Kryepeshkopi Janullatos do të prehet në katedralen “Ngjallja e Krishtit” aty ku dhe meshonte
27 Janar 2025
At Aleksandër Dimroçi jep detaje lidhur me ceremoninë funerale të Kryepeshkopit Anastas Janullatos i cili ndërroi jetë në Athinë më 25 janar në spitalin “Ungjëllizimi”.
I ftuar në një studio televizive, ai tha se menjëherë pas lajmit të trishtë anëtarët e sinodit të kishës ortodokse, u mblodhën dhe morën disa vendime, mes tyre edhe për pritjen që do i bëhet kryepeshkopit Anastas.
At Aleksandri informoi se Kryepeshkopi do të varroset në katedralen “Ngjallja e Krishtit” aty ku dhe meshonte.
“Kryepeshkopit iu bën nderime të shumta dhe homazhe në Athinë. Kryepeshkopi ka reputacion mjaft të madh në të gjithë botën.
Dhe sot kanë vijuar homazhet dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, është nisur trupi nga Athina dhe trupi i tij pritet të martën, ku do të mbahet pasdite shërbesa e përshpirtjes dhe homazhet që do të bëhen nga besimtarë dhe qytetarë të ndryshëm.
Ditën e enjte do të kryhet liturgjia hyjnore dhe në orën 11.00 do të kryhet shërbesa e varrimit, ku do të përcillet për në banesën e fundit.
Nga ora në orë konfirmojnë pjesëmarrjen personalitete të shumtë. Patriarku Bartolomeu i I-rë do të jetë i pranishëm të enjten.
Do të jetë e pranishme një përfaqësi e lartë nga Vatikani dhe kryepeshkopë të kishave ortodokse kudo nëpër botë dhe nga organizata të tjera fetare që do e nderojnë kryepeshkopin Anastas.
Do të kemi përfaqësues nga shumë vende të botës. Deri më tani nuk kemi dijeni nëse do të ketë përfaqësues nga kisha ruse.
Trupi i Kryepeshkopit do të prehet në katedralen ortodokse në Tiranë “Ngjallja e Krishtit”.
Kjo është një traditë e vjetër e kishës së krishterë, e ritit ortodoks, që primati i një kishe prehet në atë katedrale ku ai meshon.
Atij i takon të varroset në ambientet e katedrales, kemi dhe shembuj të tjerë në Shqipëri, siç është rasti i Imzot Rrok Mirditës i cili është varrosur në katedralen “Shën Pali”.
Kemi dhe manastirin e Zvërnecit, ku në kishën e Manastirit është varrosur edhe ndërtuesi i kësaj kishe.
Kjo është diçka e përcaktuar, se janë rregulla që kanë qenë që në fillim.”
Në vijim At Aleksandri deklaroi se Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Shqiptare, 40 ditë pas ndërrimit të jetës së Kryepeshkopit, do të mblidhen për të zgjedhur kryepeshkopin e ri.
Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatos u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare në spitalin “Ungjëllizimi” në Athinë ku ishte i shtruar prej 3 janarit. Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua për shkak të një hemorragjie gastrike
Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodhokse Autoqefale të Shqipërisë shpalli zi kishtare për 5 ditë, 25-29 janar dhe pritje e trupit të martën e 28 Janarit, në orën 16:00 para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, teksa homazhet nisin menjëherë pas mbërritjes së trupit dhe deri më 29 Janar.
Ceremonia e varrimit e Hirësisë së Tij do të kryhet të enjten e 30 Janarit, në orën 11:00, menjëherë pas Liturgjisë Hyjnore.