“Ku ishte Zoti kur masakroheshin shqiptarët në Ballkan?”
Nga Idriz Morina
17 Nentor 2022
A janë shqiptarët sot ende viktima, të një politike, që ata i sheh si problem, për shkak të besimit fetar mysliman që është dominues.
Fiksion apo fakt
Pa dashtas, që të nxitem për një temë të tillë, mu bë e pashmangshme, teksa lexova një pjesë të një dialogu, që shkrimtarja Entela Kasi, e kishte nxjerrë në faqen e saj në fb.
Pa hyrë në atë që duhet kthjelluar për lexuesit, se ndërsa në letërsi, ky lloj shkrimi konsiderohet fiksion, dhe nuk mund të provohet apo të përdoret për argument, nga një shqyrtim jo letrar, padyshim, që na lejohet ta konsiderojmë se drama e këtij identiteti fetar dhe të vështirësive që sjell ai, para së gjithash për politikën, është kthyer në pjesë të subjektit të një vepre letrare.
Gjurmët e tekstit duket se synojnë të afirmojnë jo vetëm çështjen e besimit fetar dhe të vështirësive që sjellë, por edhe të vlerësimit, përkatësisht të respektimit të vlerave që ka dhe ofron Shqipëria.
Për një kuptim më të qartë, po e ofrojë, në një shkurtim edhe nga unë, dialogun e ofruar nga romani “Rikthimi”, botuar këto ditë nga shtëpia botuese “Buzuku” e Prishtinës:
– Jam Johani. Jam Rabin. Për mua Shqipëria është si shtëpia ime e tjetër. Njerëzit janë të veçantë dhe vendi është i mrekullueshëm.
– Gëzohem ta dëgjoj prej jush.- i ishte përgjigjur Hannah.
– Jam nga Tirana, banoj në Hagë. Punoj për Amnesty International.
– Shqiptarët janë njerëz shumë të veçantë, ndërsa Evropa është një kontinent shumë krenar, që po harron disa gjëra thelbësore, po harron rrënjët. Shqiptarët jetojnë të ndarë në kufij mes vetes. Tashmë që lufta e Kosovës ka mbaruar po shpërndajnë këtë tezën e famshme të religjionit. Duan ndarjen e Kosovës! –i kishte thënë ai duke vështruar nga dritaret e vogla.
“- Ku ishte Zoti kur masakroheshin shqiptarët në Ballkan? – i kishte thënë Hannah” (rabinit Johan, në një nga dialogjet në librin e Entela Kasit, shën. i imi).
E para situata e parë, është vënia në pah e dashurisë së një hebreu për Shqipërinë, sigurisht e motivuar nëse jo drejtpërdrejt nga historia e famshme, se shqiptarët ishin të vetmit, që në “Besë” i shpëtuan hebrenjtë nga vrasjet, që kërkoheshin nga nazistët.
Situata e dytë është ajo e dhembjes sepse shqiptarët edhe pse jetojnë në një territor shumë homogjen, vazhdojnë të jetojnë të ndarë në shtete të ndryshme, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni V., Mal të Zi, Serbi e Greqi.
Por, për të shpjeguar këtë gjendje, informacioni nga dialogu, prerazi e zbulon një argument: “Tashmë që lufta e Kosovës ka mbaruar po shpërndajnë këtë tezën e famshme të religjionit”. D.m.th., fati i shqiptarëve po nëpërkëmbët në emër të fesë. Por, paradoksalisht me këtë thotë, personazhi tjetër: “Ku ishte Zoti kur masakroheshin shqiptarët në Ballkan?”, duke iu referuar nënkuptimit për fenë si bosht problematik.
Pra, një pyetje, që duhet t’i përgjigjemi së bashku, si shoqëri e ngritur.
Varrimi i viktimave të masakrës së Reçakut të kryer nga Serbia. 10 mijë veta besohej se morën pjesë në varrim, pavarësisht të ftohtit dhe rrezikut që të vriteshin nga serbët. Viktimat e mbuluara Kuq e Zi, jo me ‘të gjelbër’.
Transversalja
Kjo situatë ma kujtoi një bisedë që pata me një deputet.
Pak ditë më parë, e kisha lexuar me kujdes një shënim të ngjashëm në fb dhe madje edhe në një media më pas, se asociacioni po bëhet, po për motive fetare. Pra, jo për ndonjë arsye të vërtetë dhe bindëse të konfliktit shqiptaro-serb apo Kosovë-Serbi.
Sipas kësaj ‘teoreme’ (jo matematikore), asociacioni është projektuar të bëhet, që “të ndalohet krijimi i transversales Stamboll-Shkup-Prishtinë-Novi Pazar-Sarajevë”.
Në një shkrim më parë, jam munduar t’i përgjigjem kësaj dileme, ashtu, si iu pata përgjigjur një informacioni të tillë, vite më parë se nuk është argument, që Kosova të ndahet – veriu, që të mos realizohet ‘transversalja e gjelbër’, pra shtrirja e një homogjeniteti popullor islam nga Stambolli deri në Saravejë.
Nuk duket e saktë, por sigurisht ekspertë të fushave, mund ta shpjegojnë më mirë origjinën e kësaj teorie dhe mbështetjen.
Por, ajo që për mua është e palogjikshme, dhe e pabazë, meqë është fakt për të gjithë, se Maqedoninë me Turqinë e ndanë Bullgaria, vend në NATO dhe vend në Bashkimin Europian, që ka vetëm një pakicë fetare të besimit islam. Edhe Maqedonia, bazuar në gjeografinë e saj, nga kufiri bullgar e deri në Shkup, ka një vazhdimësi të komunitetit ortodoks. Pra, vetëm deri në këtë shqyrtim, ‘transversalja e gjelbër’ u këput përgjysmë!
Shto këtu, që shqiptarët tashmë dy shekuj luftojnë për një shtet të vetëm shqiptar, për një transversale KuqeZi, ajo e gjelbërta bëhet e padukshme.
Atëherë çfarë duan me teorinë e gjelbër apo “transversalen islamike”?! Për mua është e qartë, forcat e përbashkuara kundër shqiptare, po përdorin sindromin e shekullit të 19-të, të orientalizmit!
Padyshim që grupet radikale islamike, rritja e ndikimit të islamit politik, kanë ndihmuar në krijimin apo edhe argumentimin e tezave të atilla, por pa hyrë në shtjellimin e organizimit të tyre, që sërish del, ‘brumë i huaj’, shqiptarët nuk kanë heshtur në luftën për krijimin e identitetit të tyre të veçantë, origjinal, të traditës, kulturës, humanizmit, kodeve të stërlashta, por edhe se janë zotërues të nënës së gjuhëve europiane, një “mother tongue” për popujt që kanë origjinë europian, dhe se ne ishim krijuesit e qytetërimit të njohur në botë si paragrek, me një vazhdimësi kulturohistorike mbi 12 mijëvjeçare, së paku që nga përmbytja e madhe.
Për shqiptarët dhe kundërshtarët është e qartë, se përgjigja ndodhet brenda pyetjes së famshme të Kasit: “Ku ishte Zoti kur masakroheshin shqiptarët në Ballkan?”!