Kur Marubi ngjyente fotografitë bardhezi.-
Kur Marubi ngjyente fotografitë bardhezi.-
– Nga Gazta Shqip.
Padyshim është një lloj befasie të shohësh fotografitë e Marubit, me ngjyra, ndërkohë që shumë prej tyre i ke parë në bardh e zi. Në fakt një numr i vogël pllakash fotografike «daguerreotype» kanë mbetur nga trashëgimia e Marubit dhe që nuk janë gjë tjetër veç fotografi të ngjyrosura, të cilat sot na lënë një mbresë të veçantë kur ato i ke në duar. Para disa muajsh, me mikun tim piktor Bujar Luca, ishim në galerinë e Serge Plantureux në bulevardin Haussman të Parisit, i cili është një njohës i mirë i fotografisë së vjetër dhe një artist që merret me zbulimin, identifikimin dhe shitjen e fotografive shumë të vjetra, por të një rëndësie të veçantë historike, si ka ndodhur para dy vitesh me një fotografi të panjohur të poetit të famshëm Charles Baudelaire apo një fotografi të panjohur të Van Gogh.
Serge Plantureux na tregoi atë ditë se kishte gjetur disa pllaka të tilla të Marubit tek një koleksionist rus që ishin në shitje (tashmë ai i ka shitur). Kureshtar rreth këtyre fotografive, nisa të kërkoja edhe përmes internetit dhe një serie fotografish të ekspozuar para dy vitesh ne sitin e tij (rreth 25 pllaka xhami të ngjyrosura) ato më shfaqën një anë të re të fondit të Marubit që ndryshe nga ajo që isha mësuar më parë (duke pohuar se asnjëherë nuk kam punuar rreth këtij fondi në Shkodër dhe se nuk jam aspak një specialist i tyre).
Që në fillim dua të pohoj se pavarësisht nga puna e bërë mbi këto pllaka fotografike në qelq për ngjyrosjen e tyre, merita artistike e Marubëve mbetet gjithnjë në bardh e zi, ku shprehet gjithë arti i tyre rreth ndriçimit, kapjes së karakterit, kompozimit, mënyrës së fotografimit, etj. Megjithatë jemi kureshtarë të dimë se kur ekzaktësisht Pietro Marubi e filloi këtë aventurë të ngjyrosjes së pllakave fotografike, përse dhe cila ishte nxitja e këtij proçedimi? Ç’thonë regjistrat e fotografit, pra të fototekës dhe sa vite vazhdoi ky proçedim, a kishte fotografi historike, pra personazhesh të njohur, a ekzistojnë ende pllaka të tilla në këtë fond dhe nëse jo, deri kur i gjejmë në regjistra gjurmët e tyre. Vallë ngjarjet pas viteve ’90 kanë sjellë lëvizje të fondit?… Sidoqoftë, nëse pllaka të tilla ekzistojnë ende një studim duhet ndërmarrë për të patur një vizion të përgjithshëm rreth kësaj veprimtarie që përsëri bën pjesë në veprimtarinë artistike të Pietro Marubit dhe ndoshta dhe të Kel Marubit.
Dhe kjo sepse nuk është fjala thjesht për fondin por edhe për të demostruar se Marubi ishte një artist i dimensionit europian që ecte njëkohësisht me proçedimet e reja fotografike në Europë. Këtë e tregojnë jo vetëm marrëdhëniet tregëtare rreth blerjes së pllakave të xhamit të fabrikave e vëllezërve Lumière por dhe në specializimin e Kel Marubit në vitin 1927 në Paris në atelietë profesionale të asaj kohe për të mësuar jo vetëm teknologjitë e proçedimet e reja por dhe artin e fotografimit.
Fotografitë e para me ngjyra në Francë datojnë që në vitin 1850, siç janë ato «daguerreotype» të Nadar. Por ai që futi një eksperiencë të re të ngjyrimit të pllakave fotografike, ishte një prift anglez Wallace Nutting, i cili fotografonte peizazhe dhe ky pasion e shtyu që në vitin 1904 t’i ngjyroste pllakat e xhamit. Më pas ai hapi një studio dhe u bë një nga studiot që shiti më shumë fotografi të ngjyrosura në historinë e fotografisë botërore, meqë shpesh, njerëzit kishin dëshirë të kishin fotografitë e tyre të dasmave në ngjyra.
Proçedimi teknik mbi ngjyrosjen e pllakës fotografike të Louis Daguerre bëhej mbi sipërfaqen e rrafshët të lyer me një shtresë argjendi dhe që ekspozohej në dritë përmes aparatit fotografik. Pastaj kjo pllakë ngjyrosej sipër me ngjyra anhiline (që përdoreshin për tekstile) apo të tipit të akuarelit. Sidoqoftë, periudha e këtyre pllakave fotografike me ngjyra është e fillimit të shekullit XX, kohë kur në Europë filloi prodhimi i tyre në masë apo më parë. Vallë ka ndodhur në kohën që Kolë Idromeno, piktor, bashkëpunonte me Pietro Marubi?…
Patenta e fotografisë e shkruar pas këtyre pllakave të ngjyrosura, (ku përpara shkruhet poshtë fotografisë «Formato – P. Marubbi – Gabinetto») na jep një kohë të papërcaktuar fort mirë: ajo është e shkruar në gjuhën osmane dhe lexohet emri i Pietro Marubit (me shkronja otomane), fjala «fougrafie» si dhe fjala «drashkodra» e shkruar në formën otomane. Fotografitë me ngjyra të Pietro Marubit na sjellin imazhe plot dritë dhe me ngjyrat e kostumeve të malësorëve. Me kalimin e kohës, këto pllaka, (përgjithësisht një figurë, grua apo burrë, me kostum malsor, apo dhe të dy, me në sfond një dekor natyre, një karrige, etj) siç i shohim, janë të gërvishtura por megjithatë ato ruajnë imazhe që ne i kemi parë në bardhë e zi dhe një krahasim i tillë është lehtë ta bësh, madje identike.
Shkodra e kohës së Pietro Marubit duhet të ketë qenë një qytet mjaft piktoresk siç përshkruhet dhe në shumë nga librat e udhëtarëve francezë të shekullit XIX që kam patur rastin t’i lexoj: shtëpitë tradiconale, kopshtijet dhe oborret, larmia e kostumeve qytetare dhe malësore, gratë shkodrane me shamitë e tyre plot ngjyra: okër, jeshile, rozë… Vallë veç këtyre portreteve, personazheve nëse mund t’i quajmë kështu thjesht për t’i përcakuar, a ka punuar Pietro Marubi mbi pllakat e xhamit në bardh e zi… a i ka ngjyrosur vetëm ai, me çfarë solucionesh, ngjyra tekstili apo bojra vaji, uji, pastele, akuarele, etj, vallë ngjyrosja është bërë në një shtresë të trashë apo thjeshtë është vendosur si gjurmë për ta lënë sipërfaqen e lëmuar të xhamit po të lëmuar?
Shumë pikëpyetje mbeten ende rreth fondit Marubi, veçanërisht për periudhën e parë, të Pietro Marubit. Fotografia e malësores në studion e tij me thithat jashtë është një vepër më vete, po kështu adoleshentja cigane me gjinj të xhveshur. A është tentuar Marubi, si europian që ishte, rreth nudos në fotografi? A ka parë ndokush fotografi të tilla apo nëse ka patur me parë, mos janë asgjësuar ato për të mos patur telashe me regjimin totalitar?
Sidoqoftë, këto fotgrafi me ngjyra na sjellin një freski dhe një anë tjetër (vallë të panjohur?) të fondit Marubi… Marubët nuk rreshtin të na befasojnë me artin e tyre dhe kjo padyshim është merita e të parit të Marubëve, Pietro Marubi, fotografit që gjatë gjithë kohës së tij si artist-fotograf, ishte i lidhur pazgjidhshmërisht me modernitetin, pasi si në shprehitë e tij artistike ashtu dhe në proçedimet teknike, ai ishte modern dhe në vazhdën e progreseve fotografike europiane.
Në këtë kuptim, Pietro Marubi ishte për Shqipërinë siç ishte Nadar për Francën. Disa studime që më shumë anojnë në anën historike dhe më pak në atë semiologjike dhe të gjuhës së fotografisë, pra në atë që ndodh kur analizojmë artin, siç analizojmë veprat e një një Da Vinçi, Raffaello, apo Rembrandt, Goya, të modernëve, etj, pasi shumë nga fotografitë e Marubit meritojnë studime të veçanta të estetikës së artit.
Nga: Luan Rama