Kthehen rradhet para Ambasadave. – Maturantët para ambasadës gjermane për vizë per te ikur
Nga Nertila Dosti
7 Shtator 2022
Të rinjtë shqiptarë vazhdojnë të largohen masivisht nga vendi. Të mërkurën para Ambasadës së Gjermanisë pati radhë të rinjsh që aplikonin për vizë studentore me qëllimin për të ikur nga Shqipëria. Shumë prej tyre sapo kanë përfunduar gjimnazin dhe largohen për të gjetur arsimim më cilësor e punë të garantuar.
Prej mëngjesit të sotëm disa të rinj janë në pritje pranë Ambasadës së Gjermanisë për të aplikuar për vizë.
Në pritje me dokumente ndër duar gjejmë Antontea Gjekën nga Shkodra.
Ka përfunduar gjimnazin me mestare 9.7 dhe në tetor do të nisë studimet për inxhinieri elektronike në Gjermani.
“Këtë degë e kam zgjedhur pasi më ka pëlqyer gjithmonë. Kishte një specializim atje për informatikë,” tha ajo.
Pavarësisht rezultateve të larta, në Shqipëri nuk aplikoi për asnjë program studimi.
Atje ku do të shkojë thotë se arsimi është më cilësor dhe ushtrimi i profesionit i garantuar.
“Më pëlqen si vend pasi ka një etikë pune. Universitetet andej janë shumë të mira, prandaj zgjodha Gjermaninë. Pasi të mbaroj univeristetin, e di që kam mundësi për punë më të mira se këtu,” tha ajo.
Është e palëkundur në vendimin e saj për t`u larguar dhe rikthimin nuk e ka ndërmend.
“Nuk kam asnjë peng që po iki,” tha ajo.
Si Antoneta janë të shumtë të rinjtë që këtë vit do të studiojnë jashtë vendit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit rreth 10 mijë maturantë aplikuan këtë vit për të ndjekur studimet e larta përtej Shqipërisë, kryesisht në vendet e Evropës Perëndimore.