Kur është e jashtëzakonshme gjendja, që ta shpallë Rama?

26/11/19

Mapo.al 

Doli drita me vuajtje e ankth, erdhi prapë mbremja, dhe cdokush e pa se sa tronditës ishte ky tërmet. Cdokush i mesoi përmasat dramatike, 20 të vdekur deri në orën 18.00 dhe përgjon frika se numri i viktimave do rritet për shkak se shumë të humbur janë nën rrenoja.

Të gjithë po ashtu u bëmë dëshmitarë edhe të lajmeve të mira mes kësaj përzhie, ku nxjerrja e të mbijetuarve u shoqërua me duartrokitje.

Secili vuri re punën dhe sakrificen e trupave të shpëtimit.

Në mes të kësaj panorame, gjithkush dallon një njeri, kryeministrin e vendit, i cili refuzon me kokëfortësi ta njohë si të jashtëzakonshme gjendjen.

Eshte fjala ta njohë sipas detyrës që ka, me akt, me vendim qeverie. Jo me vizita në zonat e prekura e mesazhe, sado të ndjera.

Habi e madhe pse Edi Rama nuk e shpall gjendjen e jashtëzakonshme. C’duhet vallë të ndodhë, që ai ta bëjë.

Nuk e hodhi këtë firmë në asnjë nga përmbytjet e vazhdueshme që shkaktuan dëme kolosave në bujqësi, banesa, e në blegtori. Në asnjërin vit që ujërat vërshuan kërcënueshëm. Në asnjë rast tjetër të fatkeqësive natyrore. E prapë po mënon ta bëjë, kur kjo cka ndodhi në 4 të mengjesit, ishte me të vërtetë rrënuese.

Eshte e qartë se mosmarrja e këtij vendimi, lidhet me faturën financiare. Gjendja e jashtëzakonshme do të thotë dëmshpërblim i menjëhershëm për cdo kosto të krijuar.

Kjo faturë mund të jetë në fakt një tërmet për qeverinë, pasi dëmet ende nuk janë zbardhur, por me mijëra banesa besohet se janë prishur keqazi. Dhe përfytyro se cmund të bëjë një qeveri që nuk ka zgjidhur ende problemin që u krijua në një fshat të Qarkut të Korcës nga një lëkundje atje, dhe as ato të 21 shtatorit, dy muaj më parë. Pra premisat janë që sdo ta bëjë.

Po kur atëherë shteti do tu gjendet pranë njerëzve, përmes gjendjes se jashtzakonshme. Pse paratë e kësaj qeverie qenkan kaq kollaj për tu marrë nga PPP-te, nga oligarkët, nga klientët e miqtë e ministrave, por qenkan kaq të pamundura për njerëzit në një hall të këtyre permasave.

Eshte thjeshte e papranueshme. Përpara se të japë mesazhe, e të tregojë vullnet për kërkime, e për t’u qendruar qytetarëve afër, Edi Rama duhet të vulosë vendimin e qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Qoftë dhe pjesërisht për zonat më të dëmtuara, si Durrësi e Thumana. Përndryshe, cdo gjë tjetër është vecse retorikë, politikë, fjalë, propagandë, genjeshtra.

Mapo.al