Nga: Elvi Fundo

Disa nga mediat më të rëndësishme botërore si “BBC”, “AFP” dhe “Zëri i Amerikës” sot raportuan se Lulzim Basha, Partia Demokratike, gjatë kohës që drejtohej nga ky i fundit kishte marrë një financim 500 mijë dollarë nga rusët e Putinit. Gjithçka u publikua sipas një raporti të SHBA-së.

Materiali i publikuar gati 5 vite më parë nga ‘Mother Jones’, raportuar më pas nga CNA.al, ndërkohë që në Shqipëri heshtej, por edhe mohohej lajmi. Tani doli një raport zyrtar. 

Lulzim Basha, të tijtë, “call center”-at akuzonin se ishte një shpifje, e pavërtetë, e të tjera si këto.

Në fakt, sot jemi përballë provave dhe dëshmive të mediave kryesore botërore. Lulzim Basha është kapur mat. Njeriu që pretendon se është përfaqësuesi i amerikanëve në Tiranë, tashmë del se ka marrë para nga rusët e Putinit.

Amerikanët përfundimisht e kanë kryqëzuar politikisht Lulzim Bashën. Tani nuk i ngelet gjë tjetër, thjesht dhe vetëm ta shpallin “non grata”, si një njeri që ka bërë një lojë të dyfishtë: nga njëra anë si pro amerikan dhe nga ana tjetër ka marrë paratë e rusëve të Putinit.

Ndoshta edhe lëvizjen e fundit të tij të vitit 2021, pas humbjes së zgjedhjeve dhe shpallja e Berishës “non grata”, këtu e ka fillimin apo thelbin e gjithçkaje që bëri Luli.

Lulzim Basha ka bërë harakiri politik fiks një vit më parë, pasi ka qenë gjithë kohën nën presionin e një dosjeje, të fakteve që i kishte konfirmuar edhe Sali Berisha publikisht, kur ka mbrojtur Lulzim Bashën.

Një dosje me dokumente të Donald Lu dorëzuar ish-kryeministrit të vendit dhe kreut aktual të PD-së, Sali Berisha, por atëherë doktori i mohonte, sot zyrtarisht kërkon të hetohet. Kjo kuptohet pasi Luli i vuri drunë.

Në fakt ajo që duhet të presim është kur SHBA-ja do ta shpallë “non grata” Lulzim Bashën? Ishte i vetëm apo me Doktorin, kur i ka bërë veprimet? Tashmë kjo nuk ka më rëndësi. Doktori është fakt, e ka mbrojtur Lulin, kur plasi skandali. Doktori është “non grata”, por kjo nuk do të thotë se mund të shpëtojë Lulzim Basha e të mos jetë i tillë për SHBA-në.

Atëherë gjithçka e merrte përsipër në kurriz vetë Sali Berisha, por tani duhet të shikojmë sa mban kurrizi i Lulit mbi të vërtetat dhe skandalet që po zbardhen një e nga një duke u konfirmuar, edhe pse me vite vonesë.

Për “non gratën” e Lulit ndoshta duhet të presim, do të ndodhë ose jo mbetet për t’u parë, por jemi përballë fakteve. Luli ka marrë paratë e rusëve të Putinit, për të lobuar në SHBA.

Kaq do të mjaftonte, jo vetëm për të shpallur Lulzim Bashën “non grata” dhe familjarët e tij, por gjithë rrethin, duke u shtuar këtyre të dhënave të 500 mijë dollarëve edhe korrupsionin aktiv të Lulzim Bashës gjatë kohës që ka qenë ministër i Transporteve, ngjarjet e 21 janarit, pra vrasjen e 4 personave kur ka qenë ministër i Brendshëm, skandalin me kufijtë, me Greqinë kur ishte ministër i Jashtëm që ia rrëzoi Gjykata Kushtetuese, korrupsionin gjatë drejtimit të Bashkisë Tiranë, skandalet në lidhje me inceneratorët, aferat që kanë ndodhur me familjarët e tij, me kunatin, me ata që kanë ndërtuar me firmën e Lulzim Bashës, njerëzit e rrethit të tij, korrupsioni masiv, të gjitha të provuara, të denoncuara në media.

Media shqiptare, përfshi këtu CNA.al, që shpesh sulmohen, akuzohen kur nxjerrin të vërtetat dhe do të duhet të kalojnë disa vite për t’i nxjerrë mediat ndërkombëtare, për t’i besuar kush është Lulzim Basha dhe pse ky i fundit duhet shpallur “non grata”. Tashmë nga demokratët dhe shqiptarët është i tillë, por do të duhet të presim ta bëjnë publikisht edhe amerikanët./CNA.al