Kur 14-vjeçarët shqiptarë vraponin maleve të Greqisë…në kërkim të jetës, duke i ikur vdekjes. –
Nga Alma Nikolli
- Para pak ditësh një 9-vjeçar në SHBA vrau motrën 13-vjeçare, se u grindën për radhën në Playstation. –
“Vrapoja nëpër mal se mos iknin të tjerët dhe mbetesha vetëm. Disa orë në këmbë dhe ja ku shkelëm tokën greke. Një çoban më tha se isha tepër i vogël, vështirë se do m‘i besonte njeri bagëtitë. Punë as bukë. Veshur kisha “sedrën“ e shqiptarit që nuk më lejonte të kërkoja bukë në familjet greke, ashtu siç bënin “shokët“. Uria e “grisi“ sedrën dhe më në fund trokita në një derë. Një trastë plot me ushqim. Pasi u ngopa më zuri gjumi në livadh. Aty flinim përnatë. Një ditë na zgjoi policia. Pas disa ditë-netëve torturuese në komisariat, filluam të buzëqeshnim, kur në kthim pamë fshtrat e Gjirokastrës. Disa ditë qëndrim në Shqipëri dhe nisa planet e radhës. Nuk ishte kohë e mirë dhe gomonia s’po nisej nga Vlora. Në një nga netët e qeta, sapo kishim mbyllur sytë heshtja e mesnatës u thye nga një trokitje në derë. Gomonia plot. Djem, gra, burra dhe ndonjë foshnjë. Mbaheshim fort të mos fluturonim në det. Pak metra larg bregut italian, u hodhëm në ujë e më pas morëm rrugët tona të shpresës.”
Ky është rrëfimi i një të afërmit tim. Ishte 14 vjeç, kur mori rrugët e panjohura. La pas familjen, topin prej lecke, pluhurin e rrugëve të fshatit, manaferrat, librat dhe prapësirat e iku në kërkim të gjithçkaje që nuk kishte.
Duke biseduar kujtojmë edhe histori të tjera, histori të mbetura përgjysmë. Të fëmijëve shqiptarë që gjetën vdekje nëpër shkurre, lumenj e dete.
Ndërsa flasim, fëmijët nëpër shtëpi e kanë lënë rrëmujën dhe janë përqëndruar tek loja në celular. Janë ende të vegjël, s’i kanë mbushur katërmbëdhjetë. Por, në shtëpinë më tutje, në pallatin më tutje, në qytetin më tutje një 14-vjeçar po qan. Thuajse po qan para një vitrine për kasetën e re të Playstation-it, po qan se vëllai ka luajtur 7 minuta më shumë dhe nuk ka zbatuar orarion e paravendosur lojës, po qan që tutat janë Nike jo Adidas. Para pak ditësh një 9-vjeçar në SHBA vrau motrën 13-vjeçare se u grindën për radhën në Playstation.
Jo të gjithë fëmijët shqiptarë e kanë luksin të grinden per videolojëra të kushtueshme. Madje, ka ende 14 vjeçarë që nuk i tremben errësirës, maleve e gjarpërinjve. Ka ende fëmijë, për të cilët prindërit duhet t’u flasin fëmijëve të tyre. T’ua heqin për pak pultin nga dora dhe t’u tregojnë një përrallë të bazuar në fakte reale.
“Kujt po i ngjajnë këta fëmijë kështu?”, pyeste dikush.
“Nuk i ngjajnë askujt, i ngjajnë kohës“, përgjigjej një tjetër.