Kur u vendos në Shqipëri kalendari gregorian!
21 Tetor 2024
Më 4 tetor 1582, në Evropën Perëndimore hyri në fuqi kalendari gregorian, të cilin e përdorim sot pothuajse në mbarë botën.
Kjo u realizua përmes “vjedhjes” së 10 ditëve, për të harmonizuar llogaritjen e kohës me kalendarin e mëparshëm, lidhur me kohëzgjatjen e një viti kalendarik. Më 4 tetor 1582, njerëzit eksperimentuan një udhëtim të vërtetë në të ardhmen. Ditët midis 5 dhe 14 tetorit u fshinë nga kalendari dhe kur njerëzit u zgjuan nga gjumi të nesërmen, ishte tashmë data e 15 dhe jo 5 tetor.
I gjithë “faji” ishte i futjes në përdorim të kalendarit gregorian. Por kalendari gregorian u vendos në Shqipëri në dhjetor të vitit 1912. Kisha ortodokse nuk e përdor kalendarin gregorian për llogaritjen e Pashkëve, prandaj Pashkët katolike dhe ato ortodokse nuk janë në të njëjtën ditë. Kalendari gregorian ose kalendari i ri është kalendari që përdoret në botën perëndimore. Kalendari gregorian është një modifikim i kalendarit julian dhe e merr emrin nga papa Gregori XIII, i cili e miratoi në vitin 1582.
Kalendari gregorian shton një kusht tjetër për vitet e brishta. Ndër vitet që pjesëtohen me 100, vetëm ata që pjesëtohen edhe me 400 janë vite të brishta. Për shembull, për mijëvjeçarin e kaluar, 1600 dhe 2000 qenë vite të brishta, ndërsa 1700, 1800 dhe 1900 jo. Më 15 tetor 1582, vitit kalendarik iu hoqën 10 ditë, për të korrigjuar një gabim në përllogaritje. Ende në shqip hasen shprehjet “kalendar allafrënga” dhe “kalendar allaturka”, ose “kalendar i ri” dhe “kalendar i vjetër”.
Në thelb, bëhet fjalë për dy prej kalendarëve më të përdorur në Evropë e jo vetëm: kalendari gregorian (i riu) dhe kalendari julian (i vjetri). Këta dy kalendarë sot ndryshojnë me 14 ditë mes tyre, ku gregoriani është 14 ditë më parë se juliani. Një shembull është tek nisja e stinës së re, kur ne festojmë datën 14 mars si “Dita e verës” dhe jo ditën e parë të muajit. Ndryshe nga ç’thotë populli (kalendar allaturka), kjo datë nuk ka lidhje me Turqinë, por me kalendarin e kohës së Jul Cezarit. Që prej shekullit VIII dijetarë të ndryshëm kishin vënë re nevojën e një kalendari të ri. Por vetëm më 1582 ishin gati të gjitha përllogaritjet për korrigjimin e gabimit.
Papa Gregori XIII vendosi që pas datës 4 tetor 1582 nuk do të vinte data 5 tetor, por 15 tetor, duke korrigjuar gabimin e ndodhur që prej shek. XIII. Sipas kalendarit të ri, çdo vit që pjesëtohet me 400 do të jetë vit i brishtë, duke shtuar 1 ditë pas datës 28 shkurt. Papa Gregori e vuri re gabimin e kalendarit julian teksa i duhej të llogariste datën e Pashkëve.
Meqenëse të dy kalendarët, si ai julian, si ai gregorian janë kalendarë diellorë, përllogaritja e tyre bazohet mbi rrotullimet e Tokës përreth Diellit. Kjo ngjarje dhe kjo datë, shpjegohet më mirë përmes imazheve nga “Breve trattato gnomonico d’orologi solari”, kopjuar më 1843, dorëshkrim i ruajtur në Arkivin Qendror Shtetëror. Është shkruar në italisht, në 51 fletë letre me përmasa 252 x 175 mm nga një kopist anonim. Teksti shpjegon se çfarë është ora diellore, si funksionon, si ndërtohet dhe si lexohet, pasi orientimi nuk na nevojitet vetëm në errësirën e natës, por edhe në dritën e ditës.