha që po ndërhyn Europa”
31 mars 2021
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me të rinjtë në Korçë, para të cilëve tha ka një plan për një zgjim të ri kombëtar duke i bërë studentët 100 për qind të gatshëm për tregun e punës.
Kreu i selisë blu përsëriti angazhimin se qeveria e re do të ofrojë 5 gjuhë të huaja falas si dhe 20 trajnime profesionale në degët më të kërkuara.
Kryedemokrati komentoi deklaratat e kryeministrit Rama se Europa po ndërhyn në punët e brendshme, pas tryezës së Bashës komisioneren e BE-së, duke u shprehur se “ne kërkojmë jo vetëm që Europa të ndërhyjë në punët e brendshme, por që Europa dhe punët e brendshme të shkrihen në një”.
Pjesë nga fjala e Bashës
Faleminderit rinisë korçare për këtë pritje unike! Zemrën e kam të mbushur me gëzim kur shoh entuziazmin tuaj. Pak ditë na ndajnë. Por tashmë jua them me gojën plot, se ndryshimi ka ardhur, është në zemrat, në mendjet, në sytë tuaj. Është një vullnet i pandalshëm i rinisë shqiptarë. Korça e zejtarisë, rinisë së mençur, fjalës e së cilës nuk kanë nevojë për koment, i ka të gjitha. Ju jeni avangardë, ju jeni krenari, ju jeni Evropë, ju jeni e ardhmja që fillon sot. Ajo që Korça nuk ka dhe nuk ka patur këto 8 vite ka qenë një qeverisje që tu shihte në sy, që të kuptonte problemet e familjeve korçare.
Korça nuk do të jetë kurrë më barku i weekende-ve te pushtetarëve. Do ta filloj me fushën e dijes, arsimit. Pa dyshim ekonomia është problemi kryesor i Korçës. E di fare mirë që e vetmja gjë që nuk ju mungon është dëshira për të punuar, dija dhe pasioni për punën. Këto 8 vite Korça njësoj si gjithë Shqipëria mbeti vendnumëro. Kryeministri në ikje Korçën e ka përdorur dhe e përdor vetëm si resortin e fundjavës.
Nuk është kujtuar t’i jap universitetit fondet e mjaftueshme. T’u jap studentëve që studiojnë këtu veglat me të cilat të ndërtojnë një jetë të mirë e me dinjitet, që të mos u shkojë mendja të largohen. Ne vijmë para jush, jo me premtime boshe si ato që keni dëgjuar 8 vite me radhe. Në vijmë me një plan, të cilin e kemi hartuar për pothuajse 2 vite me radhë me ekspertët më të mirë shqiptarë, europianë dhe amerikanë. Në qendër të këtij plani është një zgjim i ri kombëtar ekonomik, që do të mundësojë që burimet e jashtëzakonshme të Korçës dhe Shqipërisë kurrë më të mos mbeten në duart e një grushti njerëzish, një grushti oligarkësh. Punësimi i rinisë korçare dhe shqiptare është një objektiv plotësisht i arritshëm.
Me siguri e mbani mend reagimin e kryeministrit në ikje se Europa po ndërhynte në punët e brendshme të Shqipërisë. Po ne këtë kërkojmë, ne për këtë luftojmë, jo vetëm që Europa të ndërhyjë në punët e brendshme, por që Europa dhe punët e brendshme të shkrihen në një. Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, ta sjellim Europën në Shqipëri. Kjo do të thotë cilësi europiane e universiteteve tona, cilësi europiane e të diplomuarve, ndaj kam nderin të ndaj këtu mes rinisë korçare se PD dhe unë kemi gati që ditën e parë të qeverisjes planin së bashku me Aleancën e Universiteteve Europiane, që do ta bëjnë rininë 100 për qind të gatshme për tregun e punës dhe me paga dinjtoze. Duke nisur nga fillimi i shtatorit, çdo i ri dhe e re do ketë mundësi që online të mësoj pa asnjë lekë, të mësoj 5 gjuhë të huaja. Aspekti i dytë që dua të ndaj, që si fillim online dhe më pas si kampus të kombinuar, qeveria ime do ofrojë 20 trajnime profesionale nga TIK e programimi, te Inxhineritë, Turizmi, Arkitektura dhe degë për të cilat ka nevojë tregu i Europës. Nuk do t’i trajnojmë për t’i larguar drejt Europës.
Nuk do ketë asnjë maturant që do të mbetet pa studiuar për shkak të pamundësisë ekonomike të prindërve të tyre, si ligji i ri i Arsimit të Lartë dhe fondet, do të mundësojnë subvencionim 100 për qind të tarifave për familjet me të ardhura nën 640 mijë lekë në muaj, dhe 50 për qind për ata mbi 640 mijë lekë në muaj. Ciniku dhe papagallët do të thonë ku do t’i gjesh lekët?! Përgjigjja është fare e thjeshtë, në buxhetin e shqiptarëve, aty ku i ke gjetur t’i për të pasuruar oligarkët. Por në 25 prill kjo merr fund, paratë e shqiptarëve do tu kthehen shqiptarëve.
Gazeta Panorama