“Kur nuk e zbuloi as FBI, të mos presim gjë nga ekspertët italianë”.
21 Janar 2024
Artan Hoxha: – Me kalimin e kohës kjo ngjarje dhe sidomos mënyra si rrodhi kjo ngjarje më kthehet në një ditë trishtimi. Nëse në vitet e para kisha një lloj satisfaksioni profesional sepse ishte një nga ato ngjarje që ti si gazetar uron ta kesh njëherë në jetë ta kesh mundësinë. Ndërkohë tani pas kaq vitesh unë përpiqem që në 21 Janar në fakt të kaloj diku herët në mëngjes. Shikoj ato pllakatet e vetmja gjë që më duket pozitive që është bërë. Kaloj si një lloj ngushëllimi ndaj tyre. Rikujtoj për një moment ngjarjen e pastaj më mbrapa më kap një fazë trishtimi për pamundësinë dhe pafuqinë për ti dhënë një zgjidhje kësaj ngjarje.
Në momentin që ne kemi parë njerëzit që janë afruar për t’i dhënë ndihmë Ziver Veizin menjëherë shoh në platformën Top Channel, të rrëzuar një person në tokë dhe tek këmbët e tij të shtrirë një person tjetër. Më vonë e dallova që ishte fotografi, e më vonë njoha një protestues tjetër, Hysni Peposhi i cili tashmë është emigrant në Belgjikë. Ai kishte qenë së bashku me Hekuran Dedën në platformën e Top Channel dhe ai është goditur. Nuk ka qenë as i pari, predha ka përshkruar nëpër dorë, në pjesën midis gishtit të madh dhe gishtit tregues të Fatos Mahmutajt dhe e ka goditur në kokë. Grumbullimi tek Hekuran Deda ishte i madh. Ne arritëm të shikonim se kush ishte i dëmtuar sepse ka pasur edhe njerëz të tjerë të plagosur.
Më pas kam parë edhe dy persona të tjerë të shtrirë, ideja ishte gjithmonë se ishin të plagosur dhe qitjet janë bërë selektive për t’i dhënë një goditje të fundit protestës sepse ishte në fund të saj.
Atë ditë ka dashur Zoti që të ketë kaq pak të vrarë sepse ka pasur të tjerë që kanë shpëtuar për fije të perit. Ajo që e bën më tragjike këtë ngjarje është skena çfarë ndodhi mbrapa. Gjithë ajo sipërmarrje e një qeverie të tërë për t’ia lënë fajin atyre katër të vrarëve. Po heqim pjesën që e kishte fajin opozita. Por minimalisht për ata katër viktima duhet të kishte drejtësi se rezultuan që ishin njerëz pa asnjë të kaluar, të përfshirë ku mund të akuzoheshin, nuk ishin as militantë, as anëtarë të një partie. Ata ishin thjesht simpatizantë shqiptarë të thirrur në një protestë, njësoj siç mund të thirren në një protestë të ditës së sotme.
Përkujtimi i 13-të i 21 Janarit e gjen këtë çështje me një vendim të Gjykatës së Strasburgut ku i kërkon shtetit shqiptarë, “të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit për vrasjen e vitit 2011 përpara Kryeministrisë”. Vraja e Aleks Nikës ende pa autor shpresohet të zgjidhet nga një laborator kriminalistik në Itali.
Artan Hoxha: Unë nuk pres një rezultat konkret nga predha që është dërguar për Aleks Nikën sepse kur ka dhënë një përgjigje laboratori më i mirë në botë i FBI nuk besoj se mund të japë një rezultat më të mirë nga ai i FBI.
Gazeta Sot