Kthesa e madhe e motit në fundjavë! Sinoptikanët japin parashikimin: Ja zonat ku do ketë më shumë shira dhe dëborë!

24 DHJETOR 2020

Periudhës mjaft të gjatë kohore pa reshje atmosferike po i vjen fundi, sepse nga nesër e veçanërisht pasnesër në rajonin tonë do të kemi grumbullim masiv të vranësirave të cilat do të na sjellin reshje të dendura atmosferike.

Nesër (e Premte) do të fillojnë shirat lokale, vende-vende, ndërsa pasnesër (e shtunë) reshjet do të përfshijnë tërë territorin dhe do të vijnë duke u intensifikuar. Me uljen e temperaturave shiu do të shndërrohet në reshje bore në shumicën e territorit të Republikës së Kosovës, veri dhe verilindje të Shqipërisë si dhe disa rajone kodrinore-malore të Maqedonisë së Veriut. Reshje bore do të ketë edhe në viset kodrinore-malore në lindje dhe juglindje të Shqipërisë, vende-vende edhe në vise tjera malore, ndërsa reshjet më intensive priten në Mal të Zi. Disa vende më të ulëta në Kosovë ka mundësi që të ketë reshje shiu, bore e shqote (me përzierje të herëpashershme) për shkak se do të ketë gjasa për mbetjen e temperaturave të cilat nuk favorizojnë reshjet e dëborës. Temperaturat e larta do të jenë pengesë për reshje bore edhe në shumë vende në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore.

Në Kosovë gjithsesi do të kemi reshje mjaft estetike bore të cilat mund të formojnë edhe shtresa dekorative. Në viset kodrinore-malore priten shtresa deri 20 cm, lokalisht edhe më shumë.

Modelet janë në fazën finale të përpunimit të të dhënave dhe ende do të ketë korrektime të vogla të sasisë, intensitetit dhe llojit të reshjeve, por duhet ditur se bora nuk do të jetë e qëndrueshme nëpër ultësira për arsye të ngritjes së temperaturave gjatë javës tjetër për shkak të erërave jugore./Meteoballkan

Nga Gazeta Sot