Prof. Dr. Valter Shtylla –

Meriton të vihet në dukje fakti që më shtyu të gjurmoj në kërkim të historisë së Kastriotëve jashtë Shqipërisë.

Në shkurt të 1996-ës gjatë një vizite në Këshillin e Europës në Strasburg, për të diskutuar rreth problemeve statike në Kalanë e Krujës, studiues nga Valencia e Spanjës, më informuan se në Real Manastirin San Trinidad të qytetit e tyre, ndodhen varret e pjesëtarëve të familjes së Kastriotëve, fakt që më zgjoi një interes të veçantë. Në qershor të 2001-t me ndihmën e Generalitat Valenciana mu mundësua vizita në këtë qytet historik të Spanjës.

Burimet e shumta historike dëshmojnë për një lidhje të fuqishme të familjes së Kastriotëve gjatë shekullit të XV me Mbretin napolitan Alfonsi V i Aragonës. Kurora mbretërore e Aragonëve përfshinte dhe Mbretërinë e Valencias. Aragonët me Kastriotët realizuan aleanca të fuqishme ushtarake dhe dihet që Mbreti Ferrante i Napolit i caktoi feude të mëdha familjes së Skënderbeut në Italinë e Jugut.

Pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468, familja e tij emigroi në Mbretërinë e Napolit, duke u marrë në mbrojtje nga Aragonët. Në vitin 1499, kur nëna mbretëreshë Xhovana bashkë me të bijën shkuan në Valencia tek i vëllai Fernando-Katoliko, ato shoqëroheshin dhe nga Donika, gruaja e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Donika në Valencia udhëtoi bashkë me familjen e të birit Gjonit si dhe me një eskortë prej 20 kalorësish.

Gjoni, djali i Donikës dhe i Skënderbeut, ishte martuar me Irenën, vajzën e despotit serb Lazar Brankoviç dhe të Elena Paleologut, vajzën e despotit të Moresë, Tomas. Gjoni me Irenën, që vdiq në vitin 1505, pati shumë djem, të cilët vdiqën në moshë të re, veç Ferdinandit. Gjoni me të birin, Alfonsin, kanë qenë në Spanjë, ku në vitin 1500 kanë luftuar përkrah spanjollëve e kundër arabëve, në krahinën e Alpanjaros.

Në foto: Kisha e Manastirit të Shen Trinidad, Valencia

DONIKA KASTRIOTI

Më 23 gusht 1503 Donika është parë në një pritje me mbretëreshat aragonase në Valencia. Më pas, kur në vitin 1506 ato u kthyen në Napoli nuk shoqëroheshin nga Donika, e cila duket se mbeti në Valencia.

Në Valencia ndodhet Manastiri Mbretëror Shën Trinidad, i ndërtuar në vitin 1445 nga Mbretëresha Aragonase Maria de Castiljo, e cila pas vdekjes në vitin 1458 u varros në portikun e Manastirit. Skulptori i njohur Antoni Dalmau realizoi një vepër mortore monumentale për mbretëreshën. Manastiri 563 vjeçar deri më sot ka pësuar disa rikonstruksione.

Autorët, Sales më 1761 dhe Goerlich në vitin 1998, publikojnë se në kapelën San Migele në veri-lindje të naosit, në fillim të shekullit të XVI-të është varrosur gruaja e Gjon Kastriotit, birit të Mbretit të Shqipërisë Gjergj Kastrioti i mbiquajtur nga turqit si Scanderbeg. Sipër varrit të saj ka qenë vendosur ikona e Shën Mërisë, sot e zhvendosur në kapelën karshi. Kjo ikonë është sjellë këtu nga Beatriçja e Hungarisë, mike e Xhovana Skanderbeg, gruaja e Gjon Kastriotit. Në kapelën e San Migelit është gërmuar dhe nuk kanë dalë relike nga varre të hershme.

E vërteta se pas vitit 1506 Donika nuk u kthye më në Napoli, të shtyn të mendosh se edhe vetë gruaja e Skënderbeut mund të jetë varrosur në Valencia, bashkë me eskortën historike të saj, e cila mund ti ketë varret në oborrin e brendshëm-portik të manastirit.

ALFONS KASTRIOTI

Dëshmi e qartë materiale nga manastiri është pllaka e varrit e Alfonsit, birit të Gjonit. Varri i tij ka qenë tek vendi i korit të kishës, në qoshen veri-perëndimore të naosit, por që pas djegies së kishës, pllaka u zhvendos në kapelën majtas hyrjes së saj. Mbi këtë pllakë mermeri të zi lexohet “Këtu prehet Alfonso, biri i të famshmit Georgo Castroto, mbret i Albanisë, i braktisur nga turqit, fortesë e pamposhtur e krishterimit, i cili u quajt nga turqit Escardabech dhe i cili për prejardhjen e tij, vlerën dhe madhështinë e shpirtit, krahasohej me mbretin Alesandro të Maqedonisë. Vdiq në moshën 15 vjeç në këtë qytet të Valencias, viti 1503”. Duke parë moshën dhe vitin e vdekjes dhe botimet për kishën është e qartë se bëhet fjalë për birin e Gjonit dhe jo të Skënderbeut.

Manastiri Mbretëror San Trinidad i Valencias shpreh lidhjen e fuqishme të familjes arbërore të Kastriotëve me dinastinë mbretërore aragonase. Së pari, këtu pasqyrohet orientimi europiano-perëndimor i Skënderbeut si dhe përqafimi i fesë katolike nga ana e tij.

Në foto: Epitafi i Alfonsit në Real Manastirin Shen Trinidad, Valencia

Kjo nga njëra anë, më tej, vendvarrimin i një pjese të familjes së Kastriotëve në Manastirin Mbretëror të Valencias, ku prehet edhe vetë Mbretëresha aragonase e shekullit XV Maria de Castiljo, dëshmon konsideratën e lartë të dinastisë spanjolle ndaj Kastriotëve, aq më tepër që varret e Xhovanës dhe Alfonsit ndodhen në naosin e kishës, ndërsa ai i mbretëreshës në portik, ku prehet edhe eskorta kalorsiake e Donika Kastriotit.

Aq më tepër po të dëshmohet se edhe vetë varri i Donikës ndodhet në këtë manastir. Edhe interpretimi i përmbajtjes së pllakës së Alfonsit, e cila daton nga viti 1503, përfaqëson vlera historike për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Shkrimi fillon me shprehjen “i famshmi Georgo Castroto, Mbreti i Shqiptarëve, pra me superlativën “i famshmi” dhe me titullin “Mbret”.

Dihet se krejt rastësisht Skënderbeu nuk arriti të shpallej “Mbret” nga ana e Papatit, pasi Papa Piu II nuk mundi të mbërrinte në Shqipëri në vitin 1464 për ta kurorëzuar atë si monark. Epitafi vazhdon “fortesë e pamposhtur e krishterimit”, një cilësim që e vlerëson shumë figurën e Skënderbeut nga ana e Komunitetit Perëndimor. Kjo është një shprehje shpesh e përsëritur, por kur është e gdhendur në një gur të 1503 në zemrën e një kryevepre religjioze aragonase, shprehja fiton vlera të shumëfishta. Pllaka mbyllet me konsideratën për figurën personale të Skënderbeut, bile duke e krahasuar atë me mbretin Aleksandër të Maqedonisë, konsiderata që nuk kanë nevojë për komente.

NAPOLI, KONSTANTIN KASTRIOTI

Në qendër të Napolit ndodhet kisha monumentale Santa Maria la Nova, një nga objektet më të vizitueshme të këtij qyteti historik. Origjina e kësaj kishe vjen nga fundi i shekullit të XIII-të, kur Karli i I Anzhu ndërmori një ndërtim fortifikues në këtë vend. Pas disa dëmtimeve të pësuara gjatë shekujve XV-XVI, në gjendjen e sotme kisha Santa Maria la Nova përfaqëson një ndërtim pak më të hershëm se tre shekuj, me relike të ruajtura nga shekujt paraardhës. Sot kisha është një qendër e rëndësishme e artit dhe e studimeve religjioze italo-mesdhetare.

Në portikun e kishës ndodhen një sërë varresh monumentalë, ndërmjet të cilëve spikat ai i Konstantin Kastriotit, djali i Gjonit, nipi i Skënderbeut. Varri i Konstantinit është një vepër arti në mermer, punuar nga mjeshtri i njohur Jacopo della Pilla. Konstatini, djali i Gjonit, vëllai i Alfonsit të varrosur në Valencia, në moshën 20 vjeçare, në vitin 1497 u shpall Kryepeshkop i Izernias, qytet në veri të Napolit, pranë Molizes. Në pllakën e epitafit të kushtuar nga e gjyshja Donika thuhet: “Konstatin Kastrioti, i varrosur këtu, i cili është prej gjaku e farefisi të kulluar mbreti e perandori dhe fisnik për dëlirësi dokesh, për dinjitet, Kryeprift i Izernias, që vdiq para kohe. Donika Komina, stërgjyshja nga babai, i bëri këtë varr të mrekullueshëm në vitin njëmijë e pesëqind”.

Në foto: Kisha e Shën Maria la Nova, Napoli

Këtë objekt Donika e ka realizuar kur tashmë ndodhej e larguar në Valencia. Kisha Santa Maria la Nova përfaqëson një vepër historike dhe arti. Në brendësi ajo përmban shumë realizime gdhendjeje në gur me mbishkrime historike nga familje të njohura, mes të cilëve edhe ajo e Argonëve, miq të familjes së Kastriotëve. Në të dy anët e varrit, brenda një kornize është gdhendur një mburojë formë ovale.

Brenda saj shquan shqiponja dy krenare me kurorat mbretërore mbi kokat e shqiponjës. Në mesin e dy kokave është gdhendur ylli me tetë cepa. Në krye, jashtë mburojës lartësohet kurora e kryepeshkopit të Izernias, simboli funksional i Konstantin Kastriotit. Ylli me cepa përfaqëson simbolin e diellit rrezatues dhe numri i cepave nuk duhet të jetë përcaktues.

Në varrin e Mbretit të Maqedonisë Filipi II, babai i Aleksandrit, zbuluar në Verxhina pranë Selanikut, vërehen dy simbole. Në zbulimet e narteksit bie në sy ylli me 12 cepa, ndërsa në kutinë e florinjtë të zbuluar në ambientin qendror lexohet një tjetër yll, këtë herë me 16 cepa.

Gjatë mesjetës ishte një fenomen i zakonshëm lidhja e krushqive ndërmjet familjeve fisnike nga vende të ndryshme. Herë si rezultat i fqinjësisë së mirë dhe herë si faktor për konsolidimin e pozitave politiko-ushtarake, këto krushqi ishin të shpeshta, sidomos brenda rajonit tonë. Stefan Brankoviçi në verën e 1460-ës erdhi në Shqipëri, ku u martua me Angjelinën, bijën e feudalit të njohur shqiptar Gjergj Arianit Komnen Topia, duke u bërë kështu kunat me Gjergj Kastriot-Skënderbeun.

MARA KASTRIOTI, PRINCESHA E CËRNA GORA NA GORA

Skënderbeun e ndihmoi Stefan Brankoviçin, me anën e kontit milanez Francesko Sforca, që të afrohej me perëndimin dhe veçanërisht me Venecian. Motra e madhe e Skënderbeut, Mara (në disa burime njihet si Maria) u martua me sundimtarin e Malit të Zi Stefan Cërnojeviçin. Qendra e Cernojeviçëve ka qenë qyteti mesjetar i Zhabjakut në Kënetën e Madhe, në veri-perëndim të liqenit të Shkodrës, pranë derdhjes së lumit Moraça në liqen, ku ndodhet fortifikimi sot i njohur si Zhabjaku i Cërnojeviçëve.

Në këtë qendër të fortifikuar punime të thella ka kryer Stefan Cërnojeviçi, burri Marës dhe kunati i Skënderbeut. Familja e Cërnojeviçëve ndërtoi një manastir të tipit mauzole për varrimin e pjesëtarëve të familjes. Ky manastir, vepër shpirtërore e Gjergj dhe Aleks Cërnojeviçit, u ndërtua në ishullin e Komit në liqenin e Shkodrës, pranë Zhabjakut. Ishulli i pabanuar i Komit mund të arrihet me udhëtim në liqen prej Vranjinës.

Në qendër të manastirit ndodhet Kisha e Shën Mërisë, ndërtuar ndërmjet viteve 1415-1427. Në brendësi të kishës ndodhen pllakat e varreve të familjes së Cërnojeviçëve. Sa hyn në kishë djathtas janë pllakat mortore të bijve të Stefanit, Aleksej dhe Gjergj.

Në foto: Monumenti mortor i Konstandinit në Kishën Santa Maria la Nova, Napoli

Ivan Cërnojeviçi, pas vdekjes së babait Stefan, si sundimtar i Malit të Zi, ka zgjedhur mjeshtrit më të mirë nga bregdeti për gdhendjen e pllakës së varrit të nënës së tij Mara. Pllaka me përmasa 60×180 cm, me një bordurë anësore të gdhendur, në qendër të saj ka tre lule formë rozete. Tatjana Pejoviç në botimin e vitit 1995 “Manastiret në territorin e Malit të Zi”, shprehet “Pllaka e varreve të prindërve të Ivanit, Stefanit dhe gruas të tij zonjës Mara Kastrioti, princeshë shqiptare, motra e Skënderbeut, kanë zbukurime të pasura në gur. Në krye të pllakës është gdhendur një monogramë ku me kujdes mund të lexohet “Kjo është pllaka e zonjës Mara, princesha e Cërna Gora, motra e Georgio Scanderbeg”. Në koment të këtij mbishkrimi, kuptohet qartë konsiderata e lartë që gëzonte Gjergj Kastriot Skënderbeu në radhët e princave sllavë. Nëpër epitafet e varreve lexon gjithmonë emrat e prindërve të të ndjerit dhe duket si një rast unikal- një epitaf me emrin e vëllait.
Kemi të bëjmë me shprehjen e një konsiderate të veçantë, në këtë rast të fisnikëve të njohur malazezë Cërnojeviç ndaj kryetrimit të Arbërisë.
REPOSH KASTRIOTI
Familja e Gjon Kastriotit, përbëhej nga katër djem dhe pesë vajza. Vëllai i madh i Gjergjit (Skënderbeut) Reposhi përfundoi murg në gadishullin e Malit të Shenjtë pranë Selanikut, në manastirin e Hilandarit, ndërtuar në shekullin e XI. Në arkivin e këtij manastiri ruhen dy dokumente që lidhen me emrin e Gjon Kastriotit. Në dokumentin e vitit 1426 thuhet se “Gjon Kastrioti me katër djemtë e tij Stanishin, Reposhin, Konstantinin dhe Gjergjin i falën Manastirit të Hilandarit katundet e krahinës së Rekës në Dibër, Radostushën dhe Trebishtin. Në dokumentin e dytë të padatuar thuhet se igumeni i Manastirit të Hilandarit i shet Pirgun e Shën Gjergjit Gjon Kastriotit dhe tre djemve të tij Reposhit, Konstantinit dhe Gjergjit për 60 florinj”. Ky pirg mban edhe sot emrin “Pirgu i Shqiptarëve”.

Studiuesi serb Sreten Petkoviç në librin e tij “Chilandar” të botuar në vitin 1999 thotë se “Kulla e Shqiptarëve u ble nga Gjon Kastrioti dhe djemtë e tij në dekadën e tretë të shekullit të XV-të, për ta përdorur kur ta kërkonin rrethanat”. Në këtë mënyrë, një nga studiuesit e njohur serbë të Hilandarit thekson në botimet e tij faktin që një fisnik shqiptar, Gjon Kastrioti, ka blerë një kullë në manastirin e Hilandarit, e cila sot njihet me emrin “Kulla e Shqiptarëve”. Për sqarim, Petkoviçi Kullën e Shqiptarëve e vendos jashtë në hyrje të manastirit, pranë kishës së Shën Trinisë, ku ruhen muret e poshtëm të saj deri në lartësinë 5 metra, që kufizojnë një ambient me përmasa 6x7metra. Në anën tjetër shumica e autorëve, Kullën e Shqiptarëve e identifikojnë me Kullën e Shën Gjergjit brenda manastirit, ndërtim i shekullit të XIII, me rikonstruksion në gjysmën e dytë të shekullit të XVII, në katet e së cilës ndodhet dhe kapela me piktura murale e Shën Gjergjit.

Në librin e tij Petkoviçi përshkruan se në vitet 1430-31, Reposhi, vëllai i të famshmit Skënderbeg, nga familja shqiptare e Kastriotëve u varros në një varr të ndodhur në narteksin e brendshëm të kishës, në murin verior. Shën Gjergji dhe shenjtorët Simeon dhe Sava, bashkë me Virgjëreshën, janë pikturuar në muret sipër për nder të shpirtit të tij.

Piktori anonim i afreskut duket i një talenti modest. Sipas studiuesit të njohur kroat Milan Shuflaj mbi varrin e Reposhit, i varrosur në brendësi të objektit kryesor të manastirit të Hilandarit, në kishën e Shën Mërisë, është gdhendur identifikimi historik “Duka i Ilirëve”.

Pra, autorë serbë me emër, citojnë Kullën e Shenjtorëve blerë nga princi shqiptar Gjon Kastrioti si dhe faktin e varrosjes së Reposhit, nga familja e famshme shqiptare e Kastriotëve, në Manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë. Në përfundim mund të shprehim se të gjithë monumentet e kulturës materiale që përmenden më sipër, të lidhur me emrin e familjes së Kastriotëve, përveç se janë vizituar, por ato janë dhe objekt të botimeve të shumta. Ato e vlerësojnë së tepërmi emrin e kësaj familje të njohur shqiptare të shekullit të XV, Gjergj Kastriot-Skënderbeu.

Siç dëshmohet nga këto monumente Heroi ynë Kombëtar, pati një orientim të qartë europerëndimor dhe ishte merita e tij që edhe fisnikët e tjerë arbërorë pas tij, e lidhën jetën e tyre me perëndimin.