Kurbin/ 4 vite nga tërmeti, familja Murati jeton ende në konteiner: – Jemi në qiell të hapur, nuk marrim më as bonusin e qirasë
Familja Murati, në Shullaz të Kurbinit, prej 4 vitesh pret lajme për rindërtimin. Banesa e tyre u dëmtua nga lëkundjet e forta sizmike të 26-nëntorit në 2019 dhe 6 muaj më parë u shemb për t’i hapur rrugë rindërtimit, por puna ende nuk ka nisur.
Të gjendur në kushte të vështira 5 pjestarët e familjes Murati, edhe dimrin e pestë do ta presin pa strehëz. Konteineri është bërë banesa e tyre prej vitesh, por tashmë prej muajsh nuk marrin më as bonusin e qerasë.
E zonja e shtëpisë Dëshira Murati tashmë e ka humbur shpresën për rindërtimin e shtëpisë së tyre.“Për ne ka qenë shumë e vështirë, kanë ardhur shoqatat, nuk kam shpresë që do të bëhet kjo shtëpi, po gatuaj jashtë se janë dhomat e vogla”,- ka deklaruar ajo.
Bashkia e Kurbinit ishte një ndër zonat më të prekura nga tërmetit i nëntorit të vitit 2019-të, i cili la të pastrehë rreth 2 mijë familje. Aktualisht më shumë se gjysma e tyre kanë hyrë në shtëpitë e reja, ndërsa procesi i rindërtimit vijon.
Gazeta Shqiptarja.com