Kufijtë me Kosovën, kryeministrja serbe: Ja vija e kuqe e Beogradit. –
Kufijtë me Kosovën, kryeministrja serbe: Ja vija e kuqe e Beogradit. –
24 prill 2019
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq tha se përcaktimi i kufirit me Kosovën nuk ka qenë asnjëherë në agjendë mirëpo ka ekzistuar si njëra ndër alternativat e mundshme.
“Ai propozim nuk ka qenë asnjëherë në tryezë. A pres që të arrihet marrëveshje deri në tetor? Nuk e pres këtë. Nuk ka arsye të besoj sepse jemi shumë larg dialogut dhe një zgjidhjeje të mundshme”, tha Bërnabiq në kuadër të një forumi ekonomik që po mbahet në Serbi.
Çështja e ndryshimit të kufijve është përmendur disa herë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si një mundësi të cilët palët do ta përfshinin në marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse mes dy vendeve.
Arritjen e një marrëveshje paqeje po e kërkojnë me ngulm Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Rusia ka thënë se do të mbështes një marrëveshje e cila i përshtatet Serbisë dhe është në pajtim me rezolutën 1244.
Por, sa i përket vazhdimit të dialogut Prishtinë-Beograd, kryeministrja Bërnabiq tha se Prishtina tash e gjashtë vite nuk i respekton marrëveshjet e Brukselit dhe nuk e ka formuar Asosacionit e Komunave Serbe.
Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, kur autoritetet në Prishtinë vendosën tarifën ndaj mallrave serbe.
Kryeministrja Bërnabiq tha se vija e kuqe për Beogradin është pikërisht kjo tarifë.
“Unë e kam thënë dhe sa i përket kësaj edhe presidenti Vuçiq ka qenë i qartë, vija jonë e kuqe është tarifa e Prishtinës e cila duhet të hiqet. Nuk i durojmë presionet. Të gjithë partnerët tanë e kuptojnë se ndaj Serbisë nuk mundet më të bëhet presion”, ka thënë Bërnabiq.
Gazeta Panorama.