Kryeprokurori i ri flet për tërmetin: Njerëzit presin drejtësi. –
Kryeprokurori i ri flet për tërmetin: Njerëzit presin drejtësi
6, dhjetor 2019
Arta Marku i dorëzoi sot detyrën kryeprokurorit të ri Olsian Çela, që u votua dje nga parlamenti për të drejtuar organin e akuzës për 7 vitet e ardhshme.
Drejtuesi i ri i prokurorisë u shpreh në fjalën e tij të parë në institucionin që do të drejtojë se vendi ndodhet një fazë të vështirë, pasi po përballet me një krizë për shkak të tërmetit tragjik.
Çela kërkoi nga prokurorët që të jenë në lartësinë e detyrës për këtë situatë, pasi njerëzit presin drejtësi.
Gjithashtu ai tha se roli i prokurorisë do të luajë një rol kryesor që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së.
“Ndoshta është hera e parë që kalon detyra në këtë mënyrë në këtë institucion. Transparenca është mënyra më e mirë për të rritur besimin e institucioneve dhe te publiku.
Falenderoj dhe vlerësoj Markun për këtë punë në këto dy vite, në një fazë tranzicioni, ku vendi është përballur me mjaft probleme të mëdha. Ajo ka bërë më të mirën e mundshme.
Tani hyjmë në një fazë të re, ku po ndërtohen institucionet e reja të drejtësisë. Prokuroria ka pësuar ndryshime rrënjësore, kjo kërkon një angazhim të ri dhe konceptim të ri si duhet të funksionojë ky organ.
Kemi kapacitetet për t’i dhënë vendit një të ardhme më të mirë, që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes së BE, rezultatet e punës sonë kanë rëndësi të jashtëzakonshme.
Në këto kushte, unë mendoj se tashmë ka mundësi që Kryeprokurori mund të japë kontribut për t’u dhënë jetë ideve të reja
Sot ne ndodhemi në një fazë të vështirë, vendi po përballet me një krizë për shkak të ngjarjeve të fundit të muajit nëntor.
Përgjigja që prokuroria duhet të japë në rastin konkret duhet të spikasë në raport me atë që po bëjnë institucionet e tjera, pasi njerëzit kërkojnë drejtësi, dhe gjërat të bëhen konkrete.
Është një rast që jemi në lartësinë e asaj që pret vendi dhe njerëzit presin. Do të gjejmë të gjithë mekanizmat për të arritur atë që populli pret në raport me prokurorinë”, tha Çela.
Ish-kryeprokurorja Arta Marku u shpreh e lumtur që detyrën ia pason ish-shokut të klasës duke besuar se do të bëjë mirë.
“Jam përkushtuar ta bëj detyrën me përkushtim dhe integritet. Falenderoj të gjithë stafin që më kanë ndihmuar në përballimin e cdo sfide.
Puna më ka dhënë një eksperiencë të shkëlqyer profesionale dhe njerëzore. Falenderoj përfaqësuesit e OPDAT dhe Euralius. Falenderoj median për hapësirën që më keni kushtuar.
Urime prokurorit të ri të përgjithshëm, kam besim se prokuroria do të ecë përpara. Jam shumë e lumtur që detyrën ia pasoj një ish-shoku tim të klasës“, tha Arta Marku.
o.j/dita