Kur monumentet shihen si “Qëndra Biznesi” e jo si Trashëgimi Kulturore
KUR MONUMENTET SHIHEN SI “QENDRA BIZNESI” E JO TRASHËGIMI KULTURORE. –
Nga Enton Palushi
Data 18 prill është shënuar si dita ndërkombëtare për monumentet dhe sitet arkeologjike. Në mbarë botën kjo kujtesë historike lidhet me rëndësinë, njohjen por dhe sensibilitetin e ndërgjegjësimin mbi trashëgiminë e rrezikuar nga rrënimi dhe zhdukja për t’i mbrojtur e ruajtur ato. Sistemi i mbrojtjes së monumenteve në Shqipëri po kalon në vitet më të vështira, pa mundur të ngrihet një agjendë vëmendjeje e profesionale, ndërgjegjësimi e sensibiliteti, sa kohë politika vazhdon t’i shohë si qendra biznesi.
Data 18 prill është shënuar si dita ndërkombëtare për monumentet dhe sitet arkeologjike. Në mbarë botën kjo kujtesë historike lidhet me rëndësinë, njohjen por dhe sensibilitetin e ndërgjegjësimin mbi trashëgiminë e rrezikuar nga rrënimi dhe zhdukja për t’i mbrojtur e ruajtur ato. Këtë vit tema ishte caktuar “trashëgimia kulturore për brezat”…por në Shqipëri ky kontekst është zbërthyer nga Ministria e Kulturës si një ditë kur monumentet vizitohen nga nxënësit e shkollave, falas.
Kjo ditë për monumentet në Shqipëri duhej të shënohej si një njollë e zezë, ku denoncohen çdo ditë shembje e rrënime të urave, e kishave, të shtëpive muze, të qendrave historike…ndërsa mbetet flagrante situata më e fundit në kryeqytet, lënia drejt rrënimit e godinës së Teatrit Kombëtar për të justifikuar shembjen e tij, e ndërtimin në të njëjtin vend kulla biznesi. Protesta e aktorëve në javën e gjashtë tyre, ka zbuluar skandalin e fundit ku është paralajmëruar ‘një shembje aksidentale” që mund të ndodhë në fasadën anësore të teatrit, ku hyrja ishte e bllokuar me llamarina. Ky denoncim është bërë të hënën, ku protestuesit kanë parë me sytë e tyre rrënimin e godinës. Ndërsa ka reaguar në rrjetin e tij social, regjisori Kastriot Çipi duke thënë se: “Të shtunën paralajmërova se një shembje “aksidentale” nuk mund të ndodhte në fasadën anësore të Teatrit Kombëtar, ku hyrja ishte e bllokuar me llamarina. Sot llamarinat ishin hequr. Pjesëmarrësit në protestë mundën të shohin me sytë e tyre mjerimin që ka shkaktuar një drejtor dhe një ministre të papërgjegjshëm! Por lajmi i mirë është se kollonat e zbuluara pas goditjeve me mjete të forta janë aty, po aq të sigurta sa i kanë çertifikuar ekspertët Niko Verdha e Forcim Softa! Kollonat do të jenë aty edhe kur shkaktaret e gjendjes do te dalin para gjyqit!”.
Është rast i paprecedent mosreagimi institucional i një qeverie kur artistët kundërshtojnë dhe kërkojnë të jenë përfshirës në vendimmarrjen e një godinë që deri dje ishte në listën e qendrës muzeale të kryeqytetit, hequr krejt papritur për t’i lënë hapësirë ligjore shembjes, e më pas “rrëmbimit” të tokës, e ndërtimit aty të kullave të biznesit. Teatri është shfaqja më absurde për ta kujtuar në ditën e memories historike për trashëgiminë.
Por duke lënë në “heshtje” çështjen e Teatrit Kombëtar, ministrja e Kulturës i është rikthyer çështjes së Gjirokastrës dhe çarjes së denoncuar në kalanë e këtij qyteti. Pranohet prej saj, se situata në qytetin muze është në zgrip, por ende është e panjohur për ministrinë, e gjithë problematika. Ndaj para pak ditësh, Kumbaro ka bërë me dije përmes postimit në rrjetin e saj social në Facebook, se është zhvilluar një takim me lidhje “muzeun” dhe kalanë në Gjirokastrës. Duke u vënë vazhdimisht nën vëmendjen e specialistëve, madje denoncuar e akuzuar edhe nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, se situata në monumente është e rëndë Kumbaro duket se për këtë jep një përgjigje. Në postimin e saj ajo ka shkruar vetë mbi fatalitetin e Gjirokastrës, edhe pse po konsumon mandatin e dytë në krye të ministrisë, por përmend dhe rrënim e urës së Hoshtevës, që ndodhi para 3 muajsh, ku për të dyja rastet nuk jep deklaratë të qartë, se si do procedohet në të ardhmen, për projekte apo fonde. Statuset në Facebook të Kumbaro dhe IMK-së, se janë anglezët që i përgjigjen propozimit shqiptar për të kryer studimin e zonës muzeale…problematika e së cilës deklarohet e panjohur, e njëkohësisht e “trashëguar”. Janë ironike këto lëvizje të fundit të ministrisë së kulturës për të shmangur zhurmën e shkatërrimit të monumenteve. Nga ana tjetër zërat e specialistëve të restaurimit mbeten jashtë, kur tashmë janë lodhur për të ndjekur “llaçin” që hedhin firmat e ndërtimit në kisha, kala e kështjella. Sistemi i mbrojtjes së monumenteve në Shqipëri po kalon në vitet më të vështira, pa mundur të ngrihet një agjendë vëmendjeje e profesionale, ndërgjegjësimi e sensibiliteti, sa kohë politika vazhdon t’i shohë si qendra biznesi.
Një ditë më parë, totalisht në heshtje mori “jetë” edhe ligji për trashëgiminë, për të cilin specialist dhe restauratori i monumenteve, Kreshnik Merxhani, ka reaguar: “Sipas autoriteteve sot, paska kaluar ligji i ri i Trashegimise Kulturore dhe Muzeve. Sot nis nje epoke e erret per monumentet ne Shqiperi. Ndryshe nga fytyrat e 2003-7 që i zbulojme tek -tuk dhe që kanë bërë një ligj të ç’organizuar në mënyrë të organizuar siç thotë një profesioniste, këto të sotmit që kanë vënë gurin e parë drejt dhënies me koncension të Butritnit e me radhë…shyqyr kemi një foto, do i shikojme dhe në të ardhmen. Ama Turp i madh është, turp e faqe e zezë!”.