Kufiri Detar: – Provë e re e gabimit te Shqipërisë për të shkuar në Hagë
27 Korrik 2022
Nga Shaban Murati
Një prove e re e gabimit të qeverisë së Shqipërisë, që pranoi kërkesën e Greqisë për të shkuar sëbashku në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për mosmarreveshjet detare, e solli personalisht ministri i jashtëm grek Dendias. Në një intervistë me shtypin grek në 21 korrik Dendias zbuloi se një nga çeshjet me të cilat do të shkohet në Hagë është “të drejtat e plota të ishujve grekë”.
Është hera e parë, që ministri i jashtëm grek, bashkëautor i marrëveshjes politike të 20 tetorit 2020 me kryeministri shqiptar për të shkuar të dy shtetet sëbashku në Hagë, zbulon një nga çeshtjet e fshehta të bisedimeve qeveritare greko-shqiptare për marrëveshjen dypalëshe të vajtjes sëbashku me një rend dite në Hagë.
Kryeministri i Shqipërisë, që nga 20 tetori 2020 e deri më sot, nuk e ka deklaruar kurrë se për çfarë do të shkojë Shqipëria në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë sëbashku me Greqinë. Ai nuk e ka thënë kurrë, por as 140 deputetët në dy legjislaturat e fundit nuk e kanë pyetur kurrë kryministrin në parlament se për çfarë do të shkojë ai në Hagë. Nuk e kanë pyetur kurrë as 140 gazetarët, që kanë marrë pjesë në konferencat e tij të shtypit gjatë dy viteve se për çfarë do të shkojë ai në Hagë.
Kryeministri nuk e thotë dot, sepse ministri i tij i jashtëm në letrën zyrtare dërguar presidentit të republikës në shkurt 2018 njofton se objekti i bisedimeve me Greqinë është kufiri detar, shelfi kontinental dhe zonat ekonomike ekskluzive, pra i njejti objekt i marrëveshjes së zezë të detit të vitit 2009, të paditur nga Partia Socialiste me kryetar Edi Ramën dhe të anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Duhet një falenderim për ministrin e jashtëm grek, që i zbulon edhe opinionit publik shqiptar se oreksi grek ka ardhur duke u rritur dhe se një nga çeshtjet e marrëveshjes së re të përbashkët shqiptaro-greke për të vajtur sëbashku në Hagë qenka çeshtja e helmatisur e “të drejtave të plota të ishujve grekë”.
Do të ishte vërtet skandaloze nëse qeveria e Shqipërisë do të pranonte në marrëveshjen dypalëshe, e cila po gatuhet në prapaskenën e bisedimeve të fshehta qeveritare, që të çojë në Hagë shtjen e të drejtave të plota të ishujve grekë ndaj Shqipërisë. Ky është një rivendikim i ri territorial grek, i futur në axhendën diplomatike greke pas miratimit të njëanshëm të Greqisë për të zgjeruar ujrat territoriale greke në 12 mije në rajonin e ishujve të detit Jon. Nuk ka figuruar kjo çeshtje në marrëveshjen e zezë të detit të vitit 2009 midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Çfarë përmbajtje dhe efektesh negative ka çeshtja e të drejtave të plota të ishujve grekë në raport me Shqipërinë, për ta paraqitur sëbashku në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë?
Së pari, kjo do të krijojë dhe do të legalizojë kufij të rij detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë në relacionin e ishujve të vegjël, që ndodhen në veri të ishullit të Korfuzit. Në 25 dhjetor 2020 hyri në fuqi dekreti presidencial grek i shtrirjes në 12 milje të ujrave territoriale greke në detin Jon, ku përcaktohet qartë se “ky dekret do të zbatohet nga pika më veriore e ishujve të rajonit të detit Jon”.
Kjo don të thotë se ishujt e vegjël grekë Erikuza dhe Otonoi, që janë përballë bregdetit shqiptar, me dekretin presidencial grek fitojnë kufij të rij detarë, për të cilët mjafton të hapësh hartën për të parë se do të grabisin hapësira ujore shqiptare në ujrat tona territoriale. Ishulli grek Erikuza ndodhet 13,4 milje larg bregdetit shqiptar. Sipas ekspertëve më të mirë shqiptarë të detit deri tani nga flota tregëtare dhe ushtarake e të dy shteteve në vijën Erikuza-Porto Palermo është respektuar e drejta sovrane e Shqipërisë për 12 milje ujra territoriale shqiptare dhe pjesa që mbetet u takonte ujrave greke.
Ky status rrjedh nga fakti se ishulli i vogël i Erikuzës nuk gëzonte të drejtën e vijës së mesme me bregdetin shqiptar, që është kriteri i përcaktuar për ndarjen detare midis Korfuzit dhe bregdetit shqiptar nga fuqitë e mëdha me Traktatin e Firences të 27 janarit të vitit 1925 dhe me Traktatin e “Aktit Përfundimtar të Delimitimit të kufijve të Shqipërisë” të 30 korrikut 1926.
Tani Greqia në mënyrë të njëanëshme dhe arbitrare ka krijuar një situatë të re kufitare. Nëse Greqia zbaton për Erikuzën, siç thotë dekreti presidencial grek, zgjerimin e kufirit detar në 12 milje, kjo çon automatikisht në ndarje të re kufitare të zonës midis atij ishulli dhe bregdetit shqiptar. Si rrjedhojë Greqia i jep vetes të drejtën të shtyjë kufirin e saj edhe pesë milje më shumë, duke hyrë dhe duke marrë hapësira të reja detare shqiptare.
Me dekretin presidencial grek të 25 dhjetorit 2020 në mënyrë arbitrare vija e mesit e vendosur dhe e njohur ndërkombëtarisht për Korfuzin, i atashohet padrejtësisht edhe ndarjes së ishullit Erikuza me bregdetin shqiptar. Greqia në mënyrë të paligjëshme i jep ishullit të vet një status kufitar, që nuk i takon, dhe nga cili e kanë përjashtuar fuqitë e mëdha europiane, kur përcaktuan përfundimisht kufirin detar midis Korfuzit dhe Shqipërisë në vitin 1926.
Tani Greqia kërkon ta përfshijë në marrrëveshjen dypalëshe të dakordimit për në Hagë dhe të detyrojë Shqipërinë që të pranojë kufijtë e rij detarë të ishujve të vegjël grekë në dëm të sovranitetit dhe të integritetit teritorial shqiptar.
Së dyti, duke rivendikuar çeshtjen e të drejtave të plota të ishujve grekë në bisedimet me Shqipërinë dhe në gjyqin e Hagës, Greqia synon që të legalizojë ambicjen e saj të madhe që ishujt e vegjël grekë në veri të Korfuzit të marrin të drejtën e shelfit kontinental dhe të zonës ekonomike ekskluzive në raport me Shqipërinë, duke aneksuar nga shelfi kontinental shqiptar dhe nga zona ekonomike ekskluzive shqiptare.
Është e njohur për ekspertët diplomatikë dhe juridikë se pranimi i shtrirjes 12 milje i ujrave territoriale greke në ishujt e vegjël në veri të Korfuzit ka karakter rrethor, pra përfshin hapësirën rreth e qark ishullit. Nëse qeveria e Shqipërisë do të bënte gabimin fatal të njohjes të së drejtës së padrejtë të ishujve të vegjël grekë në veri të Korfuzit për shelf kontinental dhe për zona ekonomike ekskluzive, kjo do të shkaktonte që ishujt e Erikuzës dhe të Otonoit të gëlltisin pjesë të mëdha të shelfit kontinental shqiptar dhe të zonës ekonomike ekskluzive shqiptare, të cilat nisen nga vija e bregdetit shqiptar prej Himare e deri në Karaburun.
Rivendikimi grek për të drejta të plota të ishujve të vegjël grekë në veri e Korfuzit përballë bregdetit shqiptar përbën një goditje të rëndë për sovranitetin detar, për kufijtë shtetërorë detarë, për shelfin kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive shqiptare. Asnjë shtet nuk pranon se ishujt e vegjël dhe shkëmbijtë rreth një ishulli të madh të kenë të drejtën për shelf kontinental dhe për zona ekonomike ekskluzive.
Ishujt e vegjël grekë në veri të Korfuzit: Erikuza dhe Otonoi, nuk kanë asnjë të drejtë të zgjerimit të kufirit detar përtej vijës së njohur të kufirit detar greko-shqiptar, që kanë pasur dhe është respektuar nga viti 1926 i aktit përfundimtar i delimitimit të kufjive të Shqipërisë e deri më sot.
Qeveria e Shqipërisë në asnjë mënyrë nuk duhet të pranojë që ishujt e vegjël grekë në veri të Korfuzit të fitojnë kufij të rij detarë me Shqipërinë dhe të grabisin ujrat territoriale shqiptare dhe zonat detare shqiptare. Qeveria e Shqipërisë nuk duhet kurrsesi të pranojë që në marrëveshjen e re, që po bisedohet në fshehtësi për të shkuar sëbashku në Hagë, të përfshihet kërkesa greke për të drejta të plota të ishujve të vegjël grekë në veri të Korfuzit në raport me Shqipërinë.
Qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë duhet të kenë aq informacion dhe kulturë diplomatike sa të dinë se vetë Greqia e ka pranuar në marrëveshjet e saj të fundit dypalëshe detare me shtetet e Mesdheut se ishujt grekë nuk kanë të drejta të shelfit kontinental dhe të zonave ekonomike ekskluzive. Shqipëria të shohë modelin dhe praktikën e konsoliduar ndërkombëtare për çeshtjen e ishujve, të konfirmuara sëfundmi nga vetë marrrëveshjet për zonat ekonomike ekskluzive, që Greqia nënshkroi me Italinë në qershor 2020 dhe me Egjiptin në gusht të vitit 2020.
Në të dy marrëveshjet me këto dy vende Greqia pranon që ishujt e saj nuk kanë efekt në përcaktimin e zonave ekonomike ekskluzive. Në marrëveshjet e Greqisë me Italinë dhe me Egjiptin Athina ka pranuar mungesën e të drejtave të ishujve edhe për ishuj të mëdhej si Kreta, Rodos, Korfuzi, etj. Ish-ministri i jashtëm grek Nikos Kocias, duke analizuar marrëveshjen midis Greqisë dhe Italisë të qershorit 2020 thekson se “në marrëveshje u pranuan koordinatat e vitit 1977 për shelfin kontinental midis dy vendeve, të cilat kanë një impakt të kufizuar në ishujt grekë si Diapontian dhe Sofrades. Ishujve iu la një fushë e kufizuar ndikimi”. Gazeta greke “Protothema” shkruante: “Greqia në marrëveshjen me Italinë nuk u jep të drejta të plota tre ishujve: Otonoi, Qefaloni dhe Sofrades”. Portali “en.C4defence.com” shkruante: “ Në marrëveshjen me Italinë zonat rreth ishujve grekë nuk janë përfshirë në kalkulimet”.
Edhe Egjipti në marrëveshjen me Greqinë për zonat ekonomike ekskluzive nuk pranoi efektin e ishujve grekë në delimitimin e zonave ekonomike ekskluzive as për ishujt e mëdhej grekë si Kreta dhe Rodosi, se sa për ishujt e vegjël grekë as që bëhej fjalë të merreshin në konsideratë. Media greke “Balkans.eu” shkruante se “në këtë marrëveshje me Egjiptin qeveria u nxitua të pranojë një ndikim të kufizuar të Kretës, ishullit të saj të madh në Egje, dhe ka pranuar një demarkim të pjesshëm të zonës ekonomike ekskluzive për ishullin e Rodosit”.
Rivendikimi i ri i rrezikshëm grek për të përfshirë në marrëveshjen e re dypalëshe për vajtjen në Hagë të të drejtave të plota të ishujve grekë përballë Shqipërisë duhet të shërbejë si një alarm i ri shqetësimi për qeverinë dhe për diplomacinë tonë. Shqipëria nuk duhet të pranojë rivendikime territoriale greke ndaj kufijve dhe ndaj zonave detare shqiptare, me çdo pretekst dhe alibi që të bëhen. Jemi para një sinjali alarmi për kujdesin e madh, që duhet të tregojnë qeveria dhe diplomacia shqiptare mbi marrëveshjen dypalëshe për të shkuar në Hagë.
Rivendikimi i ministrit të jashtëm grek për të drejtat e plota të ishujve greke përbën një provë të re, që tregon se sa i gabuar, i nxituar dhe i dëmshëm është vendimi i qeverisë së Shqipërisë për t’iu bindur kërkesës së Greqisë për ta çuar mosmarrëveshjen detare sëbashku në Hagë.
Nuk është rastësi që Greqia nuk ka çuar në Hagë as mosmarrëveshjet detare me Turqinë dhe as mosmarrëveshjet detare me Egjiptin dhe me Italinë, me të cilën vetëm bisedimet për zonat ekonomike ekskluzive zgjatën 43 vjet. Kur e pyetën Dendiasin mediat greke pse nuk e çon Athina në Hagë mosmarrëveshjen detare me Turqinë, u përgjigj në mënyrë enigmatike se “Haga është një vend shumë i largët”.
Për çudi, vetëm me Shqipërinë Haga për Athinën u bë vend shumë i afërt dhe vetëm me Shqipërinë Athina nxitoi ta çojë në Hagë. Nxitoi, sepse qeveria e Shqipërisë ka kompleksin e inferioritetit ndaj Greqisë dhe nuk mësoi nga qendrimi i drejtë i Turqisë, e cila refuzoi sugjerimet për ta çuar në Hagë, sepse siç deklaroi ministri i jashtë turk Çavushoglu, “Greqia ka rezerva për juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi delimitimin e kufijve detarë”. Turqia është shtet me diplomaci serioze, dhe e di që në 14 janar 2015 qeveria greke ka depozituar në OKB dokumentin e saj zyrtar, ku shprehet se nuk e njeh juridiksionin e Gjykatave Ndërkombëtare të OKB për çeshtjen e kufijve detarë të saj.
Kam shkruar për këtë qendrim zyrtar juridik dhe diplomatik grek në vitin 2018 në librin tim “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”. Por në 2020 Shqipëria profane e pranoi symbyllur kërkesën absurde greke për në Hagë.
Pas shpalljes së dekretit presidencial grek për shtrirjen e kufijve detarë në ishujt e detit Jon u jam drejtuar autoriteteve: “Nëse qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë nuk kundërshton me forcë efektin e ishujve grekë në programin grek të zgjerimit të ujërave territoriale në ishujt e detit Jon përballë Shqipërisë, ato janë në të njejtin kostum antishqiptar si qeveria dhe diplomacia e marrëveshjes së parë të paligjëshme detare të vitit 2009. Dhe në të dy rastet Greqia e vret integritetin territorial shqiptar me duart e qeverive shqiptare”. (Libri “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë”, viti 2021, fq.178).
Gazeta Dita