‘Kukuta e Sokratit’ e Sabri Hamitit, e përjetuar si solemnitet shpirtëror. –

Vlerësimet dhe promovimi nga botimet “Albas” në Tiranë i librit që përmbyll serinë e 10 librave poetikë të shkruara nga S.Hamiti; që nga libri i parë “Njeriu vdes i ri” (1972) për ta mbaruar me “Kukuta e Sokratit” (2018)

Nga:  Dhurata Hamzai 

Në një libër që fillon me vargun “Kur më shihni një grumbull hini” e mbaron me vargun “Përsëritja përsëritet përsëri”, ku shenjon lidhjet me rrënjët e mitit, mitit të Sizifit, Sabri Hamiti i ligjëron të  gjitha shpresat e mira të komunikimit shpirtëror me lexuesin. “Kukuta e Sokratit”, që u promovua gjatë javës që shkoi nga shtëpia botuese “Albas” në Tiranë, është  i 10-ti në radhën e vëllimeve poetike të autorit që përmbush së fundi plot 42 vepra në opusin e tij krijues. Sabri Hamiti njihet si një nga studiuesit më të mëdhenj të letërsisë shqipe, por edhe një ndër themeluesit e kritikës profesionale letrare. Ai ka hedhur dritë përmes një modeli të saktë kritik dhe interpretativ, në të gjithë historishkrimin letrar dhe poetik të shqipes së shkruar në të gjitha koinetë dhe dialektet, që nga Gjergj Fishta, tek Mitrush Kuteli, nga De Rada tek Naimi, nga Budi tek Buzuku. Tashmë kritika letrare e ka një shkollë prej tij. Kështu, pas shumë e shumë studimeve, Sabri Hamiti i rikthehet instiktit të krijuesit në të dhjetën kolanë poetike. E instinkti shfaqet nga pesha e vetë jetës së autorit…

“Shkruaj shqip dhe vetëm shqipja është gjuha ime e letërsisë, gjuha ime amtare. Po gjuha ime e lirikës është gjuha e Nanës dhe gjuha ime. Kam parasysh fjalën, zërin, gjuhën e gjallë, theksimin. Këto janë elemente identitare që trashëgohen dhe kurrë nuk mund të mësohen. Kjo do të thotë që lirika nuk qenka fantazi, por më përpara dëshmi për jetën, duke e përkthyer mendimin e ndjenjën në figurë të gjuhës. Për ta kuptuar çështjen na ndihmon teksti “Lutje” i fretënve të Pultit (13 fror 1761) që del në faqen 90 të librit Kukuta e Sokratit. Një tekst në formë të saktë si dëshmi e para sa shekujve, tashmë në strukturën e librit bëhet tekst autentik poetik që shenjon fuqishëm një gjendje shpirtërore, një mentalitet dhe një moralitet të lëkundur në mes të të mundurit e qëndrestarit.”, shkruan Hamiti.

Duke e konceptuar kështu poezinë,  Sabri Hamiti ndihet i miërseardhur përpra se të trokas derën në Tiranë. Kështu ishte dhe kështu u ndje edhe në pritjen më të fundit të organizuar nga “Albas” në praninë e shkrimtarëve, poetëve, kritikëve dhe gazetarëve më të njohur  si Mimoza Ahmeti, Besnik Mustafaj, Dhurata Shehri, Lazër Stani, Persida Asllani, etj, etj. Duke qenë i admiruar në rrethet letrare të Tiranës për veprën madhore të studimit të letërsisë shqipe, Sabri Hamiti u prit në promovimin e librit më të ri poetik në një komunikim të çlirët e gjithëpranues.

“Përurimit të librit me poezi “Kukuta e Sokratit” i dhamë karakterin e një feste poezie… një mbrëmje me tinguj pianoje, verë dhe lexime e interpretime poezish nga studiues, shkrimtarë e poetë, gazetarë të mirënjohur të kulturës, mësues letërsie, lexues të pasionuar të poezisë”, thotë botuesja Rita Petro, e cila pohon se me e profesor Sabri Hamitin shtëpia botuese Albas ka 20 vjet bashkëpunim, ndërsa ajo vetë ka mbi 25 vjet që bashkëpunon me akademikun e nderuar për tekstet e letërsisë në shkolla. “Më vjen mirë që përveç librave studimorë, shkollorë apo universitarë, bashkëpunimi ynë zgjerohet dhe me këtë libër poetik.”, tha botuesja Rita Petro.

Sipas saj, ky është një libër poetik, që përmbyll serinë e nisur herët nga autori me librin e parë, “Njeriu vdes i ri” (1972) për ta mbaruar me librin e dhjetë “Kukuta e Sokratit” (2018), si një dekalog në dhjetë libra poetikë.

“Librat i lidh së bashku meditimi filozofik në thellësi, në kontekst, por dhe në dukje si psh., përsëritja apo rimarrja e figurës së Prometeut, Sizifit, Sokratit, nëpërmjet të cilëve heroi lirik tregon mbijetesën e vet në të gjitha rrethanat familjare apo kombëtare, shoqërore apo individuale. Në këtë libër janë bashkuar e shkrirë harmonikisht poezia me filozofinë, klasikja me modernen, mendimi eseistik me ndjesinë e zjarrtë poetike. Dhe nuk mund të ndodhë ndryshe përderisa brenda Sabri Hamitit është dhe studiuesi dhe profesori dhe poeti dhe politikani e mbi të gjitha Sabriu personal.”,  thotë Petro.

“Poezia Kukuta – mbyllet me vargun “Ke pi në kupën e Sokratit” si një konstatim i fortë, po aq i fortë sa pirja e qumështit të nanës shprehur në një varg më sipër.

Është dilemë njerëzore që na vjen aq bukur poetikisht: për të bërë një jetë me ato virtyte e vlera si ajo e vetë Sokratit dhe që në fund vendos të flijohet për to apo të zgjedhim një jetë burracaku që i vidhet heroizmit?”, thotë Petro, e cila shprehet më tej se ky libër transmeton porosi morale e mesazhe estetike, duke na ftuar në një lexim që siç thotë Sabri Hamiti, “duhet krijuar atmosfera që poezia të përjetohet si një solemnitet shpirtëror.”

Në librin “Kukuta e Sokratit”, Sabri Hamiti  prozator, eseist e dramaturg, profesor letërsie e anëtar i Akademisë së Shkencave sjell një kurorë poetike prej 70 poezish, të shoqëruar me 16 vizatime të reprodukuara të piktorit tonë të madh, Daut Berisha, që jeton në Paris. Për dijeni, Hamiti ka shkruar deri më sot libra poetikë: “Njeriu vdes i ri”, 1972; “Faqe e fund”, 1973; “Thikë harrimi”, 1975; “Trungu ilir”, 1979; “Leja e njoftimit”, 1985; “Kaosmos”, 1990; “ABC, Albetare për fëmijë të rritur”, 1994; “Melankolia, 1999”; “Sympathia, Testamente për Urtakun, 2004”. Ndërsa libri më i fundi “Kukuta e Sokratiti” përmbledh krijimet më të reja të tij, të sistemuara në shtatë cikle me nga dhjetë poezi. Ky libër vjen si një vazhdimësi e krijimit të sistemit poetik të autorit, me një stil unik e të përcaktuar qartë që në poezitë e para.  Të tillë e ka përcaktuar edhe në terma të kritikës akademiku Rexhep Smajli stilin poetik të Sabri Hamitit. “Kukutën e Sokratit” e përcakton si një vepër poetike “që me nyjëtim të ngjeshur gnomik, me shprehje të përzgjedhur formash shenjë të poetikës tradicionalisht solemne shpreh qenësinë personale”. Me librin më të fundit Sabri Hamiti lë mes lexuesve një shije krijimi që s’të shqipet lehtë.

Për akademik Rexhep Smajlin, Sabri Hamiti nuk do të kishte qenë një studiues aq i mirë po të mos prekte shijen e krijimit. “Sabri Hamiti nuk iu shkoq studimit dhe shkrimit për letërsinë, duke selitur me këmbëngulje qasjen e tij të parapëlqyer në fillim: lexim i ve­prës dhe inter­pre­tim i do­methënieve, i shenjave, i figurave dhe elementeve të tjera që përbëjnë literaritetin e saj, gjithë duke mësuar me kohë për strategjitë dhe teknikat e interpretimit në dijen e bo­tës. Në të njëjtën kohë ai delte para publikut inten­sivisht me vepra të mirë­fillta letrare. Ajo që bie në sy vazhdimisht është se litera­riteti në të gjitha llojet e shkrimit të Sabriut është i gjithëpranishëm, kur shkruan poezi, dramë, prozë, a kri­tikë, ese, monografi, vepër përgjithësuese, shqyrtime letrare, etj. Nuk është vetëm për­shtypje imja që kur lexon poezitë e Sabriut, më shumë se ndër li­rikë të tjerë, ndesh celebralitetin, objek­ti­vizimin, konkretizimin, ashtu siç të del gjithan­dej në tekstet dis­kur­sive figurshmëria, karakteri eseistik, subjektiviteti i pafshehur.

Në kri­jim­tarinë poetike, ku mallëngjimi, protesta, revolta, ironia, të gjitha bash­kë, pa patetikën, vijnë e bëhen shenja të një pa­kë­na­qësie që do të shpërthejë, ashtu edhe në studimet e letër­sisë te Hamiti kjo pakë­naqësi do të bëhet shtytës për ndër­marr­je hulumtuese të më­tej­me. Pakënaqësia dhe ma­llëngjimi përnjëherë shkaktonin prerjet që të lënë për­shty­pje nervozizmi në vjer­shat e tij, të cilat nisin me një petk që për ndonjë element lidhet në përvoja të traditës sonë, për të rrëshqitur më tej gjithnjë e më shumë në ko­n­­­kre­tësinë e shprehjes së la­kuriquar, duke nxjerrë në pah kështu tërë vrazhdësinë e re­a­les.”, shkruan Smajli, duke na bërë të ditur se “Kukuta e Sokratit” një ditë do të vinte ems nesh, dhe aspak rastësisht.

G.M./Shqiptarja.com