Kuriozitet; – Në tokë nuk ka më vend për aeroplanët
Kuriozitet; – Në tokë nuk ka më vend për aeroplanët
24 mars 2020
Deri pak ditë më parë, në çfarëdolloj momenti që të merrej parasysh, të paktën 20 mijë avionë ndodheshin në ajër duke fluturuar diku në botë. Deri pak ditë më parë, sepse përhapja e koronavirusit ka pothuajse paralizuar totalisht trafikun ajror ndërkombëtar.
Por tani, përtej problemeve ekonomike të kompanive ajrore, që po reduktojnë me 80-90% fluksin e fluturimeve, ka edhe një problem teknik, qederi më tani nuk ishte marrë parasysh.
Dhjetëra mijëra aeroplanë janë në tokë, ndërkohë që sistemi në funksion deri pak ditë më parë i parashikonte vetëm në ajër. Si pasojë, në tokë thjesht nuk ka më vend.
Parkimet e aeroplanëve, në aeroporte por edhe në parkimet e parashikuara kudo në botë janë tashmë plot.
Dhe mjetet fluturuese që kanë gjendur vend diku, e paguajnë atë shtrenjtë. Në aeroportet europiane, një avion mund të paguajë deri në 280 dollarë për një orë të vetme.
Dhe parkingjet për aeroplanë që ndodhen në disa vende të botës, sigurisht më të lira, po tejmbushen.
Aeroplanët kanë nevojë për vende që mundësisht të ndodhen në shkretëtirë, sepse lagështira dëmton mekanizmat e saj. Për këtë arsye vendet më të njohura të këtij tipi ndodhen në Arizona, ose në shkretëtirën australiane. Mjetet, pasi pothuajse “balsamosen”, duke iu hequr karburantin, mbuluar xhamat dhe motorin mund të rrinë duke paguar nga 50 deri 300 dollarë në muaj, sipas madhësisë.
Janë vende të mëdha, parkingu në Arizona mund të mbajë deri në 800 aeroplanë, por tani edhe ajo hapësirë e madhe po ngushtohet, duke shtrënguar kompanitë të ndërtojnë hapësira të reja.
Gazeta Dita