Kullat e Trieshit, krenari e dhimbje kombëtare

NGA: GJEKË GJONAJ 

– 29 PRILL 2021

Duke shfletuar faqet e historisë të Trieshit , vërejmë se kanë ekzistuar disa kulla, në të cilat, janë shënuar faqe të lavdishme të trimërisë së trieshjanëve. Historia e ndërtimit të tyre sipas kujtesës popullore e ka zanafillën që në shekullin XVIII deri në fillim të shekullit XX. Natyrisht se kullat nuk i kishin të gjitha familjet trieshjane , pasi kostoja e tyre ishte e madhe. Ato i kanë ndërtuar familjet më të njohura, më të pasura dhe më të mëdha të kohës. Numri i tyre është simbolik. Banesa të këtilla tipike janë ndërtuar në fshatin Muzheçk, Nikmarash, Stjepoh, Bëkaj, Poprat dhe Cem të Trieshit. Pa pretenduar t’i veçojmë dhe t’i evidentojmë të gjitha , në mungesë të të dhënave historike, po përmendim disa nga ato nga kujtesa popullore: Kulla e Mark Gjurashaj, Marash Markut Gjeloshaj, Gjelosh Tomës Ujkaj, Dedë Husit Nikprelaj, Gjon Markagjonajve, Nishk Gilës Lucaj, Gjeto Gjekës Lucaj, Gal Smajlit Lekoçaj, Marash Perit Nikprelaj, Mirash Prekës Lucaj, Baco Smailit Lekoçaj, Gjelosh Nikës Gjokaj, dhe Gjon Ujkës Gjurashaj. Këto tipe banesash malësore-shqiptare janë shtëpi-kulla njëkatëshe përdhese, të ndërtuara prej guri natyror të papërpunuar dhe të latuar, të ndërtuara kryesisht nga mjeshtërit vendas. Pjesa e poshtme e tyre, respektivisht kati përdhes ka shërbyer për mbajtjen e kafshëve shtëpiake. Nuk kishin rëndësi katet e kullës, dy, tre apo katër, por pesha e fjalës që maturohej aty. Këto kështjella të vogla banimi kanë qenë fole trimash dhe shtëpi baruti për armikun, i cili ka synuar të pushtojë e nënshtrojë trojet e këtyre malësorëve kreshnikë. Bashkë me to trieshjanët faktojnë qëndresën dhe përpjekjet e tyre kundër pushtimit turk e malazez, për të ruajtur frymën dhe identitetin e tyre autentik, njëherësh qytetërimin e tyre evropian. Ato janë karakterizuar nga bujaria dhe mikpritja e popullsisë fshatare. Padyshim mikpritja shqiptare si vlerë unike e popullit tonë nuk mund të kuptohet as në Triesh pa kullën dhe pa shprehjen: “Bukë e kripë e zemër.”

Sipas të dhënave të historike Mark Gjurashaj ishte i pari në Triesh, i cili ndërtoi kullën prei guri, të gjatë afro 40 metra, me gurë të latuar dhe gëlqere, me një mjeshtëri të madhe. Sipas gojëdhënave kulla e Mark Gjurashajt, ishte ndërtuar për 3 vjet, dhe e kanë punuar me përkushtim mjeshtërit më të mirë të kohës Çatia (pullazi) e saj ishte e mbuluar me rrasa guri. Kulla thonë se kishte 3 hyrje, dhe ishte shumë e lartë, me disa frëngji, duke i përngjarë shumë një fortifikate tipike ushtarake të kohës, për tu mbrojtur nga armiku. Ajo është e dalluar dhe krahasohet me kështjellat e pamposhtura, të cilën e ka “ përpirë” koha. Të gjitha kullat e tjera të mëvonshme dallohen nga ajo për nga pamja dhe struktura e tyre. Ato janë më të vogla, më të thjeshta , pa frëngji e elemente tjera të veçanta arkitekturore, por jo aq shumë për nga pesha kulturore e historike. Kullat e Trieshit më shumë kanë shërbyer si vende ku gjallon jeta malësore në tërë hapësirën e vet sociale dhe ekonomike sesa si fortifikata për luftë.

njëkatëshe e Gjelosh Nikës Gjokaj, në fshatin Muzheçk e gjatë afro 20 metra, sipas pasardhësve të saj, është e vjetër më se 200 vjet. Atë e ka ndërtuar pronari i saj me gurë vendi dhe me gëlqere. Muret e saj të jashtme janë të gjëra afro 1 metër. Kjo kullë u dogj dhe u shkatërrua krejtësisht nga sulmet mizore ushtarake të vojvodës , Mark Milanit në vitin 1876 , sepse familja e Gjelosh Nikës nuk pranoi pushtetin malazez. E pa prishur kishte mbetur vetëm një pjesë e murit të saj. Kjo familje, sikurse edhe familjet tjera të këtij fshati, të pafuqishëm për t’u përballuar sulmeve të rrepta të ushtrisë malazeze, nga frika e vdekjes, u detyruan të lëshojnë ( të ikin) shtëpitë, për të shpëtuar jetën e tyre dhe gjetën strehë në Cem të Trieshit. Pas kthimit të popullsisë fshatare në vendin e tyre të lindjes Gjelosh Nika e renovoi kullën e vet në themelet ekzistuese pa ndryshuar asgjë në strukturën e saj origjinale. Kjo kullë u rinovua për herë të dytë në vitin 1961. Me këtë rast pullazi i saj i mbuluar me kashtë u zëvendësua me tjegulla lugore, të cilat në atë kohë i kishte rrallë ndonjëri në Triesh. Në këtë kullë aktualisht nuk jeton askush prej familjarëve të saj , por ata përkujdesen dhe e mirëmbajnë atë dhe sot për shkak të historikut të saj dhe respektit ndaj të të parëve të vet.

Kulla njëkatëshe e Marash Markut ( kryekapidan i Trieshit) në fshatin Nikmarash është ndërtuar para 180 vitesh me gurë të vendit, me gëlqere, nga mjeshtrit trieshjanë. Muret e jashtme të saj janë të gjerë më se 80 centimetër. Ajo ka një histori tragjike, të përgjakshme. Brenda saj u vra, mëngjesin e 11 shkurit 1951 nga forcat serbo-malazeze, Dodë Smajli Gjeloshaj, i cili kishte lindur në këtë kullë, për të mos e dorëzuar mikun e tij të panjohur malazez, Radomir Mirasheviqin, oficer ushtarak nga Dojani, afër Titogradit ( sot Podgoricë), të cilit i dha besën se do ta përcjellë për në Shqipëri. Kjo kullë historike, për fat të mirë është e banueshme. Aty jeton pinjolli i kësaj familje zëmadhe Mark Noshi me familje, i njohur në Malësi si vajtor ( britmëtar) i dalluar.

më e vonshme dhe e fundit që është ndërtuar në Triesh është ajo e Gjon Ujkës Gjurashaj, në fshatin Nikmarash. Gjon Ujka e ngriti kullën në shtëpinë e vjetër në vitin 1920 nga kursimet dhe fitimet , siç thoshte ai , të mëdha gjatë qëndrimit të tij prej 13 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë shtëpi-kullë e ndërtoi me gurë të latuar, kurse punët ia besoi Baca Nikë Gjeloshaj. Ndryshe nga kullat tjera në Triesh ajo kishte një stil të veçantë. Sipas dëshmisë të Baca Nikës, Gjon Ujka i drejtohet atij me këto fjalë të bukura: ” Edhe vetëm nji gurë n’i e vësh në murë g’jatë tanë ditës, boll ke punua”. Ndërsa Baci e pyeti: ” Gjon, a aq shumë ke fitua në Amerikë, a ?”, Gjoni i‘a ktheu;”Po Baco, aq shumë sa as fmit’ e mi s’kanë me mujt’ me i harxhua”. Ajo sot qëndron në këmbë të veta e pa dëmtuar, por për fat të keq është e pabanueshme.

Për kullat e tjera në Triesh nuk kemi të dhëna as nga kujtesa popullore për kohën e ndërtimit të tyre. Ajo që dimë me saktësi është fakti se pothuaj të gjitha janë lënë në mëshirën e kohës. Ato për shkak të moskujdesit ndaj tyre janë dëmtuar në masë të madhe ose janë shkatërruar plotësisht. Po shemben kullat e këtushme, që dikur ishin krenari, ndërsa sot janë dhimbje kombëtare. Popullata e kësaj trevë në pamundësi jetese iku dhe i la të gjitha, kullat e moçme bashkë me arkitekturën e tyre, qoshet e kullës, oxhakët, qemerët e derës, dritaret që mbylleshin me kapak prej dërrasave të trasha të qarrit dhe gjithçka tjetër nga memoria historike.

Edhe pse këto objekte ( shtëpi) tradicionale familjare, që paraqesin një pjesë të trashëgimisë sonë kulturore, janë degraduar në masë të madhe ato flasin në gjuhën e të parëve tanë, duke sjellë edhe sot në kohërat moderne një pjesë nga e kaluara jonë e largët. Për këtë pasuri kombëtare dhe këtë pjesë të trashëgimisë sonë kulturore , e cila po vdes para syve dhe askush nuk po vë dorë, nuk ka sesi mos të dhemb shpirti. Ndërkohë, që institucionet e shtetit heshtin. Vallë, sa u kushton atyre që të subvencionojnë këto pak kulla në Triesh , në mënyrë që kjo pasuri të vihet në shërbim të njerëzve, në shërbim të historisë dhe të turizmit ?

Gazeta Bota Sot, Prishtine.