Kur Basha flet me zyrtarët e lartë të Brukselit, dhe Rama me tërmetin e Vlorës
Kur Basha flet me zyrtarët e lartë të Brukselit, dhe Rama me tërmetin e Vlorës
– 16/04/21
Prej disa ditësh po ndodh një dukuri interesante në ditët e fundit të fushatës së Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.
Kryeministri e nis shpesh punën me një telefonatë bombastike. Eshtë zakonisht duke udhëtuar me makinë, dhe ja kërcet një bisede gjysëm gazmore, e me kunja për kundërshtarin, me Damian Gjiknurin.
E kjo bëhet lajm. Se Rama këtë synim ka. Titullin ja gjen vete, pasi në të shumtën e rasteve, batuta e tij vendoset si head-line.
Në po të njëjtën ditë, del Lulzim Basha në një videokonferencë me komisionerë të BE, për çështje të arsimit, apo me Johanes Hahn, që aktualisht mbulon ekonominë, për shqetësime të tjera të vendit, dhe për sfidat e integrimit të Shqipërisë.
Të nesërmen, Ed Rama çalltis duke kuvenduar me mobile majekrahut me vetë Ilir Beqën, apo ndonjë sosh, për të marrë vesh si shkojnë ato punë të rilindjes në aksh qark.
Lulzim Basha bisedoi gjatë dje me zv-Presidentin e Komisionit Europian, Schinas. Zyrtari i lartë i Brukselit i tha fare hapur Bashës se arritja që ai kishte me liberalizimin e vizave, kur shërbente si Ministër i Brendshëm, është një punë për të cilën nuk duhet të tregohet modest.
Po nuk ngelet pas kryeministri. Ai lëshon romuze për Xhelal Mziun, me drejtuesin e tij politik për Dibrën.
Mjaftojnë vetëm këto momente për të parë diferencën mes dy alternativave që kemi për të votuar pas 9 ditësh.
Dikush mund të thotë se nuk janë zyrtarët e lartë të BE që votojnë të Dielen e 25 prillit. Por, padyshim që atë ditë do të vendoset për integrimin europian të vendit. Dhe del se kreu i Opozitës është në kontakte më të ngushta me Brukselin se sa ai që e ka për detyrë.
Ky që e ka për detyrë, me shfaqjet telefonike të sabahut, nuk tregon që është fokusuar të çështjet e vendit. Por tenton me grimca gazmore të mbulojë problemet e mëdha, shqetësimet e mprehta dhe serioze të ekonomisë, të varfërisë, të papunësisë.
E habitshme ngelet se si kësaj radhe Edi Rama nuk po ankohet për funksionarët e KE, që po ndërhyjnë në zgjedhje e po abuzojnë me taksat e popullit gjerman.
Gazeta MAPO