Kryeministrja daneze Frederiksen sulmohet fizikisht
8 Qershor 2024
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen u sulmua nga një burrë sot në mbrëmje në një shesh në Kopenhagë, njoftuan shërbimet e saj, duke shtuar se sulmuesi ishte arrestuar.
“Kryeministrja Mette Frederiksen u godit nga një burrë sot në mbrëmje në Kultorvet, në Kopenhagë”, tha një deklaratë nga zyra e saj, duke shtuar se zonja Frederiksen ishte “e tronditur nga incidenti”.
Policia e Kopenhagës konfirmoi se kishte ndodhur një incident me kryeministren, por nuk dha detaje të mëtejshme.
“Për këtë rast është arrestuar një person, i cili aktualisht është nën hetim. Për momentin nuk kemi komente apo vërejtje të tjera për të bërë”, thuhet në një deklaratë të policisë të postuar në X.
“Më duhet të them se kjo i trishton të gjithë”, tha ministri danez i Mjedisit, Magnus Heunicke në një mesazh të postuar në mediat sociale. “Kjo nuk duhet të ndodhë në vendin tonë të bukur, të sigurt dhe të lirë”, theksoi ai.