Kur do ta njohë Serbia Kosovën? – Eksperti zbardh prapaskenat e përplasjeve: – Kjo është përcaktuar dhe vendosur që….
18 Maji 2024
Gerald Knaus, themelues i Nismës Evropiane të Stabilitetit, është shprehur se njohja e Kosovës nga Serbia nuk do të arrihet.
Komentet Knaus i bëri në emisionin ‘Balkan Talks’ me moderatorin Franko Egro në Euronews Albania, ku tha se këtë gjë e ka parashikuar edhe diplomati Marti Ahtisari, i cili sipas tij, 17 vite më parë ka deklaruar se ‘asnjë sasi bisedimesh shtesë, cilido qoftë formati, nuk do ta kapërcejë këtë ngërç.’
Ai tha gjithashtu se këtë e vërteton edhe deklarata e kryeministrit të ri të Serbisë, që tha se Kosova nuk do të jetë kurrë shtet.
“Ndonjëherë është ide e mirë t’u drejtohesh njerëzve që janë më të zgjuar se unë. Për shembull, fituesi i çmimit Nobel për paqen, Marti Ahtisari. Ai fitoi një çmim Nobel për paqen, ishte një nga diplomatët më të dalluar në dekadat e fundit në botë dhe ai tha, kanë kaluar 17 vjet, në mars 2007, se diskutimet për statusin mes Kosovës dhe Serbisë ishin shteruar, nuk shihte asnjë mundësi për një përparim në këto diskutime, në fakt, tha në raportin e tij në OKB, po e citoj: ‘Asnjë sasi bisedimesh shtesë, cilido qoftë formati, nuk do ta kapërcejë këtë ngërç.’ Kjo ishte 17 vjet më parë. Është e vërtetë edhe sot. Tentojnë, përpiqen, siç ka bërë BE-ja në vitet e fundit, amerikanët, por shumë të tjerë pas Ahtisarit, të bashkojnë Beogradin dhe Prishtinën, Kosovën dhe Serbinë për të diskutuar.
Në fund të fundit, njohja dhe statusi nuk do të funksionojnë dhe ne e pamë kryeministrin e ri të Serbisë në deklaratën e tij të parë duke iu referuar të ashtuquajturit shtet i Kosovës, që nuk do të jetë kurrë shtet. E po, ky është fundi i diskutimeve, apo jo? Ahtisari e dinte këtë dhe ishte i zgjuar të propozonte më pas një rrugë tjetër për zhvillimin e paqes që të gjithë në Ballkan do të përfitonin. S’kërkonte të arrinte një marrëveshje të pamundur”, tha Knaus
Gazeta Sot