Kupola e Policisë së Shtetit drejt shkrirjes pas dorëzimit nga Europol të përgjimeve të “EncroChat” dhe “Sky”
27 Nentor 2023
NGA Sidorela Bracja, Gazeta Sot
Kupola e Policisë së Shtetit duket se po shkon drejt shkrirjes, për shkak se shumë prej drejtuesve të saj janë implikuar me krimin dhe kanë bashkëpunuar me kriminelët. Mësohet se Europol i ka dorëzuar Shqipërisë listën e policëve që kanë përdorur “SKY” dhe “EncroChat”.
Të gjithë efektivët e policisë do të duhet të plotësojnë një formular ku të deklarojnë nëse kanë përdorur “SkyECC” apo “EncroChat” dhe nëse rezultojnë të tillë, do të mbajnë përgjegjësi. Rastet kur zyrtarë apo ish-zyrtarë të policisë kanë rezultuar të përfshirë në ngjarje kriminale janë shtuar së fundmi. Vetëm pak ditë më parë u finalizua operacioni “Metamorfoza 2”, i cili goditi një grup kriminal. Mes 11 personave të përfshirë ishte edhe Erzen Breçani, ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës dhe shefi i krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni. Arrestimet e tyre kanë ardhur pas zbardhjes së komunikimeve në “SkyECC” në vitet 2019-2020 në Francë dhe Belgjikë me ndihmën e ndërkombëtarëve.
Referuar statistikave, policë të arrestuar ka pasur më shumë në periudhën janar-nëntor 2022. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vënë në pranga 134 efektivë vitin e shkuar, në raport me 69 që janë arrestuar deri tani. Sipas SPAK në hetim janë një numër i konsiderueshëm policësh të tjerë, për të cilët shumë shpejt nuk do të kursehen sërish prangat. E vetmja pyetje që ka mbetur është: Kush e ka radhën? Për këtë çështje Europol ka organizuar një takim pak javë më parë një takim me përfaqësues të SPAK dhe Ministrisë së Brendshme, ku janë ndarë shqetësime dhe informacione në lidhje me punonjës të policisë shqiptare që kanë rezultuar përdorues të platformave të koduara dhe të implikuar në bashkëpunim me grupet kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në disa vende të BE-së. Të dhënat e marra nga Europol me sa duket janë kthyer menjëherë në çështje penale në Shqipëri, pasi edhe zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, konfirmoi se arrestime të tjera do të ketë në radhët e policisë.
“Kjo nuk do të thotë që në nivel policor në të mos bëjmë punën tonë. Ne do të ezaurojmë çdo mjet, çdo mundësi të mundshme për të lidhur ura komunikimi, për të ndjekur, gjetur dhe arrestuar dhe vënë para përgjegjësisë penale çdo kënd, i cili i ka llogaritë e hapura me shtetin shqiptar”, deklaroi në një media Lamallari. Ndërkohë, ministri i Brendshëm Taulant Balla tha pak ditë më parë, teksa prezantonte drejtuesin e ri të AMP-së, Florian Sulejmani, se të gjithë efektivët e policisë do të duhet të plotësojnë një formular ku të deklarojnë nëse kanë përdorur “SkyECC” apo “Encrochat” dhe nëse rezultojnë të tillë, do të mbajnë përgjegjësi.
Hyn në lojë Rrumbullaku
Ndërkohë duke qenë se pritet një reformë e thellë, ku shumë efektivë të inkriminuar do të flaken jashtë sistemit, janë zhbllokuar edhe gradat në Policinë e Shtetit. Të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që duan të rriten në gradë, kanë momentin e tyre. Me firmën e kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, është hapur pas muajsh bllokimi, konkursi i gradave në Policinë e Shtetit.
Në total janë 572 vende vakante, mes të cilëve 12 për “drejtues i pare”, 40 për “drejtues”, 200 janë “kryekomisar” dhe 320 “Komisar”. Gara për aplikimet brenda radhëve të bluve është hapur më 17 nëntor dhe pritet të zgjas një muaj, deri më 17 dhjetor dhe pas kësaj nis faza e seleksionimit. Kandidatët do vlerësohen me shkrim dhe gojë, përfshirë edhe performancën në detyrën që ka mbajtur më herët. Muhamet Rrumbullaku anuloi nismën e konkursit për gradën “kryekomisar” vetëm pak kohë pasi u emërua në detyrë në shtator 2022, e hapur më herët nga paraardhësi i tij, Gledis Nano.
Kryepolici i sapo emëruar Rrumbullaku vendosi ta anulojë me pretendimin e bërjes së ndryshimeve në strukturë. Ish-drejtuesi i policisë Gledis Nano kishte hapur garën për “kryekomisar” për 75 vende. Hapja e garës për gradën “drejtues i parë” u krijon mundësinë elitave të reja të policisë të marrin poste drejtuese, të cilat prej vitesh duket se janë zënë nga një grup drejtuesish që vetëm riciklohen një herë në disa muaj, me emërimi nga një drejtori qarku në tjetrën. Hapja e garës së gradave vjen në një moment deçiziv të Policisë së Shtetit, mes skandaleve për arrestimin e punonjësve të përfshirë me krimin dhe si një nevojë për përfshirjen e më të mirëve në kupolë, aty ku SPAK duket se ka shtrirë vëmendjen e tij këto muaj.