Kryeministri Rama sulmon BE dhe ironizon ambasadoren amerikane Kim!

02/02/2021

Pas sulmeve të përsëritura ndaj Bashkimit Europian, kryeministri Edi Rama dje ka mbajtur hapur qëndrim kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadores së këtij vendit në Tiranë. I pyetur nga gazetarët për kërkesën e përsëritur të ambasadores, Yuri Kim që në zgjedhje partitë të mos kandidojnë emra me precedentë penalë, kryeministri ka kthyer një përgjigje që mund të cilësohet dhe si refuzim i hapur i kërkesës amerikane. Në mos ironi. “Ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin. Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetë-deklarim është përgjegjësi individuale jo partie. Partitë nuk janë drejtori policie, verifikojnë në bazë të ligjit dhe sipas ligjit i kemi bërë verifikimet gjithmonë. S`kemi ndërmend të ngremë salla torturash në selitë e partive nëse dikush fsheh diçka. Ne shohim dokumentacionin në dispozicion”, theksoi kryeministri Rama.

Për vet natyrën e kërkesës amerikane, deklarata e kryeministri Edi Rama mund të merret si një sfidë e hapur. Sigurisht që ambasadorja Yuri Kim e di që ka një ligj për dekriminalizimin të miratuar nga Kuvendi. Po ashtu e di, që partitë nuk janë drejtori policie dhe aq më pak që selitë të kthehen në “dhoma torture”.  Nëse do të mjaftonte vetëm ligji, SHBA nuk do të përsëriste të paktën tre herë kërkesën për të mos vendosur kandidatë me rekorde kriminale.

Problemi është se megjithë ligjet e miratuara, personat me precedentë penalë kanë arritur të hyjnë në Parlament dhe të jenë dhe në krye të fushatave elektorale dhe administratës qeverisëse.  Mesazhi amerikan, në parim është bërë për të gjitha partitë, por fakti është se shumica e deputetëve me rekorde kriminale, kryebashkiakëve, drejtorëve dhe përfaqësuesve të shtetit janë brenda radhëve të Rilindjes. Ndaj porosia e ambasadores amerikane duke se ka qenë ekskluziv vetëm për kryeministrin Edi Rama, i cili është njeriu që përzgjedhë kandidatët për deputetë, sepse partitë e tjera e përkrahën ambasadoren, kurse Kryeministri e përqeshi. Në dy qarqe Edi Rama ka vendosur në krye të fushatës persona me precendentë penalë. Dy prej njerëzve të tij që mbledhin vota në qarqet me problematike janë zyrtarë që SHBA i ka denoncuar me emër dhe i ka shpallur non grata familjarisht. Me një deputet që SHBA nuk e duan, kryeministri takohet fshehurazi dhe rakordojnë punët për vjedhje votash. Ministra të tjerë dhe deputetë të Rilindjes që në përgjimet e Durrësit dhe të Dibrës dolën se ishin organizatorët e vjedhjes së votave, sot janë sërish në drejtimin e punëve për zgjedhjet e 25 prillit. Fakti që gjykata, për shkaqe proceduriale, nuk i dënoi deputetët dhe drejtorët e Edi Ramës për krime zgjedhore, nuk do të thotë se janë më pak të rrezikshëm apo kanë hequr dorë nga vjedhja e votës. Përkundrazi, në këto zgjedhje janë edhe më të motivuar për të masakruar votat, pasi veç humbjes së mandateve politike rrezikojnë që të përballen dhe me prangat e burgun.

Këto fakte dihen publikisht, ndërkohë Ambasada e SHBA mund të ketë informacione të tjera që vijnë nga brenda PS për angazhimin e elementëve kriminalë në zgjedhje. Kryetari i PS nuk po mjaftohet vetëm më kriminelët brenda PS, të veshur me kollare, por po mbledhë edhe ata pak emra që për shkak të së kaluarës problematike të tyre u përjashtuan nga PD dhe LSI. Për të realizuar ëndrren e mandatit të tretë, kryeministri është gati të bëjë koalicionin më të madh të Rilindjes me botën e krimit dhe ky është problemi më i serioz i këtyre zgjedhjeve. Dhe nuk do jenë zgjedhje të lehta. Ajo që e bën dhe më alarmante situatën është gjuha arrogante dhe refuzimi i qeverisë për të dëgjuar dhe rekomandimet e SHBA dhe BE. Me Brukselin sulmet dhe akuzat e Edi Ramës janë një çështje e zakonshme. Ndërsa gjuha e përdorur dje kundër SHBA nga kryeministri i Shqipërisë është një sjellje që tregon se kryeministri e shikon veten të fortë, pasi ka pas vetes presidentin turk Erdogan dhe mikun serb, Vuçiç.

Fakti që dje kryeministri ironizoi, deri në sarkazëm, ambasadoren amerikane Kim, e cila ka kërkuar më se njëherë publikisht që partitë të mos kandidojnë persona me probleme me ligjin, tregon se shefi ekzekutivit shqiptar ka ndërmend të prekë zgjedhjet. Por nëse preken zgjedhjet mbetet e sigurtë se përplasja do jetë katastrofale mes palëve, duke e çuar vendin në kaos. Ndaj ambasadorja amerikane duhet t’ia kthejë përgjigjen publikisht ironisë dhe lojës së partive për të bashkëpunuar me krimin në zgjedhje.

Nga: Mili Xhani

Gazeta Koha e Jone