Kur gratë-prokurore gabojnë dhe kur politika e dhuna merren me gratë. –
Kur gratë-prokurore gabojnë dhe kur politika e dhuna merren me gratë. –
Pikëpyetja e madhe mbetet se pse gjetën rast dhe larguan prokurorin e dosjes së ish-ministrit të brendshëm Sajmir Tahiri, atë që hetoi në kushtet edhe të presionit politik prej mazhorancës e kryeministrit
Ajo çka mësuam dje për largimin e disa prokurorëve nga puna në Tiranë, të cilët, sipas prokurorisë nuk kanë pranuar të futen në shortin për dosjen “Shullazi” ka vend për diskutim publik. Pikëpyetja e madhe mbetet se pse gjetën rast dhe larguan prokurorin e dosjes së ish-ministrit të brendshëm Sajmir Tahiri, atë që hetoi në kushtet edhe të presionit politik prej mazhorancës e kryeministrit. E kemi fjalën për prokurorin e krimëve të rënda Besim Hajdarmataj. Sido të jetë e verteta e largimit të tij për në prokurorinë e Pogradecit nuk bind njeri se nuk ka shtysë politike prej hetimit të ish-ministrit Tahiri. Arta Marku, kryeprokurorja e përgjithshme, nuk akuzohet për paaftësi apo për korrupsion në detyrën e saj, siç ka shumë prokurorë me vila e pasuri të pajustifikueshme. Ajo mbetet ikonë e pastërtisë së imazhit te një prokurori korrekt dhe që nuk shfrytëzon postin për tu pasuruar. Por ajo ka gabuar që nuk ka bllokuar largimin e prokurorit të ish-ministrit që të largohej nga Tirana për në Pogradec. Edhe nëse e ka bindje apo si dënim për mos pranim shorti, nuk ka njeri në Shqipëri që bindet në këtë largim, sepse dyshimi është evident.
Ndonëse prokuroria nuk është më institucion i centralizuar, sepse me Kushtetutë sejcili prokuror ndjehet sot një “kryeporokuror” në vendimet që merr për çështjet penale, përsëri reagimi në organin më serioz hetimor shqiptar, në Tiranë, nuk të lë shije të mire. E kemi fjalën për reagimin e prokurorëve të larguar, ku siç del nga mediat, ka patur konfliktime fizike mes tyre. Dhe ku? Pikërisht në zyrën e kryeprokurores së Krimeve të Rënda në Tiranë, Donika Prela. Sido të jetë vendimi i saj apo edhe më lart, Arta Markut, nuk kishte pse degjeneronte puna kështu, në sharje, grushta dhe përdorim të policisë për ndarjen e prokurorëve nga përleshja fizike.
Kjo e zhbën integritetin e organit të prokurorisë ndaj duhen masa drastike, në këtë rast. Nëse dje, vendimi ishte me diskutim publik dhe mbarte akuza si lëvizje politike, sot me grushtat që ata kanë përdorur meritojnë të largohen nga prokuroria, bile edhe me dënim ligjor. Siç dënojnë ata me burg qytetarët e thjeshtë kur rrahin apo dhunojnë një zyrtar, edhe ata duhen dënuar.
Informacionet nga “Vizion Plus” janë edhe me dramatike, se ka patur grushta dhe tërheqje për flokësh mes prokurorëve. Tamam si në kafe fshati kur kërcet grushti!
Pas nisjes së hetimeve disiplinore ndaj prokurorëve dhe transferimit të tre prej tyre nga kryeprokurorja Arta Marku për shkak të refuzimit për të punuar me dosjen “Shullazi”, ata janë përplasur fizikisht me eproren e tyre Donika Prela. Këtë e konfirmojnë shumë burime, sikurse thuhet se një prokuror, pjestar i sherrit ka filmuar përleshjen.
Pak orë pasi janë njohur me hetimin disiplinor të nisur kundrejt tyre, 10 prokurorët kanë shkuar të enjten pasdite rreth orës 18:20 dhe janë futur me forcë në zyrën e drejtueses së prokurorisë së Tiranës, Donika Prela për të kërkuar shpjegime se përse janë penalizuar dhe transferuar në detyrë. Mësohet se Prela nuk i ka pritur kolegët e saj dhe i ka kërkuar që të dalin jashtë, madje ajo ka kërkuar edhe ndihmën e forcave të rëndit. Një prej prokurorëve të revoltuar ka marrë një telefonatë politike opozitare që të krijohet kaos e konflikt për të dëmtuar imazhin e Arta Markut.
Si në rastin e pare, pra të largimit të tyre nga Tirana duket se ka dorë politika, edhe në rastin e konfliktit ka qenë politika e cila e donte sherrin në prokurori.
Burime bëjnë të ditur se ka pasur tone të larta, fyerje mes prokurorëve deri tek degjenerimi i situatës në përdorimin e grushtave dhe shpullave mes prokurorëve të Tiranës. Më e fortë, thuhet, se ka qenë një femër prokurore e cila përdori forcën fizike, aqsa policia nuk arriti dot t’i ndante nga flokët.
Në vendngjarje ka shkuar me urgjencë edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ndërkohë prokuroria ende nuk ka dhënë asnjë version zyrtar për ngjarjen..
Gazeta Koha e Jone.