
‘Kthjellu’ me Sonila Meçon dhe Brisida Shehaj: – Deklarata shokuese e Ramës, heshtja olimpike pllakos gratë e rilindjes dhe institucionet
21 Prill 2025
Deklarata e kryeministrit Edi Rama, i cili u kërkoi fëmijëve të shikonin në internet foton e tij nudo, ka shkaktuar reagime të forta ditën e sotme në sferën politike në vend. Në podcastin “Kthjellu” në SYRI TV, Sonila Meço dhe Brisida Shehaj e cilësuan këtë deklaratë të papranueshme dhe tronditëse. Sipas tyre, Rama ka tejkaluar çdo kufi etik dhe institucional.
Ato i bënë thirrje Avokates së Popullit, grave të Rilindjes, Urdhrit të Psikologut, komuniteteve fetare dhe SPAK-ut të reagojnë. Meço dhe Shehaj i akuzuan këta institucione për heshtje olimpike dhe bashkëfajësi morale.
Veçanërisht kritikë ishin ndaj ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu. “Ti ke dy vajza, por sot ke edhe fëmijët e gjithë shqiptarëve në dorë”, u shpreh Shehaj.
Ajo ngriti pyetjen nëse gratë e pushtetit do të lejonin që fëmijët e tyre të përfshiheshin në një eksperiment të tillë.
Dy ekspertet e konsideruan të rrezikshëm dhe cënues mesazhin e dhënë para fëmijëve.
Për opozitën, kërkesa ishte e qartë: të bëjë kallëzim penal ndaj Edi Ramës.
Sipas tyre, heshtja ndaj kësaj ngjarjeje është një formë bashkëpunimi me devijimin e normave shoqërore.
Shehaj: Kam një thirrje për Ogerta Manastirliun: E dashur Ogerta, ti ke 2 vajza, sigurisht që je nënë, por mbi të gjitha shqiptarët, për shkak se ty Edi Rama të ka vendosur ministre Arsimi, shqiptarët të kanë dorëzuar fëmijët.
Të lutem, më thuaj: kush është diferenca midis një kryeministri që del dhe thotë në rrjete sociale, në takim me fëmijët thotë: “Futuni në rrjete sociale dhe kërkoni: ‘Edi Rama nudo’”, dhe një individi i cili stimulohet nga këto që thotë Edi Rama dhe të rrijë nesër nudo pa bërë asgjë, thjesht nudo në oborrin e një shkolle.
Ose të vjen, të bën një poster të madh në një oborr shkolle me foto nudo të Edi Ramës.
Ju gratë e Rilindjes, ju që tundeni dhe shkundeni, nga zv. kryeministria, kryetarja e Kuvendit, ministreshat që jeni me fëmijë.
A do i lini ju fëmijët tuaj ta bëjnë këtë eksperimentin si fëmijët e popullit të varfër shqiptar?
Kjo është pyetja që presim të gjithë me kureshti përgjigje.
Kurse ndaj opozitës, kërkesa ime është: kallëzim penal për Edi Ramën.