Kundër kujt drejtohen tanket dhe automatikët? Pandemitë – kohë e artë për autokratët
Kundër kujt drejtohen tanket dhe automatikët? Pandemitë – kohë e artë për autokratët
21 Prill 2020
“Jo, kjo pandemi nuk është luftë. Kombet nuk luftojnë kundër kombeve dhe as ushtarët kundër ushtarëve. Përkundrazi, është një sprovë për njerëzimin.” – u shpreh në një fjalim kohët e fundit presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Me këtë mënyrë shprehjeje ai është thuajse i vetëm në korin e mjaft politikanëve, që në emër të shëndetit kolektiv po përdorin e ripërdorin retorikë lufte.
“Retorika apo narrativa e luftës është e papërshtatshme për të folur për pandeminë e Covid-19, përveç rastit nëse këtë virus e kanë përdorur si armë biologjike.” – thotë për DW, dom Gjergj Meta. Sipas tij mbi një metaforë të tillë nuk mund të ndërtohen strategji për përballimin e Covid-19: “Jam kundër kësaj metafore edhe për shkak të gjendjes emocionale që ka shkaktuar tashmë tek shumë njerëz. Me pretekstin se po merren masa parandaluese është shtuar tek njerëzit paniku.”
Militarizimi i hapësirave publike
Një fenomen, i cili është njëfarësoj vazhdim i retorikës së luftës, është dhe militarizimi i hapësirave publike. Një nga manifestimet e tij në Shqipëri është nxjerrja në rrugë e autoblindave me pretendimin për t’u bërë të qartë njerëzve se kjo nuk është lojë. Ish-Presidenti i Shqipërisë, ish-gjenerali Alfred Moisiu, thotë për DW se nuk sheh “asgjë të jashtëzakonshme në nxjerrjen e ushtrisë në rrugë.” Sipas tij “shqiptarët janë të mësuar me forca policore që patrullojnë në rrugë dhe nëse nxirret ushtria, ajo ka tjetër hije”, sepse jepet mesazhi “që gjendja është serioze dhe nuk duhen shkelur masat e marra. Qëllimi e justifikon mjetin.”
Skenografi e një teatri të disiplinës
Kurse prof. Artan Fuga mendon se “është më e lehtë të sillesh si kapter zbori me qytetarët që trajtohen si rezervistë sesa t’i trajtosh si pushtetar në shërbim të tyre.” Sipas tij nxjerrja e autoblindave rrugëve të vendit në kuadrin e masave kundër virusit lidhet me dëshirën për të treguar potencë.”Autoblindat nuk kanë asnjë efekt ndaj virusit vetë dhe as mund të përdoren realisht për të imponuar karantinën” – mendon edhe publicisti Ardian Vehbiu – “prandaj do t’i shihja si metafora luftarake, ose shenja që pritet të tregojnë mobilizimin publik të shtetit. I përkasin një skenografie, një fasade, një teatri të disiplinës, i cili synon të lajmërojë se diçka po lëviz, se diçka po bëhet, se shteti “e ka situatën në dorë.” Përdorimi i fjalëve ekstreme dhe masa të tilla lidhen me “pamundësinë për t’u përballur me mjete të tjera, si testimet apo përkujdesja shëndetësore, që në rastin e Shqipërisë është në nivelet më të ulëta evropiane” pavarësisht se vendi ka “specialistë të mirë, por struktura të dobëta.” – thotë dom Gjergji.
Klimë mbikëqyrjeje e vazhdueshme
Mobilizimi i frikës nga infektimi krijon një klimë të vazhdueshme dhe të pashëndetshme mbikëqyrjeje. “Kundër kujt drejtohen tanket dhe automatikët? Kë duam të luftojmë e të trembim? – pyet ipeshkvi Meta, i cili sheh tek nxjerrja e autoblindave rrugëve të vendit “një përdorim të shpërpjesëtuar të njërës prej forcave të armatosura.” Pandemia përballohet me rregullat e saj, qoftë edhe me masa të rrepta izolimi, por jo me rregullat e luftës por me masa civile – thekson ai – dhe nxjerrja e ushtrisë në terren është një gjë e papranueshme.
Përkëdhelje tundimesh autoritare
Reagime të tipit “jemi në luftë” dhe angazhimi i forcave të armatosura për t’iu përgjigjur një emergjence shëndetësore publike në një vend me demokraci me defekte si Shqipëria, ku dhuna shpesh manifestohet në raste mosmarrëveshjesh politike, “përligjin autoritarizmin, qoftë edhe thjesht në kontekstin e masave që merren kundër pandemisë, – mendon publicisti, Ardian Vehbiu. Dhe në kontekstin e situatës politike të krijuar në Shqipëri, me opozitën të vetë-përjashtuar nga jeta parlamentare dhe krizën e rëndë të gjyqësorit, Vehbiu sheh një rrezik të tërthortë që kryeministri Rama “politikan më i zoti se kundërshtarët e vet dhe që gëzon simpatinë e aleatëve tradicionalë të Shqipërisë, si Italia dhe Turqia, por edhe Gjermania, të ndihet i përligjur në tundimet e veta autoritare, ose për të vendosur pa pyetur njeri.”
Krizat nuk janë kohë për të miratuar ligje të reja
Inskenime që nxisin autoritarizmin janë edhe ndryshimet e miratuara së fundi në Kodin Penal në Shqipëri nën moton burg për ata që shkelin rregullat e vendosura gjatë pandemisë së Covid-19 si dhe përdorimi i dronëve për të kontrolluar hapësirat publike dhe gjurmuar shkelësit e karantinës.
“Mirë do të ishte që situata të tilla, të jashtëzakonshme, të përballohen me legjislacionin ekzistues; sepse në momente kritike, nuk është koha për të miratuar ligje të reja. Historia në vende të ndryshme, edhe në demokraci me tradita të ngulitura, tregon se legjislacioni që kalohet në momente kritike kthehet pastaj në një pengim të lirive dhe të të drejtave të qytetarëve, duke i shërbyer shtetit dhe pushtetit, me pretekstin se po mbrohet qetësia dhe shëndeti publik.” – thekson Vehbiu.
Një problem tjetër përbën rreziku që militarizimi për t’ju përgjigjur një krize në sferën e shëndetit publik të shndërrohet në një vend me demokraci të si Shqipëria në një model për mënyrën e reagimit të shtetit në raste ngjarjesh të tjera kritike. “Strukturat dhe institucionet që përftohen dhe konsolidohen duke luftuar emergjencat nuk janë, për nga natyra e tyre, pluraliste dhe demokratike; dhe suksesi i tyre mund të shndërrohet, lehtë, në kërcënim për qytetarin, në afat të gjatë. Tani për tani, fokusi është te kontrolli i përhapjes së infeksionit; por asgjë nuk garanton që nesër nuk do të lindë nevoja për të kontrolluar diçka tjetër.” – vëren Vehbiu.Marrë nga DW
©Copyright Gazeta SHQIP