“Ku është fletë-arresti i Vangjushit”! –
“Ku është fletë-arresti i Vangjushit”!
14 Dhjetor 2019
“Ku është fletë-arresti i Vangjushit?”, – me këtë pyetje të shkruar në pankartën që mbahet në dorë nga një i ri, Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, shoqëron reagimin ku refuzohet edhe njëherë tjetër ftesa për bashkëpunim, e bërë nga kryeministri Edi Rama.
Nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar sot, Rama kërkoi bashkëpunimin e Lulzim Bashës pas tragjedisë së tërmetit, por PD rendit disa arsye për të cilët thotë se pengojnë bashkëpunimin. Një prej tyre, sipas PD-së, është edhe lidhja e Ramës me Vangjush Dakon dhe Arben Ahmetajn.
Reagimi i plotë:
Edi Rama vazhdon të bëjë shoë mbi tragjedinë e 26 Nëntorit, duke u përpjekur të mbulojë paaftësinë, papërgjegjshmërinë dhe abuzimin e qeverisë së tij me propagandë të shëmtuar kundër opozitës.
Për fatin e keq të Shqipërisë dhe qytetarëve të prekur nga tërmeti, këto 3 javë provuan se vendi drejtohet nga një kryeministër i dështuar. Edi Rama dështoi të menaxhojë situatën pas tërmetit, dështoi t’u japë qytetarëve sigurinë për banesat e tyre, dështoi të mbrojë interesin publik, duke mbrojtur paturpësisht 150 milionë dollarë që u jep oligarkëve për koncesionet korruptive të firmosura prej qeverisë së tij.
Dëshmi e dështimit të Edi Ramës është edhe përgjegjësia direkte për vdjekjen e 24 qytetarëve në pallatet e shpallura të pabanueshme në Thumanë pas tërmetit të 21 Shatorit, për të cilët nuk mori asnjë masë për ti strehuar, duke i lënë në mëshirën e fatit. Dështimi më i madh i Edi Ramës është se nuk shndërroi dot Partinë Demokratike dhe opozitën në fasadën e pushtetit të tij të korruptuar dhe të kriminalizuar. Ai e ka të lidhur fatin me Vangjush Dakon dhe Arben Ahmetajn, ndërsa ne me qytetarët shqiptarë.
Në këtë kohë fatkeqësie, shqiptarët kanë parë se e vetmja forcë e përgjegjshme, që ka ngritur zërin për interesin e tyre është opozita. Ne nuk përfituam politikisht nga tragjedia, ne nuk u tallëm me viktimat dhe as nuk i përdorëm të prekurit nga tërmeti, siç po përpiqet prej ditës së parë, Edi Rama, i cili shpiku edhe fejesën e të birit për t’u viktimizuar para shqiptarëve që ia kanë hequr vizën me kohë.
©Copyright Gazeta SHQIP