KRYEZIU I GJEÇOVIT DHE KULLAVE TË TURIZMIT
KRYEZIU I GJEÇOVIT DHE KULLAVE
TË TURIZMIT
Nga Ndue Dedaj
Qafa e Malit nuk është thjeshtë qafa e një mali në pikëprerje të Mirditës, Pukës e Kukësit, por një areal verior i veçantë. Sa herë shkon atje, të vjen ndërmend një shprehje e Stavre Frashërit, studiues dhe përkthyes korçar, i cili, 90 vite më par, teksa “bridhte” këtyre maleve duke shoqëruar antroplogun amerikan Carleton Coon, shkruante: “Shqiptarë jemi, por Shqipërinë nuk e njohim”. Si nuk e njohim? A nuk është ajo “Qafa e Malit” pak kilometra mbi Fushë-Arrëz, që bllokohej vazhdimisht nga dëbora, deri në tre-katër metra, dhe ngrihej qeveria në këmbë për ta bërë të kalueshme, pasi ishte aksi kryesor kombëtar që lidhte Tiranën me Kukësin e më tej me Kosovën? Nëse Qafa e Malit fotografohet nga lart me dron, i ngjan shqiponjës me dy krerë, pasi aty ndahen dy rrugët, njëra për Kukës e tjetra për Tropojë. Në këtë të fundit kalonin makineritë e rënda të hidrocentralit të Fierzës, mbi skodën e drejtuar nga shoferi me përvojë Mehmet Delvina.
Por nuk njihet vendi, nga takimet elektorale, që këtë qershor nuk kanë “kursyer” as Fushë-Arrësin, edhe pse garon e vetme një Parti, ajo Socialiste!? Dhe të flasësh për këtë monizëm të ri, në 2019-n, në vendin ku “parti” ishte çdo kullë e këtyre maleve, por vetëm për të luftuar për Pavarësinë e Shqipërinë, me anë të çetave kryengritëse, si ato të Ndrecë Qafës e Nikollë Currit të Spaçit (Qafës së Malit), Zenel Agës së Iballes, Halil Musës së Kabashit, Mark Bajraktarit të Bugjonit etj. Të njohësh këto vende me histori nuk mjafton kundraja gjeografike, si vizitor, por depërtimi në thellësinë e botës së maleve, ku patën hyrë urtësisht Frang Bardhi, Marin Bizi, Domenico Pazi, Edit Durham, Shtjefën Gjeçovi, Margaret Hasluck, Rose Wilder Lane, Ernest Koliqi, Migjeni, Prendush Gega, Martin Camaj, Gjon Karma, Kol Luka, Rrok Zojsi, Filip Ndocaj, Mark Tirta etj., shkrimtarë e studiues jo të paktë vendas dhe të huaj. Në vitin 1942, pas polemikës së njohur me Fulvio Cordignanon, dërgohet i “internuar” për të shërbyer në Kryezi, në kishën e vjetër të Shna Premtës, Dom Nikollë Mazreku, që si shkrimtar kishte pseudonimin Nik Barcolla. Vite më parë në shtëpinë e së motrës, Maries, në Shkodër kemi patur rastin të shfletonim dorëshkrimet e tij, asokohe të pabotuara, si romanit historik “Me flamujt e Kastrotëve”. Por surprizat kulturologjike të Kryeziut nuk kanë të mbaruar. Ka kohë që flitet për origjinën e Shtjefën Gjeçovit nga Kryeziu, ndërsa studiuesi mjedian, Mentor Quku, ka shkruar se dhe origjina e Ndre Mjedës ishte nga po ky fshat i përmendur.
Qafa e Malit është një zonë e banuar herët, me kulla dhe njerëz në zë, me etnografinë dhe mitologjinë e saj, si dhe qendresën kundër pushtuesve turq, serbë etj. Ajo ishte herët një rrugë karvanesh, e njerëzve që bënin tregtinë mes Shkodrës dhe Prizrenit. Atje rronte dhe një burrë njëqindvjeçar që parashikonte motin në bazë të astrologjisë dhe simbiotikës së qiellit. Ai iu thoshte njerëzve se kur do të kishte ditë me diell e kur me shi dhe ata, pastaj, bënin planet e tyre të punëve familjare. Parashikuesi i motit, nga shtëpia e Palucës, quhej Ndue dhe nderohej nga vendas e shtegtarë. Sot kanë ardhur kohë të tjera, se kur vrahet e kthjellët ta tregon smartfoni që ke në dorë, pa qenë nevoja t’i drejtosh sytë nga qielli për të parë përtej reve. Ndërkohë ujë i burimeve të këtyre bjeshkëve nuk pihet vetëm nga banorët, por i industrializuar (“Qafë e Mali”, “Lajthiza” etj.) shkon në të gjithë vendin.
Aliajt e Kryeziut, një derë shqiptare në zë
Nëse shtyhesh vetëm pak kilometra përtej Fushë-Arrësit, rrugës për në Kryezi, nuk mund të mos ndalesh në rezidencën turistike të Dedë Ndue Alisë (Shala), që është kulla e vjetër e tij e kthyer në një kopleks modern, dhe banesë, dhe muze i familjes, dhe bujtinë për të mikpritur turistët. Dikur ajo ishte një derë e madhe, me 50-60 vetë, anëtarë të një familje, sa fotografia e gjindjes së saj së bashku, jo më larg se gjysmë shekulli më parë, të duket e pabesueshme. Një “fis” i tërë brenda një korrnize të thjeshtë, që thotë aq shumë jo vetëm për Aliajt si derë fisnike, por dhe për institutin e etnologjisë shqiptare. Mark Dod Alia, i zoti i shtëpisë, ka qenë nga burrat e përmendur të Mirditës e Pukës për bujari, urti, mikpritje dhe qendresë morale. E bija, Lena, ishte vajza e parë që ka vazhduar shkollën e hapur në Kryezi në vitin 1934. Por regjimi komunist Bacës Mark ia mbërtheu prangat në duar kur ishte 80 vjeç, pasi njerëz si ai nuk mund të pajtoheshin me “shpikje” të tilla si kooperativat, tufëzimi etj. Rrufetë e ideologjisë marksiste-leniniste vazhdonin të lëvorëzonin “lisat” e paepur të kullave të traditës.
Dritëro Agolli, në vitin 1965, shkon në kullën e Aliajve dhe shkruan një reportazh të bukur, që ia kushton më së shumti një njeriu të shtëpisë së madhe, Dedë Ndue Shalës, që kishte ndërtuar një hidrocentral të vogël për të ndriçuar kullën e tij. Dhe për ta bërë këtë i duheshin 60 llampa energji. Ky sharrëtar e kishte bërë elektrifikimin e shtëpisë së tij dhjetë vjet më parë se Enver Hoxha atë të Shqipërisë. Hidrocnetralthi ishte ngjitur me mullirin e blojës, thuajse i një madhësie me të dhe ne sot prekim rrënojën e tij, si një relike e rrallë e dritës, në vendin ku Migjeni kishte thirrur: “Pak dritë!…” Të dy objektet familjare, hidrocentralin dhe mullirin, i vinte në lëvizje uji i pastër i përroit të Lajthizës së Kryeziut, bash aty ku niste të buronte Fani i Madh, njëri ndër dy lumenjtë kryesorë të Mirditës.
Tonin Alia, i biri i Dedë Shalës, teksa na tregon fragmentet e mureve të vjetra, aty në breg të përroit, “prek” në të vërtetë atë që ne të tjerët nuk mund ta shohim, fëmijërinë e tij nën hijen e kullës së gurtë dhe mbi të gjitha ëndrrën e madhe për ta lartësuar atë dhe në Tiranë, siç tashmë është kompleksi industrial “Ardeno”, një kullë e artit të moblimit shqiptar. “Personazhi” kryesor i reportazhit të Dritëroit ishte Dedë Ndue Shala, kurse ne zgjodhëm Toninin, jo për të krijuar me doemos vazhdimësinë mes brezave të kësaj familje të dëgjuar, porse ai mishëron vlerat e elitës pukjane të biznesit në kryeqytet dhe në gjithë vendin, përfaqësuar nga emra të shquar, si Rrok Gjoka, Mark Gjini, Lush Osmani, Mark Luli, Ndue Kola etj.
Nëse dikur këtu vinin Shtjefën Gjeçovi, Ndre Mjeda, Dom Nikollë Mazreku (Nikë Barcolla) etj., sot miq të Toninit, në kullën e tij turistike janë: shkrimtarët Bashkim Hoxha e Frrok Kristaj, fotoreporteri Gëzim Domi, studiuesit Xhemal Meçi, Mark Mesuli, Sefer Pasha e Hasan Ahmetat, kryebashkiakët e Pukës e Fushë-Arrësit, Gjon Gjoni e Fran Tuci, inxhinierët Prengë Prenga e Kol Dedaj, gazetarë, biznesmenë, të rinj të “Discover Puka” që promovojnë shtigjet turistike etj.
Kryeziu është vendlindja e njërit nga dijetarët më të urtë e më të zellshëm të etnografisë, flamurit dhe simbolikave të tjera kombëtare, Jaho Brahaj, që nuk rresht asnjë ditë së shpalosuri thesaret etnokulturore të Shqipërisë. Ai ka shkruar kronikën e Derës së Gjon Buzukut. Edhe pse jeton në Tiranë, kthehet herë pas here në Kryeziun e tij. Ky është dhe sekreti i këtij fshati, nuk e kanë braktisur bijtë e tij, pa e duan dhe të tjerët. Kryeziu ka 35 kulla dhe disa nga ato kanë filluar të shndërrohen në bujtina turistike, ku dy të parat ishin e Tonin Alisë dhe Pal Papushit. Nikolin Prenga, duke bashkëpunuar me shoqatën Austri-Shqipëri të Marianne Graf, ka ndërtuar kullën-bujtinë “Makry”, risi në zhvillimin eko-turistik e zonës. Gjovalin Alia, që drejton prej shumë vitesh shoqatën e ekoturizmit të Pukës, në një artikull promovues kushtuar turizmit në Kryezi, shkruan se kanë filluar nga puna për restaurimin e kullave dhe Muhamet Brahaj, Ylli Rrapi, Bilbil Dervishi, Hil Kola, Fatmir Arifaj etj.
Kryeziu është njëri ndër fshatrat më të mëdhenj të Pukës, me një tipologji të veten në veriun e Shqipërisë. Rruga është e asfaltuar dhe prej aty mund të udhëtosh drejt Iballes së largët, nëpër pyjet e Pukës, që, dhe pse e kanë humbur madhështinë e e dikurshme, prej zhbimjes së tranzicionit, përsëri ruajnë freskinë bjeshkëtare. Këtu ka qenë dhe stabilimenti i parë i shfrytëzimit pyjor, aty nga viti 1938. Banorët e Kryeziut janë vendas dhe të ardhur nga trëva të tjera shqiptare, si Mirdita, Shala etj. Ata janë të besimit katolik dhe myslimanë. Kryeziu është ndër vendet më turistike të Shqipërisë, por nëse nuk do të ishin, siç u tha, bijtë e vet që t’i jepnin gallërinë e kohës së sotme, do të ishte një bukuri ekzotike, që nuk do t’i vlente askujt, pos zogjve të malit. Kryeziu është përfshirë në “100 fshatrat”, por deri tani nuk është vënë asnjë tullë në kuadër të këtij projekti.
“Ardeno”, kampione e arit të moblimit shqiptar
Ato janë dy kulla të dy kohëve të ndryshme, që mbajnë në këmbë njëra-tjetrën. Njëria e traditës, tjetra një “kullë” e biznesit. E para e trashëguar nga paraardhësit, e dyta e ngritur me mundim në kuadrin e sipërmarrjes së lirë nga Tonini dhe bashkëshortja e tij, Dava, me profesion ekonomiste, menagjere e zonja e kompanisë. Dalëngadalë “vallja” e Ardenos ka përfshirë dhe fëmijët e tyre.
Tonin Alia, i dekoruar me titullun “Mjeshtër i Madh”, e ka restauruar kullën e tij në Kryezi, duke afishuar nëpër mure gjithë historinë e familjes së tij. Vizitorët e kësaj pranvere ishin jo pak për 150 veta, sa në një dasmë, ardhur jo vetëm nga Puka e zonat përreth, por dhe nga Tirana e Prishtina. Dhe ti, si njëri nga ata, nuk mund të mos vëresh se ka lidhje organike mes “Ardenos”, si një nga kampionet e artit të mobilimit shqiptar dhe kësaj kulle në Kryezi që rikthen traditën në shërbim të turizmit. E tregojnë më së miri këtë tëndat e rrushit të mirëmbajtura etj.
Tonini nuk është studiues, por ka shkruar një libër studimor për rrënjët e të parëve të tij, që njëherësh janë dhe ato të Shtjefën Gjeçovit, i cili si një mbiemër të dytë shënonte “Kryeziu”. Siç dihet Gjeçovi qe lindur në Janjevë të Kosovës, në një familje të vajtuar atje nga Shqipëria. Autori ka ndërtuar pemën gjenealogjike të fisit të tij në Kryezi dhe me Shtjefën Gjeçovin takohen në pesë breza, ndonëse pema e tyre mbërrin deri në vitin 1700, te një i parë i përbashkët që është Hila, trajtë e shkurtuar e emrit Mëhill. Ende në Kryezi ruhen toponimet e vjetra, së paku treqindvjeçare: “Ara e Gjeçit”, “Kroi i Gjeçit” etj.
Tonini e ka ndjekur “Shtjefnin” në ditët e sotme kudo ku ai ka shërbyer, në Troshan, Rubik, Pejë, Laç (Sebaste), Zarë, Sapë, Theth, Prekal, Vlorë, Shkodër, sidomos në “Takimet e Gjeçovit” në Zym, që organizohen për çdo vit.
Kudo që vete në panairet e artit të moblimit, në vendet e rajonit ballkanik dhe ato europiane, krahas katalogjeve të kompanisë “Ardeno”, çertifikatave dhe vlerësimeve prestigjoze, për standartet ndërkombëtare të prodhimit, presidenti i saj ka me vete dhe librin e tij kushtuar Shjtefën Gjeçovit, si një “bashkudhëtar” i të djeshmes dhe të sotmes shqiptare.
Tonini është njeri i kushtimeve dhe simbolikave të epërme. Në mjediset e “Ardenos”, në një kënd të veçantë, ruhet karriga e gdhendur në dru, në të cilën u ul Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2014. Ky biznesmen me shpirt artisti është njëri nga themeluesit e “Sofrës Pukjane”, bashkë me juristin e njohur Arian Ndoja etj. E këto janë vetëm pak sghënime nga Kryeziu, që po fiton emër dhe në të somen.