Kurani më i vjetër në botë në ekspozitën e Luvrit
14 Dhjetor 2022
Rruga e Mëndafshit është në qendër të një ekspozitë të hapur në Luvër, e cila vë në qendër të vëmendjes reliket e gjetura përgjatë rrugëve të saj të karvanit. Mes tyre spikat një nga dorëshkrimet më të vjetra të Kuranit të mbijetuar në botë që daton në ditët e hershme të Islamit, në shekullin e 8-të.
Një nga dorëshkrimet më të vjetra të Kuranit të mbijetuar në botë, që daton në ditët e hershme të Islamit dhe një pikturë e përshkruar si “Mona Lisa” e Uzbekistanit janë ndër thesaret historike të ekspozuara në Muzeun e Luvrit në Paris.
E titulluar “Shkëlqimet e Oazeve të Uzbekistanit”, ekspozita përmban më shumë se 170 vepra që ofrojnë një vështrim në të kaluarën e vendit, duke përfshirë piktura të famshme murale, skulptura budiste dhe sende që i përkasin qytetërimeve të lashta.
Ekspozita është kuruar nga arkeologu Rocco Rante, i cili ka gërmuar që nga viti 2009 në Bukhara Oasis të Uzbekistanit. Zona dikur ishte një ndalesë e shquar në Rrugën e Mëndafshit, e cila kalonte përmes Uzbekistanit të sotëm qindra vjet më parë, duke lidhur Mesdheun me Lindjen e Largët.
Faqet e Kuranit Katta Langar janë ruajtur për shekuj në një mauzoleum në një fshat të vogël të vendosur në një majë mali.
“Me ndihmën dhe mbështetjen e kolegëve tanë uzbekë, ne sollëm në dritë dhe restauruam një nga Kuranet më të lashtë të shekullit të 8-të, që është një zbulim i madh,” tha Rante.
Ekspozita, e krijuar në partneritet midis Muzeut të Luvrit dhe Fondacionit të Zhvillimit të Artit dhe Kulturës së Uzbekistanit, i çon vizitorët në një udhëtim politik dhe historik të jetës së Uzbekistanit përgjatë 1600 viteve, duke filluar nga shekulli i parë para Krishtit.
Gjithashtu i ekspozuar është afresku i njohur Sogdian i shekullit të 8-të i njohur si “Piktura e ambasadorëve”, shoqëruar nga një seri pikturash murale që përshkruajnë qytetin antik të Afrasiabit. Pjesë të “Pikturës së ambasadorëve” mungojnë dhe ajo është kuptuar vetëm pjesërisht, por megjithatë konsiderohet si një kryevepër.
“Piktura e Ambasadorëve është një thesar kombëtar për popullin Uzbekistan,” tha Yannick Lintz, bashkë-kurator dhe ish-drejtor i Artit Islamik në Louvre. Ajo quhet ndryshe “Mona Liza e Uzbekistanit”.
Nga Besmira Pelushaj