1 Dhjetor 2024

Dhjetra aktivistë shqiptarë dhe italianë kanë protestuar këtë të diel nën moton “Marrëveshje ilegale, rezistence globale” tek porti i Shëngjinit kundër marrëveshjes mes Edi Ramës dhe Giorgia Melonit për strehimin në Shqipëri të refugjatëve nga vendet afrikane që kapen në ujërat ndërkombëtare.

Protesta e tyre vjen në një kohë kur si kampi i Shëngjinit, po ashtu dhe i Gjadërit, janë boshatisur, madje edhe nga punonjësit, pasi Gjykata e Romës bllokoi dërgimin e refugjatëve.

Një prej protestuesve deklaroi për mediat se do vazhdojnë protestat kundër kësaj marrëveshje, pasi sipas tij kërkojnë një Europë, Shqipëri dhe Itali më demokratike.

“Kemi protestuar me aq sa kemi mundur kundër kësaj marrëveshje.

Është një farë shtyse shumë e fortë që jo vetëm këtë marrëveshje, por me të gjitha këto lloj marrëveshjes ta vazhdojmë rezistencën tonë.

Solidariteti juaj është forcë për ne, forcë për të gjithë ata emigrantë.

Europa që ne duam nuk është Europa e Melonit, nuk është Europa e Von der Leyen, nuk është Europa e Ramës, por e demokracisë,.

Ne do të luftojmë dhe do jemi për një Europë më demokratike, një Itali më demokratike dhe një Shqipëri me demokratike, ku emigrantët të jenë pjesë integrale e shoqërisë dhe të trajtohen si gjithë të tjerët me të drejta të barabarta”, tha ai.

Azikërkuesit u kthyen në Itali, pas vendimit të Gjykatës së Romës, e cila pasi vendosi kthimin e tyre në shtetin fqinj, ia referoi çështjen Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, për shak se ata vini nga vende të konsideruara jo të sigurta nga kjo gjykatë.